Dramat e para në Indi, 200 vjet para erës sonë - Kulturë - Kosova Sot
Dramat e para në Indi, 200 vjet para erës sonë

Dramat e para në Indi, 200 vjet para erës sonë

KULTURA JASHTË GREQISË ANTIKE

Në Indi, shoqëria ishte me gjuhë mitologjike dhe religjioze

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Tekstet e hershme indiane ishin të formësuara në trajtë drame, me elementët e vet lokalë e universalë. Sot në teatrologjinë bashkëkohore, dramatizohet gjithçka, ndërsa rregullat e dramatizimit në Greqinë antike e Indinë e asaj kohe, ishin mjaft strikte dhe ishin me ndikime të kuptueshme lokalekulturore

Njerëzimit i përket edhe Orienti, edhe Oksidenti, edhe shtatë kontinentet e botës. Në fushën e teatrit, zakonisht, faqet e para, i kemi mësuar për teatrin antik grek. Duke qenë se përkthimet e librave të Azisë e në përgjithësi, të Lindjes së Largët, kanë qenë të mangëta, të paqarkullueshme, e kanë vështirësuar njohjen e teatrit, filmit, pikturës, skulpturës etj., nga vendet si India e vendet përreth saj. Gjatë leximeve tona, na ka bërë përshtypje shumë një libër "Historia e teatrit", e përpiluar nga Gjon Rasell Broun nga "Oxford University Press", përkthyer nga E. Jusufaj, M. Shaqiri, G. Bushati, me botimin shqip nga Tirana Times, 2012. Duke lexuar këtë libër, lexuesi e kupton zhvillimin e teatrit në çdo kontinent, popull e kulturë të botës, duke ia hequr nga mendja egocentrizmin uesternocentrist dhe eurocentrist, për të menduar njëdimensionalisht se gjithçka ka filluar vetëm në Greqinë e Romën e vjetër. Perëndimi ndonëse në fazat e saj ka pasur paragjykimet e thella, qoftë nga mosnjohja, largësia, problemet gjuhësore të Lindjes së Largët, me kalimin e kohës, ka arritur jashtëzakonisht mirë ta njoh edhe Azinë, duke hapur katedra akademike, duke botuar qindra libra, duke hulumtuar arkeologjikisht shumë rrënjë civilizimesh të lashta, qoftë edhe në Indi. Prandaj, kjo kolumne është përpjekje për të nxitur njohjen e teatrit në Indinë e hershme, për të pasur një pasqyrë më të plotë mbi rrjedhat teatrore edhe në Lindjen e Largët, si dhe po ashtu, t'i kushtojmë rëndësinë librave të rinj e shumë seriozë, në fusha aq të rralla, si historia e teatrit. Po ashtu, secilit profesor, student e të pasionuar për teatrin, ia sugjeroj leximin e tij, se përnjëmend rrallë po shkruhet sot për librat dhe rrallë po ka nxitje leximesh të librave me aq peshë e rëndësi. Fatmirësisht, në Shqipëri po përkthehen shumë më shumë libra në gjuhën shqipe, sesa në Kosovë, dhe një prej tyre, është edhe ky për historinë e teatrit në botë.

