Edhe njëherë nëpërkëmbet Oda e Zejtarëve

  • 28 May 2016 - 12:41
Edhe njëherë nëpërkëmbet Oda e Zejtarëve

Rishikimi i buxhetit në Gjakovë solli përplasje të shumta

Në vend të renovimit të objektit, fondet shkojnë për shpronësime dhe projekte të tjera

"Para më shumë se 500 vjetësh, Oda e Zejtarëve në komunën e Gjakovës, e njohur si Qendër e Zejtarisë, e ka pasur objektin e vet, ndërsa tash ai mungon, prandaj është shumë i paarsyeshëm vendimi që të ridestinohen mjetet, që janë paraparë për ndërtimin e këtij objekti", ka thënë Masar Lluka

Treva e Gjakovës, pos si qendër e rëndësishme kombëtare e arsimit dhe kulturës, gjithnjë është shquar edhe si njëra ndër qendrat kryesore zejtare në tokat shqiptare. Këtu, tradicionalisht, janë ushtruar një numër i madh i zejeve, ca prej të cilave kanë qenë karakteristikë vetëm e kësaj treve. Bile, thuhet se dikur në këtë qytet janë ushtruar mbi 100 zeje të ndryshme, e këtë e pohon edhe udhëpërshkruesi i njohur turk Evlia Qelepia, i cili në një përshkrim të shekullit të 17-të që i bën Gjakovës, mes të tjerash thotë se "Gjakova kishte rreth 2 mijë shtëpi, kishte dy xhami të mëdha e disa të vogla, një han dhe hamam të bukur dhe kishte një çarshi me mbi 300 dyqane, ku ushtroheshin mbi 100 zeje të ndryshme". Për koordinimin e aktiviteteve të këtyre zejtarëve të shumtë, në qytetin e Gjakovës, para rreth 5 shekujsh ka funksionuar Oda e Zejtarëve, e cila e ka pasur edhe qendrën (objektin) e vet, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Më shumë se 550 zejtarë, pa qendër të vet

Kështu ka qenë dikur, por nuk është tash, ose më saktësisht nuk është që nga lufta e fundit çlirimtare, bile, sipas rrjedhave më të reja, pak ka gjasa që kjo të bëhet së shpejti. Në fakt, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në kuadër të strategjisë famëkeqe serbe, që mundësisht të shlyejë çdo gjurmë që dëshmon për lashtësinë e shqiptarëve në këto anë, gjë që, fatmirë- sisht, nuk e arritën, ishte djegur objekti i Odës së Zejtarëve të Komunës së Gjakovës. Që nga atëherë, tash e më shumë se 17 vjet, zejtarët gjakovarë kanë ngelur pa "shtëpinë e tyre", pasi objekti i djegur asokohe, deri më sot nuk është rindërtuar. Dukej se sivjet kjo do të ndodhë, pasi qeveria komunale e Gjakovës, në buxhetin e këtij viti, kishte paraparë 40 mijë euro për rindërtimin e këtij objekti, por doli se nuk do të jetë ashtu. Në të vërtetë, me rastin e rishikimit të fundit të buxhetit komunal, ditë më parë, këshilltarët komunalë vendosën që këto mjete, së bashku me disa mjete të tjera, të ridestinohen për shpronësime të tokave dhe në disa projekte të tjera kapitale, gjë që nxiti reagime të shumta. "Oda e Zejtarëve ka nevojë imanente për një lokal të vetin, ku do të koordinonin aktivitetet e veta, pasi numri i zejtarëve në komunën tonë është vërtet i madh. Sipas të dhënave aktuale, vetëm në Çarshinë e Madhe janë mbi 550 dyqane të zejtarëve, dhe është e pakuptimtë që ata të mos kenë një vendtakim të tyre", ka thënë drejtori i Odës Rajonale Ekonomike në Gjakovë, Masar Lluka.

Shpresë joreale të pritet nga donatorët e huaj

Duke e qartësuar këtë mendim të tij, Lluka ka prezantuar edhe një të dhënë interesante. "Sipas dokumenteve historike, në Gjakovë, Oda e Zejtarëve ka funksionuar qysh para 504 vitesh dhe e kanë pasur objektin e tyre ku e kanë zhvilluar aktivitetin. Prandaj më duket shumë e pakuptimtë që tash, më shumë se 5 shekuj më vonë, zejtarët gjakovarë të mos kenë një objekt të këtillë. Për këtë arsye kujtoj se ky vendim për ridestinimin e këtyre mjeteve është i paqëlluar dhe duhet bërë çmos që të ndryshohet sa më parë", ka thënë Masar Lluka. Drejtoresha komunale për Zhvillim ekonomik, Silvana Domi, e ka versionin e saj lidhur me këtë vendim. "Duke e ditur rëndësinë e Odës së Zejtarëve, ne si drejtori jemi kujdesur që të hartojmë planin ideor dhe detaj për selinë e kësaj ode. Sipas këtij plani, kjo do të kushtonte më shumë se 120 mijë euro. Me ridestinimin e fondeve nuk kemi hequre dorë nga ky qëllim, por jemi të bindur se këto mjete do të mund t'i sigurojmë nga donatorët e huaj", ka thënë Domi. Me këtë konstatim nuk pajtohet fare këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Artan Nimani. "Ato mjete jo që nuk është dashur të hiqen, por është dashur të shikohet mundësia se si të shtohen. Gjatë fushatës parazgjedhore të gjitha partitë politike e kanë premtuar këtë objekt, e tash...! Është e kotë të shpresohet shumë se për këtë projekt mund të japin fonde donatorët e huaj, sepse ata, siç jemi bindur shumë herë deri më tash, nuk janë fort të interesuar që të mbështesin ruajtjen e traditës kombëtare shqiptare, e Oda e Zejtarëve në Gjakovë është pjesë e kësaj tradite", ka thënë Nimani. Si do që të jetë, tashmë është evidente se zejtarët gjakovarë do të jenë të detyruar që të presin "kohëra më të mira" për të pasur objektin e vet .

(Kosova Sot)