Editoriali: Protesta kundër regjimit

  • 29 September 2018 - 17:00
Editoriali: Protesta kundër regjimit

E shtuna është testi i parë për Lëvizjen "Vetëvendosje", e cila do të provojë të thirret në turmat që do të protestojnë, për t'u mëkëmbur pas goditjes që ia dha grupi i Shpend Jahtit, kryetarit të Prishtinës. Në rrethana të një demokracie normale, kjo mund të ishte një protestë e organizuar ndryshe, me një emërues të përbashkët opozitar. Por, mospjesëmarrja e dy partive të tjera, sidomos e Lidhjes Demokratike, si partia më e madhe parlamentare e opozitës, ia zbeh fuqinë paraprakisht këtij manifestimi të ftuar nga VV-ja. Kjo parti ende nuk është distancuar ashtu siç do të duhej nga qeverisja kriminale në Prishtinë, që ka lënë pasoja të jashtëzakonshme te qytetarët e bizneset. Megjithatë, njerëzit prej disa ditësh e pyesin njëri-tjetrit, nëse do të dalin të protestojnë apo jo. Nëse mobilizimi qytetar nuk keqpërdoret, qoftë me akte dhune, apo edhe me përvetësim meritash nga subjekti i caktuar, atëherë është një e drejtë që mund të shfrytëzohet nga secili, pavarësisht bindjeve politike. Kosova ka ardhur në momentin më të rëndë në historinë e saj, kur e vetmja alternativë na ka mbetur të dalim e të shprehim pakënaqësitë në rrugë, në sheshe, kundër regjimit kriminal, kundër një presidenti aventurier, që po tenton t'ia japë veriun Serbisë, një skenar i njohur i Beogradit shovinist. Protesta, si e tillë, duhet të jetë e civilizuar dhe të përcjellë mesazhin e popullit, se nuk ka më vend në pushtet për politikanë të korruptuar e banditë. Por, kjo duhet të vlejë edhe për vetë organizatorin e protestës, që mban përgjegjësi politike për udhëheqjen në Prishtinë dhe për koalicione që i bën me parti të kriminalizuara. Nuk mund të flirtosh në njërën anë me grupet mafio-politike, e në anën tjetër të kërkosh mbështetjen e publikut. Pra, ose je me qytetarët e ndershëm, ose je me politikanët hajdutë! Koha është gjithsesi për t'i treguar veçanërisht presidentit të shantazhuar, se sundimit të tij po i vjen fundi. Një dalje e madhe qytetare do të ishte mesazh i qartë për klanin "Pronto" dhe kryekapësin e Kosovës.

 

(Kosova Sot)