Bizneset po ngufaten, qytetarët po varfërohen

  • 25 July 2016 - 08:04
Bizneset po ngufaten, qytetarët po varfërohen

Borxhi publik po rritet, papunësia po thellohet.

Edhe vetë partneri i LDK-së në Qeveri ankohet se politikat fiskale, që po i aplikon kryeministri me ministrin e tij të Financave, janë të dëmshme për vendin. Fuqia blerëse ka rënë, ndërsa kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm,raporton Gazeta Kosova Sot  

Njohës të ekonomisë, përfaqë- sues të bizneseve dhe specialistë të fushës së financave, njëzëri pajtohen se reforma fiskale e Qeverisë paraqet një kthim mbrapa për vendin në aspektin e zhvillimit ekonomik. Sipas tyre, qeveria ka dështuar me pakon e re fiskale. Reformat ekonomike, të cilat në të shumtën e rasteve kanë qenë slogane të autoriteteve qeveritare të Kosovës, sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë, si reforma të premtuara kanë mbetur të pazbatuara në praktikë, apo nuk kanë qenë reforma të duhura. Në raportet e Bankës Botërore vazhdimisht ishte theksuar se dobësitë makroekonomike, papunësia e lartë dhe varfëria në Kosovë kërkojnë reforma strukturore gjithëpërfshirëse për të nxitur rritjen ekonomike. Si dihet, nga 1 shtatori i vitit 2015 ka filluar zbatimi i pakos së re fiskale. Në ndryshimet e pakos së re fiskale janë përfshirë ndryshimet në Ligjin për TVSH-në (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), Ligjin për tatimin në të ardhura personale, si dhe Ligjin për tatimin në të ardhura të korporatave. Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ka përcaktuar dy norma të TVSH-së, si norma standarde të TVSHsë 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

PDK-ja, e pakënaqur me politikat ekonomike Pakoja e re fiskale, e filluar më 1 shtator të vitit 2015, ka kohë që ka ngjallur polemikat ndërmjet ish- ministrit të Financave, Besim Beqaj, dhe ministrit aktual, Avdullah Hoti. Hoti pretendon se situata është përmirësuar gjatë kohës që ai udhëheq MF-në, ndërsa ish-ministri Beqaj thotë se reformat janë realizuar në kohën e tij. Ministri i Financave ditë më parë ka deklaruar se qeverisja e mirë aktuale ka bërë që të mbushë arkën e shtetit. Por, ish- ministri Besim Beqaj ka thënë se sa ka qenë ministër, stabiliteti makrofiskal nuk është cenuar asnjëherë dhe i gjithë programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar është përfunduar sipas vlerësimeve më të mira. Sipas të njëjtit, ministri Hoti po i implementon reformat që janë nisur në kohën kur ai udhëhiqte Ministrinë e Financave. Ndërkaq, ish- ministri Beqaj duket se nuk është dakord me rritjen e taksave."E kam thënë se duhet të bëhet kujdes me rritjen e taksave, sepse rritja e taksave i adresohet edhe rritjes së buxheti. Tani kemi mjaft argumente se një pjesë e mirë e buxhetit i shkon rritjes së taksave, të cilat janë edhe burim i informalitetit", ka theksuar ai. Beqaj, si anëtar i Kryesisë së PDK-së dhe deputet i kësaj partie, thotë se Qeveria me politikat e gabuara po e rrit edhe borxhin publik. 

Nuk ka reformë strukturore Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj thotë se deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë për reforma ekonomike janë shndërruar në retorikë dhe këtë e dëshmojnë edhe polemikat në mes të Avdullah Hotit dhe Besim Beqajt. Sipas tij, në Kosovë nuk janë duke u bërë reforma ekonomike të duhura. "Mendoj që një reformë e tipit strukturor, një reformë e sistemit ekonomik duhet të ndodhë, nëse dëshirojmë të jemi një shoqëri konkurruese në raport me vende të tjera, qoftë në planin e ndërtimit të infrastrukturës që iu mundëson investitorëve kushte më të volitshme sesa në vende të tjera, qoftë një ndryshim strukturor të brendshëm që nënkupton një legjislacion të ri", thekson Ramosaj. Qeveria e Kosovës si reformë ekonomike e kishte theksuar pakon e re fiskale, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator të vitit të kaluar. Me zbatimin e kësaj pakoje kishte pasur ndryshime Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji për tatimin në të ardhura personale, si dhe Ligji për tatimin në të ardhura të korporatave. Si reformë ekonomike në fillim të këtij viti, autoritetet e Kosovës e kishin theksuar fillimin e zbatimit të platformës elektronike të prokurimit publik. Sidoqoftë, këto reforma ekonomike, nga eksperti i ekonomisë Berim Ramosaj po konsiderohen reforma kozmetike, të pjesshme dhe pa efekte të dukshme. 

(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)