Editoriali: Administrata e militantëve

  • 01 September 2015 - 17:39
Editoriali:  Administrata e militantëve

Cilado qeveri që ka ardhur në pushtet nuk është kujdesur për të punësuar në administratë njerëz profesionistë, të shkolluar, por militantë të partive politike, familjarë dhe njerëz të klaneve. Reformimi i kësaj administrate është vetëm një retorikë që e përdor pushteti sa herë që bëhen publike raportet e Progresit për Kosovën, të cilat shënjestrojnë me nota kritike këtë administratë tej mase të politizuar.

Në të shumtën e rasteve, reforma përdoret si justifikim për të thithur fonde të jashtme, të cilat nuk kanë munguar deri më sot, por të cilat janë përdorur nga pushteti për qëllim përfitimi. Në vend se të kemi sot një administratë me të punësuar sipas sistemit të meritokracisë, ne kemi sot një shërbim publik tej mase të degraduar, burokratik e aspak efikas.

Në vend se ajo të jetë në shërbim të qytetarëve, është në shërbim të pushtetarëve dhe të oligarkëve. Duket se kjo administratë publike po i mban në pushtet këto parti që sot janë në koalicion. Asnjë vend i rajonit, nuk ka një administratë të tillë glamuroze, me rreth 75 mijë të punësuar, siç është rasti me Kosovën. Ky numër kaq i madh i kësaj administrate, është në një farë mënyre edhe votë për këto parti të klaneve dhe të interesave. Kriteri i parë për punësim në këtë administratë është të kesh dikë lart në qeveri, sepse fare lehtë të rehatojnë.

Atyre që kanë përgatitje të larta akademike, të shquar në fushat e tyre, as që u jepet rasti për t’u punësuar. Konkurset shpallen vetëm formalisht, sepse njerëzit kanë filluar të punojnë para shumë kohësh. Reformimi i administratës është i vështirë të bëhet. Për ta bërë këtë duhet shuar departamente koti që janë formuar vetëm për të punësuar militantë, divizione e pse jo edhe ministri. Për numrin e madh të ministrave dhe zv. ministrave ua shkojmë edhe kinezëve.

Ky aparat shtetëror do të mund të mbahej edhe po që se do të përgjysmohej numri i të punësuarve në shërbimin publik. Shumë nëpunës të kësaj administrate e mbyllin ditën pa bërë asnjë grimë punë, por vetëm duke u sorollatur. Me këtë pushtet dhe këtë administratë qytetarët nuk mund të shohin perspektivë.