Roli i kujtesës dhe i reminishencës në krijimtarinë artistike - Kulturë - Kosova Sot
Roli i kujtesës dhe i reminishencës në krijimtarinë artistike

Roli i kujtesës dhe i reminishencës në krijimtarinë artistike

VEPRA ARTISTIKE ËSHTË SHPREHJE E INTUITËS DHE E BOTËS SHPIRTËRORE

Pa përjetim rrënjësor të ideve dhe të imazheve, asnjëherë nuk do të krijohet vepra artistike me kreativitet

SHKRUAN: MR. BISLIM ALIU

Gjithsesi, krijimtaria artistike e çdo krijuesi çmohet, por edhe matet, realisht me përkushtimin dhe me angazhimin që bënë në vijimësi artisti, në shpërfaqjen e ideve të nduarnduarta që i realizon gjatë krijimtarisë artistike. Ato tregojnë gjithherë peshën dhe ndijimin e lartë ndjesor. Tregojnë, pra, vazhdimisht edhe ndjeshmërinë, por edhe idejshmërinë e kreativitetit të lartë sensitiv në realizimin e imazheve dhe të ideve të larta shprehimore në kreativitetin artistik. Gjithsesi, në këtë shpërfaqje të kreativitetit, përherë në memoriet tona, koha e fëmijërisë lë gjurmë të pashlyera dhe asnjëherë ajo nuk harrohet. Ajo, do të kujtohet gjithnjë, gjatë gjithë jetës. Dhe, përherë do të ngulitet në kokë si një mbamendje e gjatë. Andaj, si të gjithë njerëzit, ashtu edhe artistët që nga fëmijëria, por edhe gjatë gjithë jetës "thithin" mbresa dhe kujtime nga mjedisi ku kanë jetuar e vepruar, ku jetojnë dhe, gjithsesi, ngjarjet më të rëndësishme do të ruhen gjatë në kujtesën e krijuesit. Këtë mbamendje, krijuesi përherë e kujton. Dhe, këtë shpirtërore, krijuesi jo vetëm që e kujton, por me një krenari të theksuar edhe e tregon. Rrjedhimisht, këto kujtime, të ravijëzuara nga fëmijëria, do të ruhen si një bazament i fortë në krijimtari. Ky bazament kreativ nuk qëndron në nivel të lartë te të gjithë krijuesit. Zaten, ata që përjetuan më dendur këtë kujtesë fëmijërore në krijimtarinë artistike, do të jetë më bindës kreativiteti i tij, dhe, kuptohet, më shpërfaqës. Dhe, sigurisht, kjo veçanti e lartë kreative dhe drithëruese do të ndikojë shumë në krijimtarinë e tij të mëvonshme artistike. Pra, do të mbetet si bazament i fortë në shpirtëroren e krijuesit si shprehje e lartësuar në krijimtarinë e tij artistike.

QARTËSIMI I IMAZHEVE NË KRIJIMTARI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI

S'do mend se kujtesa dhe reminishenca s fëmijërisë, në krijimtarinë artistike, gjithsesi luan rol të madh. Ndaj, shumë artist, mu për këtë kreativitet kujtesor, mbetën figura madhore në krijimtari. Kjo reminishencë e larë rrëfimtare dhe fare ndiesore, mbase, ka luajtur rol parësor te shumë krijues botëror, por njëkohësisht, edhe te disa krijues tanë artistikë. Andaj, roli i saj në krijimtari, mbeti përherë shpërfaqje e denjë kreative të një rrëfimi të lartë sensitive, ndiesore dhe fare përmbajtësore. Kjo dukuri e kujtesës së hershme në krijimtarinë artistike, sigurisht u bë bazament i fortë për shumë krijues dhe artist të ndryshëm që merren me krijimtarinë artistike. Kjo kujtesë, sigurisht, vërehet bukur mirë në librin "Jeta në letërsi", e shkrimtarit Dritëro Agolli, ku tregohet roli i madh i kujtesës fëmijërore. Dhe, mu për këtë shkrimtari thotë; "Sa më e pasur të jetë biografia e poetit me ngjarje, me mendime, me gëzime dhe hidhërime, me shqetësime shpirtërore dhe trazira, shkruan ai, aq më i fuqishëm bëhet krijimtaria e tij. Andaj, këtu ka rëndësi fëmijëria dhe rinia. Kur fëmijëria dhe rinia janë të begata me jetë dhe të mbushura me vështirësi, atij që i bie fati të bëhet poet, e ka poezinë me diapazon të gjerë, me brumë të ardhur, me stof të fortë. Unë kam pasur një fëmijëri dhe rini të pasur". Me siguri, këto mbresa nga fëmijëria nguliten fort në shpirtëroren e krijuesit. Ky shqetësim në fillim është i padukshëm, i errët, por më vonë përfytyrimi qartësohet në veprën artistike, sigurisht duke analizuar dhe duke shpërfaqur më denjësisht imazhet dhe idetë e nduarnduarta. Andaj, s'do mend se qartësimi i ideve dhe i imazheve, duhet domosdoshmërisht të qartësohen, për të pasur një rrjedhë të kuptuar dhe të qartësuar mirë duke shtjelluar rrjedhshëm me një shpërfaqje të kuptueshme.