HISTORIA E TEATRIT DHE E DRAMËS NË INDI

Arsyeja pse e zgjodhëm vetëm Indinë në këtë kolumne, është fakti që do ta citojmë më poshtë, se si për Azinë Jugore, India ishte kryeqendër, pa përjashtuar edhe vendet e tjera. "Historia e teatrit dhe dramës në Azinë Jugore fillon dhe si epiqendër ka kryesisht Indinë, edhe pse traditat e gjalla të shfaqjeve gjenden edhe në Pakistan, Bangladesh, Nepal dhe Sri Lanka, pa përmendur mbretëritë e vogla të Butanit dhe Sikimit. Ndërkohë India është vendi me numrin e madh të popullsisë, rreth një miliardë, me shumëllojshmërinë e varieteteve të ndryshme kulturore, ku lulëzuan plotë- sisht traditat klasike të tempujve dhe traditat oborrtare, spektri i gjerë i gjinive fshatare, zbulimet moderne dhe ato bashkëkohore."(Kapitulli i shkruar nga Farlei Riçhmond, në librin "Historia e teatrit", f. 447) Sikur që historia e dramës dhe teatrit antik grek që bëhej për nder të perëndisë Dionis, ashtu edhe në Indi, shoqëria ishte tejet me gjuhë mitologjike dhe religjioze. "Origjina mitike e teatrit dhe dramës ka karakteristika të ngjashme me kapitullin e parë të Natiasastrës, teksti më i vjetër në botë i dramaturgjisë, tekst i cili është merite e të mençurit Bharata. Sipas historisë, kur bota ishte plot me kënaqësi ndjenjash, dëshirë dhe lakmi, xhelozi dhe zemërim, Indra, zoti i luftës, i kërkoi Brahmës, krijuesit, të zbulonte një formë zbavitjeje të përshtatshme, që të kuptohej nga klasa shoqërore hierarkike hindu - nga priftërinjtë dhe luftëtarët, ashtu si edhe tregtarët dhe fshatarët. Brahma ra në gjendje meditimi të thellë dhe mblodhi së bashku recitimin, këngën, veprimin dhe formën estetike nga katër Vedat, që janë librat më të shenjtë të hinduve, dhe hartoi tekstin e pestë të shenjtë, Nalisounatiasastra…" (po aty, f.447) Ka shumë pikëpyetje se si gati se në të njëjtën kohë, 500 vjet para erës sonë në Greqinë antike e 200 para erës sonë në Indi, kemi edhe teatrin e dramat e para, ndonëse vallëzime të çuditshme me maska, lojëra e festime me lloje të arteve të përziera, njerëzimi i filloi shumë më herët se antikiteti i hershëm. "Natiasastra është teksti më i hershëm dhe më i rëndësishëm për sa iu përket arteve të interpretimit në Indi, por data e krijimit të tij është e supozuar në kushtet më të favorshme. Ndoshta ka dalë në dritë diku mes 200 p.e.s dhe 200 e.s… Dramat më të hershme që mbijetuan nga shekulli i parë dhe i dytë pas Krishtit janë veprat e Asvagosës, një dramaturg indian i veriut. Ato janë shkruar në gjuhën klasike të sanskritishtes, të cilat tregojnë se shkrimi i dramës u zhvillua tërësisht në këtë kohë, mbi bazë të rregullave që tashmë ishin vendosur nga Natiasastra, duke sugjeruar kështu se origjina e teatrit dhe dramës ka ndodhur kohë më parë në histori." (po aty, f.449) Tekstet e hershme indiane, ishin të formësuara në trajtë drame, me elementët e vetë lokalë e universalë. Sot në teatrologjinë bashkëkohore, dramatizohet gjithçka, ndërsa rregullat e dramatizimit në Greqinë antike e Indinë e asaj kohe, ishin mjaft strikte dhe ishin me ndikime të kuptueshme lokale-kulturore. Por pse studiuesit i konsiderojnë tekstet e vjetra indiane si tekste-dramë? Le të marrim përgjigjen e autorit të njëjtë: "Nga komentet e Patanjalit në Mahabbasia, tekst gramatikor i vitit 140 para Krishtit, ne dimë, se të gjithë elementët e formimit të dramës ishin të pranishme që në këtë kohë: pantonima, ilustrimi grafik i tregimeve dhe arti i rrë- fimit të historive. Kjo përcakton qartë origjinën e teatrit në Indi mes vitit 200 dhe 100 para Krishtit, shumë shekuj më parë se dramat e Asvagosës. Ndoshta gjatë kësaj kohe u shfaq teatri indian." (po aty)

