Editoriali:Ku po i rrisim fëmijët!!!

  • 03 June 2018 - 16:30
Editoriali:Ku po i rrisim fëmijët!!!

Një qershori mbushi rrugët e sheshet, mediet e rrjetet sociale, me pamje e lajme, aktivitete, deklarata, zotime politike, për fëmijët tanë, të ardhmen e kombit. Përtej fasadës festive të një dite të shënuar për më të vegjlit, realiteti është i hidhur dhe perspektiva e zymtë. E vërteta nuk mund të fshihet. Shteti ynë, për të cilin meritat i kanë përvetë- suar një grusht liderësh që e kanë zhvatur e po e zhbëjnë këtë vend deri në palcë, nuk ndan as edhe një cent për fëmijët. Por, në anën tjetër, pushteti nuk përton të mbushë xhirollogaritë e mashtruesve, bashibozukëve, dallaveraxhinjve, manipulantëve me qindra miliona euro. Politikanët tanë bëjnë jetë luksoze dhe fëmijët e tyre konkurrojnë me ata të sheikëve, ndërsa pjesa dërrmuese e të vegjëlve kosovarë mezi përmbushin nevojat e tyre elementare. Nga varfëria e thellë, qindra vogëlushë i has në udhëkryqet kryesore ku lypin, shesin gjëra të ndryshme, për të mbajtur familjen. Pushtetarët e dhënë kaq shumë pas pasurisë korruptive kanë harruar se thyerja e shpresës së qytetarëve godet së pari fëmijët. E, kush është ai që do të dëshironte sot t'i rriste fëmijët e tij në këtë vend të sunduar, të varfëruar, me padrejtësi të mëdha kudo?! Që nga çerdhet që nuk i kontrollon askush e deri në kolegjet e universitetet që trafikojnë diploma, fati i fëmijës në Republikën tonë është në duart e oligarkëve. Askush nuk do të dëshironte ta lërë fëmijën e tij në grushtin e tyre. Asnjë qeveri nuk i ka pasur kurrë prioritet fëmijët. As kjo e tashmja. Kaq shumë janë degraduar dhe dehumanizuar këta liderë në pushtet, saqë nuk u bën më përshtypje asgjë. Fëmijëria kurrë nuk ka qenë më e rëndë, sepse thjesht nuk ka kushte jetese, nuk ka mirëqenie, nuk ka një normalitet, nuk ka siguri. 1 Qershori do të duhej të shndërrohej në një ditë akuze për sundimtarët e Kosovës, që ashtu siç po e rrënojnë çdo gjë, po e godasin edhe fëmijërinë e këtij brezi!

 

 

(Kosova Sot)