Editoriali: Humori i hidhur

  • 30 August 2015 - 17:29
Editoriali: Humori i hidhur

Qytetarët e vendit këtyre ditëve kanë qenë dëshmitarë të një fjalori të papërmbajtur të liderëve politikë. Aksionet e lëvizjes "Vetëvendosje" kanë acaruar së tepërmi kreun e Qeverisë, Isa Mustafa, madje ai nuk ka ngurruar që ta cilësojë oponentin e tij Albin Kurtin, me terma fyes si "gomar". Këtë betejë fjalësh e ka lehtësuar edhe teknologjia e përparuar, gjegjësisht rrjetet sociale, që gjithnjë e më tepër po gjejnë shtrirje në këtë qoshe të varfër të Evropës.

Edhe kreu i 'Vetëvendosjes', Visar Ymeri, nuk e ka kursyer Mustafën nga etiketimet e ndryshme. Por, sa u shkon liderëve politikë një fjalor i tillë? Edhe në Perëndim ndodh që liderët politikë, madje të niveleve shumë më të ulëta, të thonë ndonjë fjalë të pamatur, por zakonisht ata kërkojnë falje në raste të tilla, ashtu siç ndodh edhe me lojtarët e sporteve të ndryshme kur bëjnë ndonjë gjest të pahijshëm. Por, siç duket kryeministri Mustafa dhe oponentët e tij nga opozita nuk e kanë ndërmend të sprapsen, për të dëshmuar se cilët janë më "kokëkrisur".

Kështu, Mustafa në vend se të japë llogari për tenderët e djemve të tij në Qeveri, ironizon duke thënë se i duhen më shumë para sesa ato për të cilat dyshohet. Apo, edhe më keq, kur u kundërpërgjigj ndaj aksionit të hedhjes së vezëve mbi veturën e tij nga 'Vetëvendosje', Mustafa tha të mos i çojnë ato dëm, por t'ua japin nëpunësve të Komunës, duke fyer kështu të gjithë këta punonjës.

Ironia është një formë e mirë e shprehjes së një mendimi, por fjalori i liderëve tanë nuk hyn në këtë kategori. Më tepër kemi të bëjmë me batuta rrugësh, të cilat nuk do të thuheshin as në ndonjë ndejë miqsh. Ish-kryeadministratori Bernard Kushner, në kujtimet e tij për Kosovën kur kishte bërë përshkrimin e tij për shqiptarët, kishte thënë se shqiptarët nuk dinë të bëjnë humor, madje gjatë gjithë qëndrimit të tij në Kosovë i kishte rënë të dëgjojë vetëm pak batuta. Megjithatë, kjo mund të mos jetë e vërtetë, ngase çdo popull ka një aftësi për të nxjerrë edhe batuta të këndshme.

Është kjo si në serialet humoristike në televizione, në të cilat ka gjithçka përveç humor. Kur tregohen batuta të këqija dhe pa vend, zakonisht i thuhet bashkëbiseduesit se "kur duhet të qesh". Por, liderët tanë politikë duhet se nuk janë fare në humor të mirë. Madje, fjalori i tyre është jo për të qeshur, por për të vajtuar. Në  vend se të flitet për çështje të shtetit, krerët e institucioneve dhe partive politike (pozitë dhe opozitë) kanë zgjedhur humorin "pa shije" në 'Facebook'.