"E ndieja derisa më prisnin, prandaj më kaploi paniku"!

  • 26 May 2016 - 18:55

Kthimi i vetëdijes gjatë operacionit me anestezion të përgjithshëm është dukuri e rrallë, një në 10,000 raste, por në bazë të përvojës së atyre që e kanë përjetuar këtë, më së vështiri përballohen ndjenjat e paralizës, e ngufatjes dhe frikës.

Të qëndrosh i shtrirë, i paralizuar, në tavolinën e operacionit, duke ndier sesi të presin, pa pasur mundësi që ta lëshoni qoftë edhe vetëm një zë, është njëra nga gjërat më të tmerrshme që mund ta paramendojë ndonjë pacient, i cili përgatitet për operim,transmeton gazeta Kosova Sot.

Ja disa 'rrëfime' të pacientëve

"Mendoja se më nuk do të mund të bëja asgjë, sesi mjekët kishin hequr çdo gjë nga unë, me përjashtim të shpirtit, ndjeja sesi më prisnin, por nuk mund të lëvizja, e as të bëzaja", janë vetëm disa nga komentet e atyre që e kanë përjetuar një gjë të tillë. Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit kanë bërë një studim rreth kësaj dukurie. Deri më tani janë regjistruar rreth 153 raste të tilla. 

Rasti i Sarah Newton-it

Sarah Newton (32 vjeçe) nga Britania e Madhe, i ishte nënshtruar operacionit të lukthit dhe boshtit kurrizor. Asaj i kujtohet sesi ia kishin vënë infuzionin në dorë, e më pas i ishte errësuar çdo gjë. Gjëja tjetër që i kujtohet më pas, është një dhembje e madhe. "E ndieja sesi ma hapnin lukthin. Nuk e dija a isha ëndërr, apo zhgjëndërr. Dëgjoja komentet që bënin mjekët dhe doja të bërtisja, por nuk mundja. U mundova t'i lëvizja gishtat, por ë-ë! Ndjenja e pafuqisë ishte më e tmerrshme sesa ajo e dhembjes. Më kishte kapluar një panik i madh. Mendoja se do të vdisja"! Sarah-ës i ishin kujtuar fjalët që ia kishte thënë mjeku para operacionit, se lukthin do t'ia operonte në fund, prandaj disi ishte e lumtur që i kishte dalë "pija" në fund të operacionit. Ajo ishte e vetëdijshme gjatë 40 minutave të operimit dhe fjalët e para që i tha pas operacionit ishin: "Isha zgjuar". Anesteziologu me këtë rast kishte pranuar ta kishte përdorur një renditje tjetër të dhënies së anestezionit, prandaj spitali ia kishte paguar Sarah-ës 30, 000 funte si dëmshpërblim. 

(Kosova Sot)