PDK-ja ia merr anëtarësinë LDK-së në Pejë

  • 26 May 2016 - 12:26
PDK-ja ia merr anëtarësinë LDK-së në Pejë

Ky hap i partnerit të koalicionit vjen në momentin kur pritej të mbahej takimi për tejkalimin e ngërçit

Thellohet hendeku ndërmjet partnerëve të koalicionit .

"Vendimi për t'u larguar nga ky subjekt politik vjen si rezultat i shumë pakënaqësive të krijuara në vazhdimësi, si pasojë e mungesës së ideve inovative dhe hapësirës për punë në këtë degë", ka thënë në ceremoninë e aderimit Shkumbin Broqi, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Edhe pse zgjedhjet lokale janë në vitin e ardhshëm, që tani kanë filluar të intensifikohen aderimet e të rinjve në subjekte të ndryshme politike, si dhe lëvizjet e të pakënaqurve nga një subjekt politik në tjetrin. Diçka e ngjashme ndodhi dje edhe në komunën e Pejës, ku në rivalitetin për anë- tarësi janë gjendur dy partnerët e koalicionit, LDK e PDK. Kjo vjen pas luhatjeve të këtij koalicioni të ditëve të fundit dhe pas masës se kryetarit Gazmend Muhaxheri që të largojë nga ekzekutivi dy drejtorët e PDK-së, ngase ky subjekt nuk e votoi rishikimin e buxhetit për këtë vit në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal. Pikërisht kur kjo luhatje e koalicionit pritej që të debatohej nga dy kryetarët e degëve LDK-PDK, Gazmend Muhaxheri dhe Xhavit Haliti, mbrëmë pa prit dhe pa kujtuar dega e PDK-së në Pejë, e prirë nga kryetari Haliti, e ku ishte edhe vetë kreu i ri i PDK-së, Kadri Veseli, u proklamua se dy nëndegë të LDKsë, me 100 anëtarë, kaluan nga Reagimet e partive. 

Në këtë ceremoni aderuese u tha se Shkumbin Broqi dhe Shenoll Dranqolli, kryetarë të nëndegëve të LDK-së në lagjen "Rrokaqielli" dhe "Dardania", së bashku më 100 anëtarë të këtyre nëndegëve, iu bashkuan PDK-së, për shkak të pakënaqësive në subjektin paraprak. "Vendimi për t'u larguar nga ky subjekt politik vjen si rezultat i shumë pakënaqësive të krijuara në vazhdimësi, si pasojë e mungesës së ideve inovative dhe hapësirës për punë në ketë degë", ka thënë në ceremoninë e aderimit Shkumbin Broqi. Anëtarët me të rinj të PDK-së thanë se zgjodhën këtë subjekt duke pasur parasysh vlerat dhe hapësirat që i ofron PDK-ja. Në anën tjetër, në reagimin e degës se LDK-së në Pejë është thënë se lajmi për aderimin e 100 anëtarëve të saj në PDK është një trillim për të manipuluar me qytetarët e Pejës."Për hir të korrektësisë në raport me elektoratin e LDK-së dhe publikun e gjerë, ju njoftojmë se lajmi për largimin e 100 personave nga LDK-ja në Pejë nuk është aspak i vërtetë, është një trillim dhe tentim që të manipulohet me qytetarët e Pejës", thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Pejë.

Proces normal, apo blerje e anëtarësisë? Engelbert Zefaj, sekretar i degës së LDK-së në Pejë, i ka thënë gazetës "Kosova Sot" se nuk bëhet fjalë për krizë në partinë që drejton Komunën e Pejës, por, sipas tij, si duket PDK-së i janë rritur apetitet për të dalë partia e parë në Pejë. "Për këtë po përpiqet që edhe përmes joshjes së individëve dhe ndonjë premtimi pikë së pari për ndonjë mundësi punësimi po merr nga ndonjë anëtar nga ndonjë subjekt politik, sikurse ishte rasti i këtyre dy nënkryetarëve të nëndegëve tona", ka thënë Zefaj. Ndryshe, në PDK ditë më parë aderoi edhe një anëtar i 'Vetëvendosjes'.

Ndërsa, Muhamet Haliti, nënkryetar i degës së PDK-së në Pejë, e sheh këtë lëvizje të anëtarë- sisë nga një subjekt në tjetrin si një proces normal. "Kur dikush në një subjekt politik nuk e gjen veten, ose mendon se nuk po i jepet hapësira e duhur për të vepruar, atëherë ata vendosin që të lëvizin në një subjekt tjetër partiak, duke shpresuar se mund të jenë më të suksesshëm", ka thënë Haliti, duke shtuar se lëvizjet e fundit nuk i sheh si veprim i qëllimshëm që të dobësohet një subjekt politik apo një tjetër. Naim Sahiti, kryetari degës së AAK-së, mendonte kalimet e tilla nuk bëhen për vlera, por për qëllime oportuniste dhe si të tilla nuk janë të dobishme për subjektet politike. "Lëvizjet e tilla bëhen në të shumtën e rasteve për ndonjë përfitim personal, ndonjë premtim për punësim, apo ndonjë përfitim tjetër dhe se me kalime të tilla nuk mund të forcohen partitë politike", ka thënë Sahiti

(Kosova Sot)