Rrënjët e korrupsionit nuk i presin oligarkët politikë

  • 02 July 2016 - 07:35
Rrënjët e korrupsionit nuk i presin oligarkët politikë

Sundimi i ligjit, edhe 17 vjet pas lufte, gjendet në fazë fillestare

Dibrani: Vendin e udhëheqin njerëz me dosje të hapura 

"Është vështirë që nga vetë këto institucione dhe nga vetë kjo klasë politike, e cila i kishte instaluar njerëzit e vet në nyjat kyçe të qarkullimit të parasë dhe të vendimmarrjes, që ajo t'i presë rrënjët e veta prej nga furnizohet me fuqi ekonomike, informata dhe me fuqi ekzekutive, përfshirë edhe atë represive", u shpreh analisti Fadil Lepaja 

Të gjitha raportet e deritashme ndërkombëtare, që flasin për Kosovën, në vazhdimësi kanë pasur vërejtje për mungesën e dukshme të krerëve të institucioneve në luftën kundër të këqijave që po e kaplonin vendin. Konstatimet e raporteve në fjalë janë se Kosova është ende në fazën fillestare në luftë kundër korrupsionit, sundim të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Në këtë drejtim është shtruar edhe pyetja se si është e mundur që një shtet, me potenciale siç është Kosova të mbetet në gjendjen e njëjtë të vetënumërimit? Analisti politik Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se Kosova është një shtet i ri, që i ka themeluar institucionet e veta nën përkujdesjen e OKB-së dhe UNMIKut, një organizmi ndërkombëtarë lidere në korrupsion dhe joefektivitet. " E keqja e dytë e kësaj është se këto institucione u formësuan jo me kritere profesionale, por me mbikëqyrje dhe bashkëpunim të ngushtë me klasën politike të vendit, të njohur tashmë ndërkombëtarisht për joefektivitetin edhe korrupsionin. Andaj, është vështirë që nga vetë këto institucione dhe nga vetë kjo klasë politike, e cila i kishte instaluar njerëzit e vet në nyjat kyçe të qarkullimit të parasë, dhe të vendimmarrjes, që ajo të presë rrënjët e veta prej nga furnizohet me fuqi ekonomike, informata dhe me fuqi ekzekutive, përfshirë edhe atë represive", u shpreh ai. 

Lepaja: Konflikte që shpërqendrojnë vëmendjen dhe shkapërderdhin energjinë

Tutje, Lepaja ka nënvizuar se e keqja tjetër po aq e madhe është ajo se edhe opozita nuk ka ndonjë ide, por as nuk ka treguar shkallë të mjaftueshme organizimi, dhe as bashkëpunimi në këtë plan, por veçse ka ruajtur pozitat e oligarkisë, duke krijuar kësisoj probleme shpeshherë të paqena, dhe si rrjedhojë duke krijuar kështu konflikte që shpërqendrojnë vëmendjen dhe shkapërderdhin energjinë. " Reformimi i partive politike kryesore, nuk po shkon me guximin dhe dinamikën e mjaftueshme dhe gjithnjë po del një problem tjetër, rajonal apo ndërkombëtar me prioritet, i cili po e rikthen në fillim procesin. Nuk ka një forcë politike, e cila kishte për t'i integruar forcat që angazhohen për shtet ligjor dhe dekriminalizim. Ndërsa, mbajtja gjallë e konflikteve ndërnacionale po bëhet edhe nga politika vendore e korruptuar, por edhe me bashkëpunimin e suksesshëm të qeverisë serbe, e cila po i fryn zjarrit me projekte koti, të cilat po i bën për marketing politik", është shprehur, Lepaja...  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)