Editorali:Tri argumente dhe një Kuvend frikacak - Editoriali - Kosova Sot
Editorali:Tri argumente dhe një Kuvend frikacak

Editorali:Tri argumente dhe një Kuvend frikacak

Kuvendi i Kosovës, në vend që ta zhbllokonte Demarkacionin, dje dëshmoi se e ka ndërmend ta komplikojë edhe më tepër Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Politikanët që udhëheqin Qeverinë dhe opozitën shkëmbyen akuza, duke përmendur edhe fyerjet. Në fakt, ata, së bashku, po na fyejnë të gjithë qytetarëve. Ndërsa deputetëve nuk po u ngutet t'i japin drejtim një çështjeje që mbahet pezull prej gati tre vjetësh, radhë të gjata njerëzish janë parë në dyert e ambasadave perëndimore. A do të thotë kjo se duhet të falim tokë, për të marrë liberalizimin e vizave? Natyrisht se jo. Por, kjo nuk i justifikon përfaqësuesit politikë, të cilët po tregohen të paaftë që të gjejnë një zgjidhje. Në tavolinën e tyre tashmë janë tri argumente. E para, është Marrëveshja e gushtit të vitit 2015, të cilën e ka ratifikuar Mali i Zi, por ka dyshime serioze se e dëmton territorialisht Kosovën. E dyta, është një raport i Komisionit që u ngrit nga Qeveria aktuale, që ka konstatuar shkelje dhe gabime në Marrëveshjen e nënshkruar, por pavarësisht e votoi apo nuk e votoi Kuvendi, nuk ka fuqi juridike në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse është më tepër për konsum të brendshëm politik. E treta, Deklarata presidenciale, që është nënshkruar nga krerët e dy shteteve, Malit të Zi dhe Kosovës, ka një fuqi politike, duke i dhënë një frymëmarrje të re tejkalimit të problemeve për vijën kufitare. Sidoqoftë, edhe Deklarata, sikurse raporti, prapëseprapë nuk kanë fuqi juridike në raport me Malin e Zi. Megjithatë, duhet të vlerësohet gatishmëria malazeze për korrigjimin e kufirit nga deputetët, të cilët duhet të bëjnë një akt të guximshëm, duke e votuar Projektligjin e ri, që në njëfarë mënyrë, edhe pse tingëllon absurd në përmbajtjen e tij, jep një rrugëdalje politike. Pa pajtim politik, nuk ka ratifikim Demarkacioni. Prandaj, deri të mërkurën, deputetët duhet t'ia vënë gishtin kokës, të mos i dëgjojnë liderët inatçorë, por të veprojnë që ta nxjerrin nga izolimi popullin.

(Kosova Sot)

4 orë e 3 minuta më parë
25/09/18