Karta elektronike për karburantin shtetëror, kryeministri: Kursejmë 9 mln dollarë

  • 27 July 2016 - 13:11
Karta elektronike për karburantin shtetëror, kryeministri: Kursejmë 9 mln dollarë

Gjatë ditës së sotme, Ministria e Brendshme prezantoi projektin e kartave elektronike për furnizimin me karburant të mjeteve të funksionarëve të këtij dikasteri dhe të automjeteve të Policisë së Shtetit.

Bëhet e ditur se objektivi i këtij projekti është zhdukja e abuzimit me tollonat e karburantit. Në ceremoni ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, i cili tha se qeveria synon të shtrijë këtë teknologji në gjithë institucionet shtetërore, ku foli për 9 milionë dollarë abuzime në vit me karburantin.

"Kësaj tradite të ndyrë shtetërore 20 e kusur vjeçare i japim fund, jo vetëm për Policinë e Shtetit, por për të gjitha institucionet shtetërore që përdorin automjete dhe çdo vit hapin gropa në buxhet për shkak të vjedhjes masive dhe epidemike të parave përmes abuzimeve me tollonat e karburantit”, tha ai.

Sipas kreut të qeverisë, do të kursehen 8 mln litra karburant, pra rreth 9 milionë dollarëve vjedhje e përvitshme epidemike në të gjithë territorin nga ana e njerëzve që marrin tallona, japin e marrin tallona dhe grabisin shtetin.

Projekti, për të cilin puna ka nisur që në muajin janar, do të testohet me 150 makina në fillim dhe më pas do të shtrihet në gjithë logjistikën e ministrisë.

Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, deklaroi se institucioni më i besueshëm në Republikën e Shqipërisë është Policia e Shtetit. Teksa përmendi disa nga reformat e ndërmarra në këto vite, ai bëri një retrospektivë pas, duke kujtuar se makinat e policisë dikur nuk kishin karburant, pasi abuzohej.

Nga ana tjetër ai prezantoi edhe projektin më të fundit të ndërmarrë, siç është dhe pajisja me karta elektronike për mjetet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe ministrisë.

“Sot Policia e Shtetit është në shërbim 24 në 24 orë. Sot policia e Shteti është institucioni më i besuar në Republikën e Shqipërisë. Ne kemi filluar një tjetër projekt pilot që kam besim se do jetë një tjetër histori suksesi. Ka të bëjë me matjen dixhitale të karburantit të makinave të policisë, pasi nuk janë të largëta kohët kur policët shtynin makinat me dorë, pasi nuk kishte karburant. E kishin kthyer në një rrogë të dytë për ata që kishin një makinë policie. Zgjidhja që gjetëm ishte falë dixhitalizimit, sot nuk ka më tollona, por gjithçka është e inventarizuar. Në këto 3 muaj nuk ka më punonjës të Policisë së Shtetit që të ankohet se makina nuk ka më karburant”, tha Tahiri.

Ndër të tjera ministri i Brendshëm theksoi se tashmë Policia e Shtetit ka hyrë në një rrugë transformimi.

“Nëse ka një trajtë dalluese të gjithë reformave që kemi bërë, ka qenë për të bërë ndryshime në polici. Ne dixhitalizuam komisariatin dixhital të policisë, që e kanë të gjithë qytetarët në telefonin e tyre. Të gjithë i kujtojmë kohën kur punonjësi i policisë dhe policia e tërë vërsulej si karkalec rrugëve për të vendosur gjobën jo shtetërore por abuzive. Sot policët kanë kamera në trup dhe jep mundësi që ai mos të korruptojë dhe as qytetari që ishte i paprekshëm që mos korruptoj. Të gjithë e mbajnë mend, dhe është një gjendje që se kemi plotësuar as ne, infrastrukturës, mbi 100 modele makinash që janë të vjetra dhe vëmendja ishte zero. Ne sot i kemi hyrë një rruge modernizimi, me makina të reja, motorë të rinj, pasi besojmë ë se një polic i paguar me mirë dhe me pajisje më të mira, e bën punën më mirë. Të gjithë e mbajnë mend pamundësinë e qytetarëve për t’ju shërbyer në disa dyer, pasi duhet të paguante dhe sekserin. Në çdo qark thuajse kemi shtrirë rrjetin e Zyrave të Shërbimit Unik. Kem i ndërtuar një mekanizëm që është avokati i qytetarit. Ne sapo kemi filluar me aplikimin e nr. 112 dhe ka shumë telefonata emergjence nga qytetarët. Kjo tregon se policia është më e gatshme ndaj qytetarëve, pasi besojmë se çelësi kyç për të luftuar kriminalitetin është bashkëpunimi”, pohoi Tahiri.

(Kosova Sot)