Nga Kombëtarja vëmendja kthehet te klubet shqiptare

  • 27 June 2016 - 16:31
Nga Kombëtarja vëmendja kthehet te klubet shqiptare

Natyrisht që emocionet nuk mund të krahasohen me ato të Kombëtares, e natyrisht edhe interesi i publikut duke qenë se jemi në ditët e Europianit, por skena e futbollit shqiptar, tani iu përket atyre, skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane. Fillon me Partizanin, Kukësin e Teutën, në raundin e parë të Europa League, duke shpresuar që vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv t’i hapë dritën jeshile dhe Skënderbeut për turin e dytë paraeliminator në Champions. Këtë të martë të kuqtë shpresojnë që në Elbasan Arena t’i bëjnë një nisje të mirë aventurës europiane, ndryshe nga një vit më parë me Stromsgodet. Me ndryshime të rëndësishme në formacion, pa Filipen, Fazlliun, e Bicajn dhe Sukajn jashtë formë natyrisht që nuk do të jetë e lehtë përballë një skuadre cilësore si Slovan Bratisilava, por gjithsesi futbolli është i bukur sepse jo gjithmonë është i parashikuar.

Dy ditë pas Partizanit në Elbasan Arena do të zbresë Kukësi që përballet me malazezët e Rudar Plejljas, verilindorët ishin më të favorizuarit nga skuadrat shqiptare në short, kanë akumuluar më tepër eksperiencë këto vitet e fundit në Europa League, vijnë në këtë përballje pasi kanë siguruar tropeun e parë të erës Gjici, Kupën e Shqipërisë dhe pavarësisht ndryshimit në stol ku nuk është më Klodian Duro, por Hasan Lika, me një përforcim si Gentian Muca në mbrojtje mbeten skuadra më e kuotuar për të kaluar turin e parë. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm në dritaren europiane është dhe Teuta, skuadra bregdetare gjen përballë një kundërshtar të vështirë si Kayrat Almati me emra sugjesionues në formacion si Arshavin apo Tymoschuk, por gjithsesi bregdetarët me Julian Ahmatajn në stol do të bëjnë të tyret.

Shpresat për një përfaqësim dinjitoz varen natyrisht dhe te Skënderbeu. Skuadra që sezonin e kaluar bëri historinë duke avancuar në grupet e Europa League ka marrë në drejtim Agostinellin e po bën merkato të bujshme, por përpara se të zbresë në fushë përballë Ferencvarosh, i duhet të presë vendimin e KAS, natyrisht duke kryqëzuar gishtat në një verdikt pozitiv që do t’i hapte përfundimisht kampionëve të Shqipërisë dyert e përfaqësimit në kompeticionin kontinental.

(Kosova Sot)