Këshilla për aplikimin e kremit për mbrojtje nga rrezet e diellit

  • 01 July 2016 - 08:24
Këshilla për aplikimin e kremit për mbrojtje nga rrezet e diellit

Siç keni dëgjuar edhe më herët, aplikimi i kremit për mbrojtje nga rrezet e diellit është shumë i rëndësishëm për të gjitha stinët e vitit, sidomos gjatë verës, kur rrezet e diellit janë më të forta. Megjithatë, një numër i madh femrash bëjnë gabime të ndryshme gjatë aplikimit të kremit për mbrojtje, gabime këto që duhet shmangur doemos, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

1. Mos e harroni asnjë pjesë të lëkurës

Shumica e femrave mundohen që ta mbulojnë fytyrën, duart dhe këmbët, mirëpo e vërteta është që kjo nuk është e mjaftueshme. Kanceri i lëkurës është i zakonshëm në pjesën e veshëve dhe madje edhe në pjesën mes gishtërinjve të këmbëve, pasi që këto pjesë zakonisht shmangen gjatë aplikimit të kremit për mbrojtje nga rrezet e diellit.

2. Edhe femrat me lëkurë të errët kanë nevojë për krem mbrojtës

Femrat me ngjyrë të errët të lëkurës kanë më shumë përbërës natyralë për mbrojtje nga rrezet e diellit, mirëpo nuk mjafton për t’i shmangur shenjat e plakjes dhe kancerit të lëkurës. Pra, ndonëse lëkura juaj mund të mos digjet aq shumë, nëse ka nuancë më të errët, ajo vazhdon të jetë e rrezikuar nga rrezet ultravioletë.

3. Mos prisni shumë për ta aplikuar

Shumica e ekspertëve rekomandojnë që kremi për mbrojtje nga rrezet e diellit të aplikohet rreth 30 minuta para se të dilni nga shtëpia. Megjithatë, shumica e femrave e aplikojnë kremin për mbrojtje nga dielli pasi që të dalin në rrezet e diellit.

Image

 

4. Kremi duhet aplikuar disa herë brenda ditës

Shumë femra do të dëshironin që të zbulohej kremi që do të qëndronte 24 orë, mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Shumica e produkteve kërkojnë aplikim të vazhdueshëm, çdo dy orë, për sa kohë të jeni jashtë. Kjo pasi që kur të kalojnë dy orë, produkti nuk është më aq efektiv, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

5. Aplikoni sasi të mjaftueshme të kremit

Ndonëse edhe një shtresë e hollë e kremit për mbrojtje është më mirë se hiç, është e rëndësishme që të aplikoni sasi të mjaftueshme të kremit për rrezitje. Kjo pasi që lëkura juaj duhet të ‘ngopet’ me krem në mënyrë që kremi ta ketë efektin e dëshiruar.

6. Jo të gjitha produktet funksionojnë njëjtë

Kremi i lëngët për mbrojtje nga rrezet e diellit është basti më i mirë për mbrojtje nga rrezet e diellit, mirëpo spreji është shumë më i përshtatshëm. Megjithatë, pa marrë parasysh produktin që zgjidhni, është e rëndësishme ta ndiqni udhëzuesin për aplikimin e tij. Kjo pasi që jo të gjitha produktet funksionojnë njëjtë. 

(Kosova Sot)