Këshilla të rëndësishme për lëkurë të shëndoshë gjatë gjithë verës

  • 31 May 2016 - 09:59
Këshilla të rëndësishme për lëkurë të shëndoshë gjatë gjithë verës

Ndonëse gjatë stinës së nxehtë të verës njerëzit në përgjithësi bëhen më dembelë, duke u argëtuar më shumë sesa duke pushuar, është e rëndësishme që këtë qasje të mos e bartim edhe në rutinën për kujdes ndaj lëkurës. Nëse dëshironi që të keni lëkurë të shëndoshë gjatë kësaj vere, ndiqni këshillat që ua kemi sjellë më poshtë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

1. Aplikoni krem për mbrojtje nga dielli, pa toksikë

Njëra nga gjërat më të rëndësishme në rutinën e kujdesit për lëkurën gjatë stinës më të nxehtë të vitit është aplikimi i vazhdueshëm i kremit për mbrojtje nga rrezet e diellit. Kjo gjë vlen edhe për ditët kur dielli nuk duket aq i fuqishëm, pasi kontakti i drejtpërdrejtë i lëkurës me të nxehtët e diellit mund të shkaktojë dëme të mëdha, shpeshherë edhe të pariparueshme, për lëkurën.

2. Shmangni rrezitjen artificiale

Ndonëse lëkura e rrezitur duket më joshëse dhe kësisoj shumica e femrave kanë tendencë që ta arrijnë një lëkurë të tillë, është e rëndësishme që gjithmonë të zgjidhen rrugët natyrale. Kjo pasi shtretërit për rrezitje artificiale ndërlidhen me kancerin e lëkurës.

3. Eliminoni qelizat e vdekura të lëkurës çdo javë

Qelizat e vdekura të lëkurës shpërfaqen në sipërfaqe të saj, duke mbuluar shkëlqimin veror të lëkurës. Nëpërmjet largimit të qelizave të vdekura ju i hapni rrugë rigjenerimit të qelizave të reja dhe kësisoj e shtyni edhe procesin e plakjes, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

4. Aplikimi i zbutësit

Gjatë verës lëkura juaj mund të mos duket e tharë, andaj edhe mund të krijohet tendenca që ta shmangni përdorimin e zbutësit, mirëpo kjo në asnjë mënyrë nuk mund të jetë shprehi e një femre që kujdeset për lëkurën e vet. Andaj, e tëra që duhet të bëni gjatë verës është ta vazhdoni rutinën e aplikimit të zbutësit të lëkurës.

5. Flini mjaftueshëm

Mungesa e gjumit mund të çojë në rritjen e nivelit të hormoneve të stresit, gjë që më pastaj ndikon në ngadalësimin e prodhimit të kolagjenit në lëkurë. Kur lëkura jonë ndalon së prodhuari kolagjen, ajo e humbet edhe elasticitetin dhe fillon të duket e lodhur dhe e lëshuar.

6. Pini shumë ujë

Uji është shumë i rëndësishëm për funksionimin e mirëfilltë të organizmit dhe si i tillë ndikon shumë edhe në mirëqenien e lëkurës. Andaj, doktorët në përgjithësi dhe dermatologët në veçanti vazhdimisht rekomandojnë konsumimin sa më të madh të ujit, sidomos gjatë verës, kur i humbasim lëngjet me djersitje. 

(Kosova Sot)