Zbulime për gramatikat e para të shqipes që më 1700-n

  • 21 August 2018 - 13:20
Zbulime për gramatikat e para të shqipes që më 1700-n

54 germat e shkruara nga Nilo Katalani. Marija da Leçe ka hartuar një gramatikë të shqipes në Romë më 1716-n. Më 1776 shqiptari Pal Zogaj punoi gramatikën e shqipes në Kroaci Në shumë shkrime të studiuesve tanë është folur për shkrimin e pare shqip dhe për gramatikat e para të saj. Kur është fjala për shkrimet e para në këtë gjuhë përmendet formula e pagëzimit e Pal Ëngjëllit e vitit 1463, Meshari i Gjon Buzukut, shkrimet e Bardhit dhe të Bogdanit, Nilo Katalano dhe në shekullin XVIII përmendet Maria Da Leçe si hartues i fjalorit dhe i një gramatike të gjuhës shqipe. Kontributi i priftit Katalano Në asnjë rresht të punimeve të realizuara mbi këtë temë nga studiuesit e fushës si Nilo Borxhia, Mario Roku, Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqi, Rexhep Ismajli dhe disa studiues të tjerë nuk përmendet emri i Don Pal Zogajt, i cili ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe për nevojat e shkollës ku jepte mësim në Osijek për fëmijët shqiptar nga Kelmendi që shkolloheshin në këtë qytet. Në disa punime të publikuara më parë nga ana jonë kemi publikuar se Nilo Katalano, prift i ritit greko latin në Himarë ka kontribute me rëndësi për gjuhën shqipe. Sipas burimeve të dokumentuara që ruhen në Manastirin e San Nilos në Grotaferrata, ky prift ka krijuar vetë një alfabet të shqipes me 54 karaktere, ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe dhe ka hapur një shkollë me 100 nxënës shqiptarë.

Zbulimi i një gramatike në Kroaci Më vonë, Marija da Leçe, hartoi një gramatikë të gjuhës shqipe me titull "Osservazioni grammaticali della lingua Albanese", Romë 1716. Mbas kësaj date nuk flitet për ndonjë gramatikë të shqipes të hartuar nga ndonjë gjuhëtar shqiptar ose i huaj. Por studiuesi Don Frrok Zefi me shërbim për një kohë të gjatë në Kroaci, në studimet për shqiptarët dhe për traditat e tyre, ka zbuluar kontributin jashtëzakonshëm të Don Pal Zogajt për shkrimin e gjuhës shqipe. Emri i vërtetë i këtij kleriku, siç merret vesh nga arkivat e Universitetit Urbaniana të Vatikanit, shkruar me dorën e tij ishte Pal Brija, por mbasi ky ishte nga fshati Zogaj i Tropojës, ai prezantohej si Don Pal Zogaj, siç ishte zakoni për shumicën e klerikëve të asaj kohe, sidomos të atyre me kombësi italiane që në 99 për qind të rasteve, në praktikën kishtare, përdornin si mbiemër të tyre fshatin e origjinës.

 

(Kosova Sot)