"Dodona", gati për premierën "Portreti i pakryer" i Elmaze Nurës - Kulturë - Kosova Sot
"Dodona", gati për premierën "Portreti i pakryer" i Elmaze Nurës

"Dodona", gati për premierën "Portreti i pakryer" i Elmaze Nurës

Regjisorja Elmaze Nura do të sjellë për publikun kryeqytetas shfaqjen e radhës, "Portreti i pakryer"me tekst të Besim Raxhajt. Monodrama do të jepet premierë më 20 dhjetor në Teatrin "Dodona". Ndërsa do të aktrojë Aurita Agushi. Monodrama "Portreti i pakryer", që është pjesë e një trilogjie me titullin e përbashkët "Vorbulla", të botuar më 2011, sjell rrëfimin e Norës, e cila përjeton në mënyrën më të dhimbshme fundin e një dashurie për të cilën kishe luftuar me vite. Në fakt, monodrama, siç thotë edhe vetë Nura, prek thelbin e çështjes njerë- zore, thelbin e relacioneve ekonomike, sociale, familjare e emocionale.

KAPACITETI AKTORESK

Duke folur në një konferencë për medie për shfaqjen, regjisorja Elmaze Nura ka thënë se "Portreti i pakryer" është një projekt që prek thelbin e çështjes njerë- zore, thelbin e relacioneve ekonomike, sociale, familjare e emocionale. "Si dramë në vete më ka dhënë shumë material. E kam trajtuar në një formë që duket ndoshta pak më ndryshe sesa dy realizimet e tjera. Kam insistuar deri në fund që të jetë në vizionin tim, nuk largohet nga koncepti im regjisorial i shfaqjeve të tjera", ka thënë Nura, duke shtuar se pasi monodrama është një zhanër i vështirë teatror dhe te aktori që i besohet roli duhet të ketë kapacitet jo vetëm aktoresk, por edhe intelektual në formën si mund ta lexojë e ta interpretojë dramën.

FUSHËBETEJA E VËSHTIRË

Autori i dramës Besimi Rexhaj, që është edhe producent, ka thënë para gazetarëve se pavarësisht se kishte oferta që këtë shfaqje ta realizonin në ndonjë teatër tjetër vendosën për "Dodonë", pasi, siç ka thënë ai, ky teatër është më i ngrohtë, me kushte shumë të mira për shfaqje të tilla. "Është teatër kamertal me një ambient shumë të mirë, ku krijohet mundësia të realizohet tipi i monodramës. Monodramat kanë diçka intime dhe këtë intimitet e ofron Teatri "Dodona"", ka thënë Rexhaj, duke kujtuar edhe realizimin dy pjesëve të tjera të trilogjisë "Vorbulla". Kurse aktorja Aurita Agushi është shprehur se kjo është monodrama e parë që ajo ka marrë mbi supe ta luajë, duke shtuar se është një prej fushëbetejave më të vështira. 

(Kosova Sot)

1 orë e 37 minuta më parë
22/06/18