Saraji i Mustafë Pashës u mbijetoi stuhive

  • 28 May 2016 - 16:33
Saraji i Mustafë Pashës u mbijetoi stuhive

Fortifikatat shqiptare

Detajet e tavaneve janë me interes edhe për etnologjinë

Në këto objekte ndër shekuj është zhvilluar jeta shqiptare, që gjithmonë ka qenë e atakuar nga pushtues të ndryshëm. Familja Gjinolli ndërtoi Konakun ose Sarajin e Gjinollëve, një nga objektet me të cilin identifikohej dikur ky qytet

Gjilani si regjion, pos trashëgimisë tjetër kulturore, që është mjaft e pasur, ka edhe kalatë dhe sarajet e veta, si fortifikata të kohës. Njëri prej objekteve të tilla është edhe Saraji i Hysen Pashës (1887). Saraji, që nga paslufta e Dytë Botërore ka shërbyer si shkollë fillore, ndërsa tani është shkollë e Muzikës. I rëndësishëm ishte edhe Saraji i Kajmekamit, që është një nga objektet më me vlerë nga shekulli XVIII. Planimetria e tyre është katërkëndëshe, kanë ballkon dhe janë të zbukuruara nga punime prej druri në çardakë, tavane etj. Detajet e tavaneve janë me interes edhe për etnologjinë. Disa detaje të tavanit të Konakut të Hysen Pashës, ku sot është Shkolla e Muzikës, të shtëpisë së Maksut Malokut dhe të shtëpisë së Zekirja Abdullahut, në qytet, dokumentojnë për dashurinë e mjeshtërve vendorë për zbukurime prej druri. Kjo dashuri është trashëguar brez pas brezi, që nga koha ilire, të cilët ishin të njohur për teknikën e gravimit. Familja Gjinolli ndërtoi Konakun ose Sarajin e Gjinollëve, një nga objektet me të cilin identifikohej dikur ky qytet, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Odat e burrave janë ruajtur në disa zona

Ndërtimin e shtëpive e kanë bërë zakonisht mjeshtrit vendorë dhe rrallëherë ka ndodhur të vinin nga ndonjë krahinë tjetër. Mjeshtrit dibranë e kanë punuar shtëpinë-kullë të Hajdinit në Terziaj (1942). Në rajonin e Gjilanit janë të njohura edhe odat e burrave. Një odë e tillë etnologjike ka ekzistuar në fshatin Llashticë, por familjarët e kanë rrënuar në vitin 2008. Në Cernicë ka qenë e njohur oda e Mulla Halimit, të cilën e mbajti të gjallë Ramiz Cernica deri më 1964. Një odë që ende ekziston është ajo e Fevzi Hoxhës në Cernicë (1928), e cila njihej si oda e Mulla Vehbiut. Si zëvendësim i kullave, në Anamoravë paraqiten shtëpitë me kat. Në Karadakun e Gjilanit, duke përfshirë edhe Malësinë e Zhegocit, këto objekte dallonin nga shtëpitë e fshatrave fushore, në radhë të parë për karakterin e tyre fortifikues, që si duket kanë shërbyer edhe për të treguar madhështinë, edhe për mbrojte në rast rreziku. Janë të njohura kulla e Vehbi Zeqirit në Haxhaj dhe kulla e Shemsedin Haxhi Demë Hazirit në Zhegër, që kanë mbetur si ekzemplarë të kohës. Një ndihmë për përshkrimin e karakteristikave të tyre mund ta japin shtëpitë-kulla në Terziaj dhe Kurexhaj, sikundër edhe Kulla e Sahit Agës në Kufcë të Poshtme. Komunikimi ndërmjet kateve brenda kullës bëhet me shkallë prej druri, ndërsa porta hyrëse është e një gjerësie më të madhe. Dritaret janë në formë gjysmëharku. 

Dy kala janë zhdukur

Kalatë paraqesin vlera të rralla të trashëgimisë kulturore. Kalaja e Pogragjës është një nga vlerat më të rëndësishme të kësaj trashëgimie në këtë trevë, që daton nga shekulli XIV. Dëshmitë e mëvonshme flasin për një kala të rindërtuar që në shekullin VI. Pogragja në antikë ishte një nga stacionet e rrugës që lidhte këtë pjesë të Kosovës me rrugën Nish-Shkup. Elemente të zhvillimit të shoqërisë njerëzore në kodrën e Kalasë, hasen që nga periudha e bronzit, ajo antike dhe bizantine. Një nga karakteristikat që e dallon këtë kështjellë, është planimetria e saj, e cila ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt, ndërsa muri jugor i kullës qendrore formon njëkohësisht murin mbrojtës të kështjellës. Të njohura janë edhe Kalaja e Mireshit, Kalaja e Resulës, Kalaja e Zhegrës, Kalaja e Bresalcit, që njihet si Kalaja e Princeshës, e Sllakocit të Epërm, e Gadishit, e Kukajve etj. Të zhdukura konsiderohen kalaja e Përlepnicës dhe ajo e Prizrencit. Për kalatë ka edhe legjenda. Sipas një legjende, ndërtimi i Kalasë së Pogragjës ka zgjatur disa vjet. Njëri prej muratorëve e kishte lënë nusen e re, sapo ishte martuar. Atij i kishte lindur një djalë, që ishte rritur e bërë burrë pa e parë asnjëherë babanë e tij. Një ditë ishte nisur ta takonte të atin. Sipas gojëdhënës, takimi mes tyre përfundon në mënyrën tragjike, pasi që babait, nga habia kur e sheh djalin, i bie çekani nga dora dhe e godet atë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.   

(Kosova Sot)