Kryeministri jep dorëheqje pasi që votuesit shkaktojnë një tërmet politik

  • 25 June 2016 - 08:13
Kryeministri jep dorëheqje pasi që votuesit shkaktojnë një tërmet politik

Tony Blair ka thënë se 'Brexit'-i do të ketë pasoja të mëdha dhe se është një gjë e keqe për shtetin, Evropën dhe Botën.

Cameron ka thënë se do të qëndrojë në pozitë për edhe tre muaj, ndërsa Boris Johnson, ish-prefekti i Londrës, i cili e ka udhëhequr fushatën për largim nga BE-ja, është favorit për ta zëvendësuar atë,raporotn Gazeta Kosova Sot 

Kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se do të japë dorëheqje si kryeministër pas votimit të britanikëve për t'u larguar nga Bashkimi Evropian. Cameron ka provuar që t'i sigurojë bizneset rreth botës se ekonomia britanike është fundamentalisht e shëndoshë, por tregjet botërore janë përfshirë nga trazirat të premten, pasi që u bë i ditur rezultati i votimeve. I nominuari i supozuar republikan, Donald Trump, ka arritur në Skoci të premten në mëngjes dhe ka thënë se britanikët e kanë marrë sërish shtetin e tyre dhe se kjo është një gjë fantastike. Më vonë, kur është pyetur në lidhje me dorëheqjen e kryeministrit ai është përgjigjur se kjo nuk është një gjë e mirë. Por ish-kryeministri britanik Tony Blair ka thënë se 'Brexit'-i do të ketë pasoja të mëdha dhe se është një gjë e keqe për shtetin, Evropën dhe Botën. Cameron ka thënë se do të qëndrojë në pozitë për edhe tre muaj, ndërsa Boris Johnson, ish-prefekti i Londrës, i cili e ka udhëhequr fushatën për largim nga BE-ja është favorit për ta zëvendësuar atë. Johnson ka filluar që ta paraqesë vizionin e tij për një shtet të rigjallëruar dhe përparimtar në një fjalim vetëm disa orë pas deklarimit të rivalit të tij se do të japë dorëheqje. 

Reagime nga mbarë bota Presidenti Barack Obama ka thënë se Britania dhe BE-ja do të mbesin partnerë të nevojshëm të SHBA-së edhe pas referendumit për largim nga BEja. "Populli britanik e ka thënë të veten, ndërsa ne e respektojmë vendimin e tij. Raportet e veçanta mes SHBA-së dhe Britanisë janë të forta, ndërsa anëtarësimi i Britanisë në NATO mbetet një gurthemel i rëndësishëm i politikës së jashtme dhe ekonomike të SHBA-së. Gjithashtu i tillë është edhe raporti ynë me Bashkimin Evropian, i cili ka bërë shumë në promovimin e stabilitetit, stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe në përhapjen e vlerave dhe idealeve demokratike në kontinent dhe përtej tij. Britania dhe Bashkimi Evropian do të mbeten partnerë tanë të pazëvendësueshëm madje edhe kur janë duke filluar negociatat për raportin e tyre të vazhdueshëm për të siguruar stabilitet, siguri dhe prosperitet për Evropën, Britaninë dhe Irlandën Veriore, dhe botën", ka thënë Obama. E nominuara e supozuar demokratike Hillary Clinton ka thënë në një deklaratë: "E respektojmë zgjedhjen që e ka bërë populli britanik. Detyra jonë e parë është që të sigurojmë që pasiguria ekonomike e krijuar nga këto ngjarje të mos i dëmtojë familjet punëtore këtu në Amerikë. Ne gjithashtu duhet ta bëjmë të qartë zotimin e Amerikës ndaj raportit të veçantë me Britaninë dhe aleancën transatlantike me Evropën. Kjo kohë e pasigurisë vetëm ka theksuar nevojën për një lidership të qetë, të qëndrueshëm e profesional në Shtëpinë e Bardhë për t'i mbrojtur kuletat dhe jetesën e amerikanëve, për t'i mbështetur miqtë dhje aleatët, për t'u përballur me kundërshtarët tanë dhe për t'i mbrojtur interesat tona". Ajo ka shtuar: "Kjo gjithashtu thekson nevojën për ne që të bashkohemi për t'i zgjidhur sfidat tona si shtet, e jo ta kundërshtojmë njëri-tjetrin". 

Skocezët duan një referendum të dytë për pavarësi Në anën tjetër, Trump në mënyrë dramatike tha se presidenti Obama dhe Clinton kanë shtyrë Britaninë që të largohet nga Bashkimi Evropian dhe ka parashikuar që amerikanët do ta bëjnë një zgjedhje të ngjashme në muajin nëntor. Ai tha se presidenti, i cili në muajin prill e këshilloi Britaninë që të mbetet në bashkim dhe që e ka kërcënuar me pasoja të mëdha ekonomike nëse do të largohej, dhe se pasardhësja e saj nga radhët demokratike kanë lexuar gabimisht disponimin e botës së lirë. "Ajo gjithmonë ka lexuar gjithçka gabimisht. Ajo e ka vlerësuar edhe këtë ngjarje gabimisht", ka thënë Trump për Clinton-in gjatë një konference për shtyp në perëndim të Skocisë ku ishte i pranishëm në rihapjen e një fushe të golfit. Edhe Obama edhe Clinton u kishin bërë thirrje britanikëve që të votojnë për qëndrim në BE. Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, ka provuar që t'i sigurojë tregjet në panik gjatë mëngjesit të djeshëm pas rënies së vlerës së funtës në nivelin më të ulët ndaj dollarit për 31 vjet, ndërsa bursa britanike shënoi rënie për tetë për qind. Lideri nacionalist skocez, Nicola Sturgeon, ka rritur mundësinë e një referendumi të dytë për pavarësi në Skoci brenda dy viteve, duke paralajmëruar kështu shpërbërjen e mundur të Mbretërisë së Bashkuar, pasi që 62 për qind e skocezëve kanë votuar për të qëndruar në BE, por që janë mundur me vota nga ana e anglezëve. 

(Kosova Sot)