Pendohet për operacionet plastike, ia shkatërruan fytyrën

  • 24 July 2016 - 08:47
Pendohet për operacionet plastike, ia shkatërruan fytyrën

Edhe pse bukuroshe Britt Ekland kurrë nuk ka qenë e kënaqur me dukjen e saj.

Britt Ekland, e njohur për rolin në filmin me agjentin 007, ka folur për pendimin në lidhje me operacionet plastike dhe faktin se si shefat e Hollivudit e kanë shtyrë që t'i limojë dhëmbët,raporton Gazeta Kosova Sot 

Britt u bë e njohur në vitin 1974 si njëra nga vajzat e Bondit në filmin 'The Man With The Golden Gun' me Roger Moore-in në rolin kryesor, ndërsa shpejt u bë njëra ndër femrat më të bukura në botë. Përkundër reputacionit të saj si bukuroshe e Hollivudit në vitet 1970 e 1980 Britt Ekland ka bërë të ditur se ajo kurrë nuk ka qenë e kënaqur me dukjen e saj kur ishte një femër e re. Në emisionin e të enjtes së 'Loose Women', aktorja 73-vjeçare ka thënë se ishte shumë e prekur nga ana e imazhit të saj kur ishte vajzë e re dhe se e kishte ndryshuar atë kur e kishte nënshkruar kontratën e parë për film. Duke e diskutuar statusin e saj të bukuroshes me Andrea McLane, Sherry Houston dhe Jane Moore, Britt ka bërë të ditur se ka pasur vështirësi në rininë e saj që të pranohet statusi i saj si bukuroshe e ekranit të madh. Kur është pyetur se mund ta shohë se sa e bukur ka qenë në rini, ajo tha: "Mund t'i shoh fotografitë e mia në internet, dhe sa e bukur kam qenë, por në atë kohë nuk e kam parë këtë".

Deformimet e trupit Ajo gjithashtu ka sqaruar se problemet me deformim të trupit kanë qenë pasojë e peshës së saj të tepërt në fëmijëri. "Kam qenë një vajzë e vogël dhe e trashë. Kam qenë e trashë deri në moshën 15-vjeçare. Gjithmonë kam qenë e pasigurt dhe kurrë nuk kam qenë e kënaqur me dukjen time", ka shtuar ajo. Ajo ka bërë të ditur se gjatë viteve të formimit është ngacmuar shpesh, një gjë të cilën nuk ia dëshiron asnjë fëmije tani. "Kur isha në shkollë më theksoheshin veshët dhe dhëmbët, i kam limuar ata në Hollivud, por të tjerët më quanin elegant. Por, duke e ditur atë që e di tani, dëshiroj t'u them prindërve që të mos i lejojnë fëmijët e tyre që të trashen në moshën 13-vjeçare, pasi që është një fazë e rëndësishme në jetën e një fëmije". Edhe kur i zgjodh nga studioja '20th Century Fox' për një kontratë, Britt që tashmë kishte arritur një lloj vetëbesimi për dukjen e saj, nuk u ndihmua nga fakti kur i thanë që t'i limojë dhëmbët e saj. E pyetur nga Andrea për ndërhyrjen kozmetike, nëse nuk ishte e kënaqur me dukjen në atë kohë, Britt tha se vendimi nuk ishte ndikuar nga pasiguritë e saj por nga ana e studios. "Ishte studioja", ka sqaruar aktorja suedeze. "Isha nën kontratë me 20th Century Fox dhe sapo e mora kontratën ata m'i limuan dhëmbët dhe ma ndryshuan emrin", ka shtuar ajo. Ajo ka thënë se është penduar për ndërhyrjet kozmetike më vonë në jetën e saj, kur ishte në mesin e viteve të pesëdhjeta. 

"Mjeku bëri eksperiment në mua" E pyetur nëse ende varej nga trajtimet kozmetike, Britt ka deklaruar se ajo nuk beson më në trajtime ose procedura, dhe se nuk e ka provuar madje as botoksin. Ajo ka zbuluar se neveria e saj ndaj trajtimeve kozmetike rrjedh nga një periudhë shumë traumatike në jetën e saj, që ishte shkaktuar nga një procedurë e dështuar në buzën e saj të epërme. Duke folur haptas për efektin e procedurës, Britt ka sqaruar: "Kam bërë një gjë të tmerrshme, ata futën shumë gjëra në buzën time, por mua mu desh që të jetoj me lajmet nëpër gazeta që publikonin dhe fotografi të tmerrshme të miat. Ajo që ata nuk e kuptonin ishte se mjeku që e bëri atë më kishte shfrytëzuar si një eksperiment, ndërsa ai ma ka shkatërruar fytyrën". Për traumën e mëvonshme aktorja ka thënë se për një kohë të gjatë nuk ka mundur të paraqitet në filma dhe TV. Duke folur për industrinë e sotme të argë- timit, ajo ka fajësuar shefat e studiove dhe televizioneve amerikane për shkak se i detyrojnë aktoret të përshtaten. "Të gjitha femrat në TV janë kopje të njëra-tjetrës", ka thënë ylli. "Të gjitha duken bukur dhe kanë trupa të mirë, nuk ka më individualitet", ka shtuar ajo. Por, kur ka folur për depërtimin e saj me rolin e një vajze të bukur me agjentin Bond, Britt ka zbuluar se nuk pendohet që e ka luajtur këtë rol politikisht jo korrekt. "Po, ne kemi qenë politikisht shumë jokorrekte. Tani ato dëshirojnë që të quhen gra të Bondit, dhe kjo është një gjë e mirë. Më pëlqen fakti që e kam luajtur atë rol. Gjithmonë do të jem një vajzë e Bond-it", ka thënë ajo në lidhje me krahasimin e grave të forta të Bond-it që shihen në filma tani me rolin e saj.

(Kosova Sot)