Politika, unike kundër Kushtetueses

  • 25 May 2016 - 07:53
Politika, unike kundër Kushtetueses

Kërkohet përgjegjësi nga kryetarja Arta Rama

Falja e 23 hektarëve Manastirit të Deçanit 

“Çështja e pronave të manastireve në Kosovë duhet të rishikohet seriozisht, për dy arsye: E para, këto manastire kanë qenë shqiptare ortodokse dhe duhet ta studiojmë historinë tonë dhe ta shohim se këta, që janë sot në këto manastire, janë uzurpatorë dhe jo pronarë të tyre. E dyta, asnjë manastir nuk mund t’i ketë 700 hektarë tokë të ligjshme. Ky është absurdi i të gjitha absurdeve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i paprecedent dhe i ndikuar politikisht, pa asnjë bazë kushtetuese, historike e as pronësore”, tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, shkruan sot Gazeta  Kosova Sot

Pavarësisht që, sipas Ligjit dhe Kushtetutës, vendimet e “gardianit” të Kushtetutës së shtetit konsiderohen vendime të paapelueshme, veprimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me pronat rreth Manastirit të Deçanit, por edhe disa të tjera të mëhershme, kanë nxitur reagime të ashpra. Përfaqësues të partive politike, në pozitë dhe opozitë, kërkojnë anulimin e vendimit të fundit për pronat, kurse ekspertët e fushës së legjislacionit dhe analistët politikë kërkojnë edhe rishikimin e përbërjes aktuale të Gjykatës Kushtetuese. “Çështja e pronave të manastireve në Kosovë duhet të rishikohet seriozisht për dy arsye: E para, këto manastire kanë qenë shqiptare ortodokse dhe duhet ta studiojmë historinë tonë dhe ta shohim se këta, që janë sot në këto manastire, janë uzurpatorë dhe jo pronarë të tyre. E dyta, asnjë manastir nuk mund t’i ketë 700 hektarë tokë të ligjshme. Ky është absurdi i të gjitha absurdeve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i paprecedent dhe i ndikuar politikisht, pa asnjë bazë kushtetuese, historike e as pronësore. E gjithë kjo është në vazhdën e servilitetit dhe injorancës së shqiptarëve për ta falur tokën e Kosovës. Kjo është një mungesë totale e vetëdijes kombëtare dhe historike, e vetëdijes për ta mbrojtur tokën dhe pronën tonë”, tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Legalizimi i vendimit të Serbisë

Kundërshtimi dhe kërkesa për rishikimin e vendimit të papranueshëm e të kundërligjshëm, të ndikuar nga politika, vjen edhe nga lëvizja “Vetëvendosje”, subjekti politik më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës.“Është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese, si institucion i Republikës së Kosovës, të ketë pavarësi dhe të vendosë sipas Kushtetutës së Republikës sonë. Në rastin e Manastirit të Deçanit, konsiderojmë se, për fat të keq, Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar një vendim të vitit 1997, me të cilin Qeveria e atëhershme e Serbisë ia kishte dhuruar pronat e ndërmarrjeve shoqërore “Iliria” dhe “Apiko” Manastirit të Deçanit. Kjo për ne është legjitimim i pjesshëm i okupimit kriminal. Për ne, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm”, tha Adonis Tahiri nga lëvizja “Vetëvendosje”. I kundërligjshëm, i papranueshëm, madje edhe për shkak të konfliktit të interesit në procesin e votimit për vendimmarrje, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese edhe për Muharrem Nitajn, anëtar i Kryesisë dhe drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në AAK. Ai thotë se Gjykata Kushtetuese ka mbështetur një vendim të Dhomës së Posaçme, krejtësisht të kontrolluar nga UNMIK-u, të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila legjitimon një vendim të Parlamentit të Serbisë, të kohës së Milosheviqit, i cili ia ka falur Manastirit të Deçanit dhjetëra hektarë tokë shoqërore. “Ky vendim i Parlamentit të Serbisë është i kohës kur ka qenë i suspenduar Parlamenti i Kosovës dhe Kosova ka qenë nën okupim klasik të regjimit të Milosheviqit, prandaj dhe pavarësisht vendimeve të instancave gjyqësore, është i kundërligjshëm. Për më tepër, kjo tokë i është dhuruar Manastirit të Deçanit pa një ligj të posaçëm dhe në kundërshtim me procedurat”, tha Nitaj për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se vendimi i miratuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme është bërë në kohën, kur vetë Arta Rama thuhet të ketë qenë pjesë e kësaj Dhome. “Arta Rama është dashur të vetëpërjashtohej nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Ky është konflikt interesi, i cili nuk i falet Gjykatës Kushtetuese, e aq më pak kryetares së kësaj Gjykate”, u shpreh Nitaj. (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)