Shteti ka paguar 800 mijë euro pensione për njerëz të vdekur

  • 30 June 2016 - 22:16
Shteti ka paguar 800 mijë euro pensione për njerëz të vdekur

Në Kosovë mund të vdesësh por shteti të jep pension. Madje edhe një vit pas vdekjes. Kjo është e gjetura e auditorëve në raportin e tyre për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale.

Auditorët kanë gjetur se qindra mijëra euro janë shpenzuar nga shteti për pensionet e njerëzve që kanë vdekur.

“Sipas rregullave, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesit.. Totali i pensioneve të paguara pas vdekjes së përfituesve arrin vlerën prej 801,723€”, thuhet në raportin e auditorëve.

Prej tyre, 199 mijë e 194 euro janë paguar në vitin 2015 për përfituesit që kishin vdekur në 2014 e më herët, shkruajnë auditorët.

Në mesin e këtyre pagesave, siç raporton Insajderi, kishte raste kur pensionet ishin paguar deri në 11 muaj pas vdekjes së përfituesve.

Në tabelën e hartuar nga auditorët shihet se për cilat kategori të punësimeve janë paguar pensionet edhe pas vdekjes.Sipas auditorëve mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave të pensioneve, rezulton me pagesa të parregullta, dhe me dëmtim të buxhetit. Ata kanë rekomanduar ministrin që të sigurohet se do të ndërmerren veprimet e duhura në mënyrë që të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme në pastrimin e listave, duke bërë krahasimin e vazhdueshëm sistematik të regjistrave me regjistrin civil, në baza mujore, para se të bëhet kompensimi i pensioneve, raporton insajderi.

“Po ashtu duhet të merren të gjitha masat e nevojshme për kthimin e pensioneve të dhëna pa bazë”, thuhet në  raport.

tabela

(Kosova Sot)