Reagon Komuna e Prishtinës: Konkursi për mësimdhënës është në përputhje me ligjin

  • 28 July 2016 - 16:25
Reagon Komuna e Prishtinës: Konkursi për mësimdhënës është në përputhje me ligjin

Komuna e Prishtinës ka reaguar lidhur me deklaratën e asamblistit të LDK-së në këtë komunë, Flamur Shala i cili tha se konkursi për plotësimin e vendeve të punës për mësimdhënës në shkollat e Prishtinës i datës 25 korrik, i shpallur në faqen e Komunës së Prishtinës, duket mirë të jetë kundërligjor!

“Pas shqetësimeve të ngritura rreth mospublikimit të emrave të shkollave në konkursin për mësimdhënës. Komuna e Prishtinës sqaron opinionin se konkursi i dalur më 25 korrik është në përputhje të plotë me të gjitha dispozitat ligjore, ligjin e punës dhe të gjitha udhëzimet administrative që përcaktojnë marrëdhëniet e punësimit në sektorin publik dhe me kriteret e arsimit. Prandaj shqetësimet e ngritura nuk qëndrojnë”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej Komuna e Prishtinës ka theksuar se është e përkushtuar që të gjithë nxënësve në të gjitha shkollat t’u ofrojë edukim të barabartë cilësor.

“Së këndejmi, mësimdhënësit e pranuar do të lidhin kontratë pune me Komunën e Prishtinës, e cila në cilësinë e punëdhënësit do t’i sistemojë ata aty ku e vlerëson se ekziston nevoja. Ngritja e nivelit të cilësisë së arsimit është prioritet i qeverisjes tonë dhe ne do ta zbatojmë me përgjegjësi”, thuhet në fund të njoftimit.

(Kosova Sot)