Ish-luftëtari i Koshares ende pa shtëpi

  • 25 May 2016 - 17:16
Ish-luftëtari i Koshares ende pa shtëpi

Familja Zymberi përballet me shumë vështirësi jetësore

Disa donatorë nuk e kanë mbajtur premtimin

“Më dhemb shpirti kur Erza dhe Blertoni më pyesin përse nuk kemi edhe ne një shtëpi sikur të tjerët. Në të shumtën e rasteve më duhet të hesht, sepse nuk kam përgjigje”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” Rifat Zymberi, veteran i luftës së UÇK-së

Më shumë se 27 familje me gjendje të rëndë sociale në Gjilan janë bërë me shtëpi të reja brenda 15 muajve të fundit. Deri në fund të këtij viti kulm mbi kokë do të sigurojnë gjithsej 35 familje. 37 familje do ta zgjidhin problemin përmes rinovimit të shtëpive, brenda tre muajve të ardhshëm, ndërkohë që 40 familjeve të tjera po u paguhet qiraja e banimit, meqë nuk kanë shtëpi të vjetra për rinovim dhe as truall për të ndërtuar shtëpi të reja. Rreth 120 familje në Gjilan, janë evidentuar si raste që kanë probleme banimi. Avdirrahim Fejzullahu nga Malisheva, është familja e fundit që u bë me shtëpi të re. Ai është mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në gëzimin e familjes së tij. Në rastin e tij, pjesë të aksionit të madh të madh të Komunës së Gjilanit “Pak nga ne, shumë për ata” u bënë bashkëvendësit dhe bashkatdhetarët e tij. Avdirrahimi, deri tani ka jetuar në kushte të mjerueshme.“Kjo është shtëpia e 27-të që njerëzit e vullnetit të mirë e ndërtuan për nevojtarët. Brenda vitit, numri i shtëpive të ndërtuara do të shkojë në 35. Këtu në Malishevë janë duke u ndërtuar edhe dy shtëpi të tjera, ndërsa në Zhegër dhe Lladovë janë duke u ndërtuar edhe gjashtë shtëpi tjera nga fondi i përbashkët i qytetarëve”, thotë Lutfi Haziri, kryetar i Komunës. Të gjitha këto shtëpi janë ndërtuar nga vullnetarët. Fondi i solidaritetit nuk është prekur ende, thotë ai, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Një shtëpi për fëmijët   

Por, ka edhe familje që janë të zhgënjyera me donatorët, sepse nuk kanë qëndruar pas premtimeve. Donatori që e ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë për Rifat Zymberin, në kuadër të aksionit “Pak nga ne, shumë për ata”, nuk e ka kryer ende obligimin dhe as që e ka filluar. Rifati nuk kishte besuar se do ta kalonte edhe një dimër pa shtëpi. Ish-luftëtari i Koshares nga Muçibaba e Gjilanit jeton në një qoshe të qytetit, pa shtëpi të veten, me tre anëtarë të familjes. Rifati përkohësisht është strehuar në një ngrehinë të vogël e të papërfunduar të vëllezërve, të cilët ende jetojnë në fshat. E ka aftësuar për përdorim me disa improvizime, të cilat mund të jenë edhe të rrezikshme për jetën e kësaj familje. Instalimi i rrymës është bërë shkel e shko. Nuk ka as tokëzim. Disa shokë të tij i kishin ndihmuar që ta rregullonte disi një dhomë, sa për të futur kokën, para dimrit të para dy viteve. Familja Zymberi përballet me shumë vështirësi e dilema jetësore. Rifati përmend plot raste kur është ndihmuar nga shokët me miell dhe gjera të tjera ushqimore. Dëshira e tij më e madhe është të ketë një shtëpi të veten. Komuna e Gjilanit e ka futur në listën e përfituesve luftëtarin e Koshares, të cilin, në liri, nuk e ndoqi fati. Megjithatë, ai nuk është penduar asnjëherë për sakrificën që ka bërë për vendin e tij, pavarësisht se jeton në këtë gjendje. 

Jetojnë me shpresë

Në komisionin komunal për strehim thonë se një kompani e Gjilanit e ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë për familjen e Rifat Zymberit, në kuadër të aksionit “Pak nga ne, shumë për ata”, që ka për qëllimin zgjidhjen e problemit të banimit për familjet me gjendje të rëndë. Rifati është bërë merak që donatori i tij po vonohet t`ia fillojë punës dhe ka frikë se mund ta zërë edhe një dimër tjetër duke pritur. Atij i dhemb shpirti për dy fëmijët e tij, Erzën e Blertonin, kur ata e pyesin përse nuk kanë një shtëpi sikur të gjithë fëmijët tjerë. Rifati është i detyruar të hesht. U jep shpresë fëmijëve se shtëpia do të fillojë të ndërtohet shumë shpejt. Shpreson që donatori do ta mbajë fjalën. E tërë familja e mban në gojë emrin e tij. Ata nuk dëshirojnë që këtë emër të kujtojnë për të keq. Përndryshe, pas luftës, në Gjilan janë ndërtuar dy qendra të banimit social, ku janë sistemuar mbi 50 familje, por ato nuk ishin të mjaftueshme për t`i zgjidhur të gjitha problemet. Dihet se mbi 1.100 familje janë të përfshira në skemën sociale, gjë që dëshmon se varfëria në vend, është shumë e madhe. Është e kuptueshme që në një shoqëri me zhvillim të ultë ekonomik, nevojat për strehim social janë të mëdha. Në këto rrethana, kur këto familje nuk mund të bëjnë asgjë për të ndryshuar këtë realitet, është e domosdoshme që shoqëria të kujdeset për t`ua siguruar të paktën nga një kulm mbi kokë. Këtë ndihmë e pret edhe familja 9 anëtarësh e Xhevdet Terstenës në Sllakoc. Shtëpia e tyre nuk e mban shiun dhe nuk pret as erën.    

(Kosova Sot)