DRAMATURGU MË I VJETËR

Një diçka tjetër që më është duk interesante ka qenë edhe krahasimi i pjesë- marrjes së grave dhe burrave në teatrot e vjetër të Greqisë dhe të Indisë. Gjersa kam shikuar e ndjekur disa dokumentarë mbi historinë e teatrit antik grek, dhe aktorët kanë vënë maska edhe për arsyen se nuk ka pasur vajza e gra aktore, aktorët meshkuj kanë vënë maska edhe për të luajtur rolin e një personazhi të gjinisë tjetër, në Indi, sikur e thotë autori, ka pasur pjesëmarrëse edhe vajza. "Sipas Natiasastrës, teatrot e lashtë patën një udhëheqës trupe (sutradhara), që konsiderohej aktori kryesor, cili kryesonte grupet e këngëtarëve, valltarëve, muzikantëve, asistentëve dhe dramaturgëve. Megjithëse duket se burrat patën qenë më të shumtë në numër, gratë spikatin në rolet femërore si dhe si këngëtare e valltare." (po aty) Autori i cituar disa herë, thotë se, si dramaturgu më i njohur që besohet se ka jetuar në Indi, në shekullin e katërt pas Krishtit, ka qenë Bhasa, ku prej 30 dramave të mbetura, Visioni i Vasavadatës, ishte më i famshmi. Më pas, e përmend një autor me emrin Sudraka, në mes të shekullit të katërt pas Krishtit, me veprën Karroca e vogël prej balte. Më pas, thotë se ishte Kalidasa, në mes të viteve 50 pas Krishtit, me veprën e tij të njohur Sakuntala. Edhe struktura e tekstit dramatik më ka tërhequr për krahasim me dramat e shkruara në Indinë e asaj kohe. Madje, edhe strukturën e dramës së mëhershme shqipe, para disa dekadash, më vinte interesant se si ndryshonin disa terme. P. sh., në një nga këto tekste dramatike shqipe, shkruhej: "Pamj' e parë", ndërsa termi tjetër ishte "Përfilim' i I, II, III…" Në vend të aktit e skenës, kishte terme të tjera. Por edhe në Indi, duket se akti ishte pjesë e kahershme e strukturës dhe tekstit dramatik. "Krijimi i dramës ndahet në dhjetë lloje të ndryshme, të cilët vareshin nga tema, metrazhi, karakteri dhe ndjenja. Pavarësisht tërësisë së madhe të zgjedhjeve që ia lejonin vetes shkrimtarët, nakata ishte më e preferuara prej tyre, me shembuj të jashtëzakonshëm që kanë mbërritur deri në ditët e sotme… Njësia bazë e dramës në sanskrisht ishte akti (anka), që konsiderohej si 'trupi' i dramës. Aktet interpretoheshin nga personazhet më të rëndësishëm dhe lidheshin në mënyrë direkte me materialin që tregonte zhvillimin e fabulës. Fabulat duhej t'i kishin pesë skena: skena e fillimit ose mbjellja e farës, apo embrionit që lidhjet me dëshirën e heroit për të arritur objektivat e tij; mbështetja përcaktuese në realizimin e dëshirës: shpresa për sukses; sigurimi i suksesit, nëse tejkalohen ndonjë nga vështirësitë dhe në fund, arritja e objektivit."(po aty, f.451) Po ashtu, ajo që e veçonte Indinë e hershme, ishte edhe mbjellja e ideve dhe teorive estetike, të cilat zënë rol të rëndësishëm në edukatën estetike. "Mes kontributeve origjinale të Indisë në botën e teatrit është teoria e saj estetike, e cila ishte e zhvilluar për dramën dhe ishte zbatuar në të gjitha degët e letërsisë dhe arteve të interpretimit. Teoria e rasës apo e ndjenjës, përpiqet të shpjegojë se si spektatori percepton eksperiencën e shfaqjes. Rasa do të thotë 'shije dhe ashtu si specialistët e haute cuisine, spektatorët shijojnë një shfaqje ashtu sikur po ushqeheshin me një vakt cilësor… Tetë ndjenjat janë erotikja, komikja, patetikja, zemërimi, heroikja, e tmerrshmja, e urryera dhe e mrekullueshmja…" (po aty)

FUND Historia e teatrit në botë tregon se sa universale mbetet teatri në historinë e njerëzimit dhe shoqërisë në përgjithësi. Nuk ka shoqëri e kulturë në botë, e cila nuk e ka kultivuar një formë a tjetër të teatrit. Teatri qëndron ndër universalet kulturore.

(Kosova Sot)

16 orë e 12 minuta më parë
20/06/18