Editoriali: Presidente, çfarë po pret

  • 08 February 2016 - 17:29
Editoriali: Presidente, çfarë po pret

Shterimi i të gjitha alternativave të tjera për të dalë nga kriza politike, ku është katandisur Kosova që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare, me formimin e Qeverisë së “elefantëve” të pangopshëm e pastaj me nënshkrimin e marrëveshjeve antikushtetuese, e ka bërë të pashmangshme organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Kompetencën për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve e ka me Kushtetutë e para e shtetit.

Presidentja Atifete Jahjaga e ka rastin të hyjë në histori, të paktën për një veprim të mençur dhe kurajoz, duke e zgjidhur nyjën e kësaj krize, e cila, nëse nuk caktohet sa më shpejt një datë e votimeve, mund të marrë përmasa edhe më shqetësuese. Mjafton të kujtojmë thirrjet e qeveritarëve tanë të korruptuar se mund të nxjerrin në rrugë një milion njerëz, që të matin forcat (muskujt) me opozitën! Kjo është thirrje e hapur për përleshje civile, është alarm për dhunë, është veprim destruktiv politik. Nuk ka as minimumin e përpjekjeve serioze nga pushteti për të dialoguar, për të gjetur një rrugëdalje të mençur e të dobishme për qytetarët, për të negociuar me opozitën që vendit t’i kthehet normaliteti institucional ligjor,kushtetues e demokratik.

Këmbëngulësia për të qëndruar me çdo kusht e me çdo çmim në krye të pushtetit, nga ana e dy liderëve të inkriminuar, tashmë tërësisht të dështuar në realizimin e premtimeve të tyre elektorale, ka pasoja të rënda për Republikën. Të gjithë qytetarët e këtij vendi  duhet të ngrihen në këmbë e t’i thonë STOP kësaj babëzie pushtetore, që po e mban peng të ardhmen e vendit tonë dhe na e ka nxirë imazhin e shtetit. Në prag të përvjetorit të tetë të pavarësisë nuk ka më pikë dyshimi se PDK-ja e LDK-ja, kështu si janë duke e udhëhequr Kosovën, nuk e meritojnë asnjë sekondë më tutje të na qeverisin. Ky është moment kritik për popullin, që të mos rrijë duarkryq duke parë e duke soditur se si po rrënohet gjithçka, ekonomia, shëndetësia, arsimi, kultura, sporti etj., etj.

Presidentja Atifete Jahjaga, e cila po e kryen një mandat të plotë pesëvjeçar, që kishte filluar si disamujor falë një marrëveshjeje politike, nuk duhet ta humbasë shansin, së pakut tani, për t’i dhënë drejtimin e duhur kësaj situate. Vetëm zgjedhjet janë zgjidhja për qytetarët e Republikës së Kosovës!