Evropa pa dy gara në Formula 1

  • 26 June 2016 - 09:45
Evropa pa dy gara në Formula 1

Disa javë më parë bosi i Formula 1, Bernie Ecclestone, nuk e kishte fshehur qëndrimin e tij pro daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Tashmë që diçka e tillë është bërë realitet, 85-vjeçari nuk ngurron të thotë se cilat do të jenë pasojat në këtë sport. Nuk është e vështirë për ta kuptuar që pistat në rrezik janë Monza, që për momentin nuk ka firmosur as rinovimin e kontratës, pista e Gjermanisë Nurburgring dhe në fund ai i Kanadasë, ku duhet të kryhen disa investime të rëndësishme e që kërkojnë shumë para.

"Kalendari i edicionit të ardhshëm në Formula 1 do të humbasë një ose dy çmime të mëdha të Evropës. Nuk mund ta them me siguri se cilat pista do të përjashtohen, por ato që do të përfshihen nuk do të jenë evropiane. Formula 1 nuk është një Kampionat Evropian, por Botëror", ka thënë Ecclestone. Më shumë se me rezultatin e referendumit në Mbretërinë e Bashkuar, reduktimi i garave për edicionin e ardhshëm lidhet më faktin se Formula 1 është gjithë e më shumë e uritur për para. Por, Formula 1 nuk është i vetmi sport që do të ketë pasoja nga largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Futbolli padyshim që do të ketë shumë pasoja, ku lojtarët nga Britania e Madhe do të konsiderohet si ekstra-komunitarë, derisa ata që luajnë në Angli nga vendet tjera duhet të marrin leje të punës.

(Kosova Sot)