Në Zarë mundësohet mësimi shqip edhe në nivel gjimnazi

  • 01 July 2016 - 09:51
Në Zarë mundësohet mësimi shqip edhe në nivel gjimnazi

Pas një angazhimi të përkushtuar për mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave tetëvjeçare në Zarë, që tashmë dy vjet funksionon në Sh. F. “Kruno Krstiq” në Arbnesh të Zarës, nën drejtimin e Vesel Lekaj.

Ky i fundit, ka arritur të zgjerojë këtë program mësimi për nxënësit shqiptarë të Zarës edhe në nivel të shkollave të mesme, duke kërkuar miratimin edhe nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kroacisë, krahas pëlqimit të gjimnazit “Vlladimir Nazor” në Zarë.

Kërkesa që i është drejtuar Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kroacisë, për mësimin plotësues “Modeli C”, më në fund është miratuar pozitivisht dhe mundësohet mësimi plotësues edhe për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Zarë.

Në shkresën-përgjigjen që ka arritur në adresë të Shkollës “Vlladimir Nazor” dhe të Vesel Lekaj, nënshkruar nga zv/ministri i arsimit të Republikës së Kroacisë shkruan:

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Sportit, ka marrë mendim profesional nga Agjencioni për Arsim dhe Edukim me numër protokolli: “KLASA: 602-01/15-01/0132; UBROJ:561-06/20-15-03, datë 10 qershor 2016”, për kurikulën për lëndën gjuha dhe kultura shqipe, sipas “Modelit C” për shkollat e mesme në Republikën e Kroacisë.

Agjencioni për Arsim dhe Edukim ka dhënë mendim pozitiv për kurikulën e lëndës gjuha dhe kultura shqipe sipas “Modelit C” për shkollat e mesme, që nënkupton që sipas kurikulës së përmendur, nga viti shkollor 2016/2017, mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës (Modeli C) mundë të mbahet- zhvillohet për nxënësit e interesuar pranë shkollës tuaj “Vlladimir Nazor”.

Në kuadër të këtij plan-programi, të miratuar nga Ministria e Arsimit të R. së Kroacisë, sipas Standardeve Shtetërore Pedagogjike të edukimit dhe arsimimit, sipas Gazetës Zyrtare (Narodne Novine 63/2008, cl.43, stav 3, alinea 3), shkruan kultplus, nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme do të njihen krahas lëndëve tjera të përgjithshme shkollore, edhe me lëndët: gjuhë e letërsi amtare-shqipe, histori, gjeografi, art figurativ dhe artin muzikor.

Pa dyshim se meritë për këtë kanë në rend të parë vetë shqiptarët, që jetojnë në Zarë, të mbështetur nga Bashkësia e Shqiptarëve në Zarë, ligjet pozitive dhe vetë pozita e shqiptarëve jo vetëm në Zarë, por në tërë Kroacinë dhe angazhimi permanent, vetëmohues dhe i përkushtuar i Vesel Lekaj.

(Kosova Sot)