ROLI I PËRFYTYRIMEVE NË KRIJIMTARINË ARTISTIKE

Dihet mirëfilli se këto reminishenca dhe imazhe të hershme te shumë krijues kanë luajtur rol vendimtar në krijimtarinë artistike. Zaten, këto frymëzime të larta emocionale bukur i vë në dukje edhe regjisori i madh Pirro Mani, kur flet për punën e dramës në vitet e para pas çlirimit; " m'u kujtuan shumë skena dhe tregime që kisha dëgjuar apo më kishin treguar… Filluan të lidhen me vizionin tim të brendshëm, vala e emocioneve të jetës me ato të veprës" Gjithsesi këto mendime dhe këto momente të kohës fëmijërore te disa krijues përherë mbetën bazament i fortë, por njëherësh edhe pikënisje në krijimin e imazheve në veprën artistike. Kjo vërehet bukur mirë edhe te piktori Abdurrahim Buza, ku pikënisjet fëmijërore i kanë imazhet e shumta në krijimtarinë e tij. Këto imazhe të kujtesës fëmijërore e detyruan piktorin Buza, që të krijojë një tablo "Refugjatët" (1957), e cila tregon mbamendjen e lartë të kujtesës fëmijërore. Kjo tablo më së miri e tregon jetën e vështirë të refugjatit të cilën e përjetoi edhe vetë piktori Buza. Kujtim Buza, i biri i piktorit Buza, në librin e tij për A. Buzën thotë; "Kishte kohë që kërkonte të realizonte një tablo për refugjatët. Këtë dramë e kishte parë dhe ndjesë mbi veten dhe familjen e tij qysh kur ishte i vogël". Mbase, kjo e dhënë venerohet dendur edhe në krijimtarinë e G. Madhit kur bëhet paraqitja e heronjve që kishte dëgjuar piktori kur ishte i vogël; për heronjtë, kaçakët dhe për shumë trima të tjerë. Këto imazhe dhe kjo ndjenjë për të treguar përfytyrimet fëmijërore në krijimtarinë artistike, janë ballafaquar edhe disa krijues, e sidomos; Tahir Emra, Muslim Mulliqi, Gjelosh Gjokaj, Xhevdet Xhafa , Adem Kastrati, Masar Caka e ndonjë tjetër. Dhe mu këto imazhe të kujtesës dhe të përfytyrimit, i bënë tejet shpërfaqës në krijimtarinë e tyre artistike. Ata, këtë bredhëritje fëmijërore, e treguan dendur në kreativitetin e tyre të lartë. Ky përjetim fëmijëror dhe kjo reminishencë e zgjuar, s'do mend, kërkon angazhim maksimal në rrëfimin artistik dhe fare përmbajtësor. Kjo, sigurisht, do të varet shumë nga gjendja emocionale, shpirtërore dhe mendore e krijuesit. Gjithsesi, vepra artistike është shprehje e intuitës dhe e botës shpirtërore të mendimeve dhe e ndjenjave kreative të krijuesit. Ky kreativitet sensitive e i rezonuar do të shtjellohet nëse përjetohet me idealizmin dhe me sensitivin më të lartë përmbajtësor. Pa mëdyshje, ky emocionalitet ka rëndësi kruciale në krijimtari. Ndaj, pa përjetim rrënjësor të ideve dhe të imazheve, asnjëherë nuk do të krijohet vepra artistike me kreativitet dhe shpërfaqje të lartë përmbajtësore. Ato, sigurisht dhe gjithmonë e kanë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e të shprehurit dhe, domosdo, pa këtë mendësi idealizuese të të shprehurit, vepra artistike do të jetë e mangët, e thatë, anemike dhe nuk do ta këtë rrjedhën e shpërfaqjes sensitive, kreative, ndiesore dhe përmbajtësore.

(Kosova Sot)

16 orë e 19 minuta më parë
26/05/18