Editoriali:Bëjeni ligjin e VETTING-ut

  • 19 April 2018 - 16:47
Editoriali:Bëjeni ligjin e VETTING-ut

Pavarësisht problemeve të shumta me të cilat përballet Shqipëria, Bashkimi Evropian ka dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave me shtetin shqiptar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një hap i tillë i rëndësishëm kurrë nuk do të ishte i mundur pa nisjen e VETTING-ut në sistemin e drejtësisë, policisë dhe në institucionet e tjera vitale për shtetin. Edhe pse kjo reformë rrënjësore ka hasur në kundërshtime dhe është përcjellë me zvarritje, pas dakordimit të partive kryesore, autoritetet kanë proceduar me zbatimin e saj. Dhjetëra gjyqtarë e prokurorë po ngecin në sitën e VETTING-ut si peshqit në zall, pasi nuk po arrijnë të justifikojnë pasuritë që i kanë, kuptohet, ato përmes korrupsionit e krimit te organizuar. Një reformë e tillë është e domosdoshme dhe e pashmangshme edhe për Republikën e Kosovës, sepse kalbja e sistemit gjyqësor ka ardhur si pasojë e mospastrimit të këtij sektori nga shumë elementë të inkriminuar brenda e jashtë saj. Po të mos ishin ndërkombëtarët, asnjë proces i ndjeshëm gjyqësor nuk do të kishte nisur kurrë. Sa për ilustrim, kemi rastin më të freskët të ngritjes së një aktakuze nga EULEX-i kundër disa veteranëve, të dyshuar për abuzime, mashtrime, korrupsion, por edhe prostitucion. Pa prejudikuar rezultatin e këtij procesi, duhet theksuar se prokurorët kosovarë nuk do ta ngrinin asnjëherë një aktakuzë të tillë, edhe pse ka aq shumë fakte për abuzimin skandaloz që u bë me listat e veteranëve të luftës, saqë dhjetëra aktakuza duhej të ishin ngritur deri më tash. Por, prokuroritë dhe gjykatat janë në biznes të vetin me politikanët e tejinkriminuar, prandaj atyre nuk u intereson fare që ta prishin këtë marrëdhënie korruptive, që u sjell fitime të majme. Bërja e VETTING-ut do t'i përjashtonte të gjithë gjyqtarët e prokurorët e korruptuar nga sistemi, dhe jo vetëm,për t'ua dhënë shansin të gjithë atyre kuadrove të sistemit, që kanë guxim dhe përkushtim ndaj ligjit dhe shtetit ligjor. Publikimi i Raportit kritik të Progresit duhet shfrytëzuar si një moment i volitshëm për të aktualizuar idenë e një VETTING-u si në Shqipëri. BE-ja na e bëri të qartë se pa rezultate konkrete, sidomos në sundimin e ligjit, nuk ka ecje përpara.

(Kosova Sot)