Pushteti saboton konferencën e Demarkacionit

  • 29 July 2016 - 07:29
Pushteti saboton konferencën e Demarkacionit

Në pritje të debatit të 3 gushtit, aktivizohet kolaicioni

Në vend të ballafaqimit të argumenteve, do të shtohet konfuzioni 

Opozita dhe analistët dyshojnë se sipas disponimit të tanishëm dhe paralajmërimeve nga pozita, gjasat janë shumë të mundshme që treshja qeveritare - kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe presidenti - e kanë ndërmend që ta manipulojnë këtë takim, duke dërguar aty një numër të madh të përfaqësuesve të Qeverisë, që nuk janë as ekspertë dhe as shkencëtarë

Vetëm edhe pesë ditë kanë mbetur deri te ballafaqimi i ekspertëve dhe politikës me komisionin qeveritar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por ende nuk dihet se çfarë efektesh do të ketë një konferencë e tillë. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, dëshiron të besojë se pikërisht ballafaqimi i fakteve nga ekspertët para një bindje të tillë qeveritare do të bëjë që të gjendet rruga e zgjidhjes më të mirë të mundshme, ngase edhe ai personalisht është i bindur që qeveritarët po i frikësohen së vërtetës, derisa atë mund ta pranojnë vetëm pas ballafaqimit ballë për ballë të argumenteve nga ekspertiza. "Konferenca dhe debati për Demarkacionin do të jetë i dobishëm, veçanërisht për deputetët, sepse mund të qartësojë shumë aspekte të këtij problemi. Deri më tash është e paqartë se a humbim territor apo jo. Krejt çështja e Demarkacionit është shumë e mjegulluar edhe për faktin se as pas dhjetë muajsh ne nuk kemi marrë asnjë shkronjë material lidhur me këtë problem kaq të madh. Është një përpjekje që gjërat të mbahen në fshehtësi", thekson Salihaj. 

Mundësia e manipulimit të konferencës

"Ne duhet ta shohim materialin dhe duhet ta dëgjojmë mendimin e ekspertëve në mënyrë që, qysh do që të veprojmë, të jemi të bindur se po veprojmë drejt", ka shtuar më tej deputeti Salihaj. "Ka shtete të mëdha që kanë me dekada konteste të pazgjidhura kufitare për 100 apo 200 metra katrorë, kurse në kemi dyshime se po humbim miliona metra katrorë dhe insistohet ta votojmë këtë pa menduar fare, me një lehtësi sikur e hedhim një ambalazh të pavlerë ose i hidhini disa këpucë të vjetra", theksoi ai. Opozita dhe ekspertët ndajnë mendime të tjera, më pesimiste, nga frika se Qeveria do të përpiqet ta manipulojë edhe këtë takim për ta mbuluar dhe devijuar të vërtetën që tani është faktuar nga shumë ekspertë të fushës, e që në këtë konferencë vetëm duhet të riargumentohet edhe një herë para një auditoriumi të politikës dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. Këtë konferencë madje, nga rreziku i manipulimit të partive në pushtet, ata e shohin si një "shfaqje" pa asnjë epilog të dobishëm për shtetin, për përafrimin e qëndrimeve të palëve në pozitë dhe opozitë për një zgjidhje konsensuale në interesin nacional, duke lënë anash interesat e politikës ditore. Nënkryetari i AAK-së, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetar i komunës së Pejës, Ali Berisha, tha për 'Kosova Sot" se nëse pushteti e mban premtimin se do t'i përfillë faktet që do të prezantohen nga ekspertët, atëherë këtë mundësi e ka ta bëjë në të gjitha veprimet e veta pas konferencës së 3 gushtit."Sipas meje, nga aspekti faktik, shumica e opinionit publik është i bindur që me këtë projektmarrëveshje Kosova humb territor, krijimi i kësaj bindje në opinion është kontribut bukur i madh i partive opozitare, por një falënderim shumë i veçantë shkon edhe për të gjithë ekspertët, të cilët në këtë kohë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, edhe përkundër presioneve të mëdha të institucioneve qeveritare, që provuan ta pengojnë argumentimin e asaj që me këtë projektmarrëveshje Kosova humb territor dhe nuk mbetet aspak e pacenuar", potencoi Berisha... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)