Një e treta e danezëve beson se Danimarka është në luftë me islamin

  • 28 July 2016 - 18:19
Një e treta e danezëve beson se Danimarka është në luftë me islamin

Një sondazh i zhvilluar në Danimarkë, ka nxjerrë rezultate befasuese. Sipas sondazhit në fjalë, një ndër tre danezë beson se vendi është në luftë me islamin. Në anketë, janë pyetur gjithsej 1.045 të rritur, se a pajtohen me deklaratën: “Danimarka, së bashku me pjesën tjetër të botës perëndimore, është në luftë me fenë islame dhe jo vetëm me myslimanët radikalë”.

Tridhjetë e tre për qind e të anketuarve kanë rënë dakord me këtë deklaratë, më shumë se 56 për qind nuk janë pajtuar dhe 11 për qind u shprehën se nuk e dinë. Një ekspert i islamit në Universitetin e Kopenhagenit tha se “sondazhi ishte shqetësues”.

“Është një mendim provokues që ne kemi arritur në një pikë ku mënyra se si flasim për njëri-tjetrin, ka dërguar në atë që një e treta e popullatës së vendit beson se ne jemi në luftë me islamin”, tha Jørgen Bæk Simonsen për TV2.

Studimi tregoi se njerëzit që kishin mendimin se Danimarka është në luftë me islamin, ishin përgjithësisht në moshë madhore dhe se kishin arsimin e ulët dhe të mesëm.

(Kosova Sot)