Mullinjtë e ujit drejt zhdukjes

  • 29 July 2016 - 19:02
Mullinjtë e ujit drejt zhdukjes

Vetëm lugina nga Stançiqët deri në Zhegër i kishte mbi 20 mullinj, ndërsa përroska "Vrella e Pidiqëve" i ka pasur dikur 6 të tillë. Dy prej tyre punojnë edhe në ditët e sotme. Në tërë Gjilanin, sot nuk janë më shumë se 10 mullinj që punojnë ende, shkruan Gazeta Kosova Sot.

Mullinjtë me ujë tashmë i takojnë në epoke të kaluar. Në ditët e sotme, rrallëkund dëgjohet çakallja e ndonjë mulliri, që bën zhurmë duke shtyrë kokrrat e misrit drejt rrotës së gurtë, që sillet vërdallë me ndihmën e fuqisë së ujit. Në të kaluarën, mullinjtë kanë pasur rëndësi të madhe për popullin e trevave të Kosovës. Mullinj ka pasur edhe nëpër qytete, por më shpesh ata kanë ekzistuar në fshatra të largëta. Mullinjtë, që zakonisht janë ndërtuar pranë lumenjve apo përroskave me prurje të përhershme uji gjatë pjesës më të madhe të vitit, kanë shërbyer edhe si vend për takimin e kaçakëve. Shpeshherë ka ndodhur që janë shfrytëzuar edhe si oda të burrave, por edhe si vendstrehim për kalimtarë dhe për fshatarët të cilët kanë ardhur nga larg të bluar drithin. Në fshatin Okllap ka ekzistuar deri në vitin 1999 mulliri i epokës së Skënderbeut. Besohet se është ndërtuar në vitin 1426.

I fundit i mullisëve 

Sherif Gashi, mullisi i fundit, thotë se nga paraardhësit ka dëgjuar që ky mulli nuk ka pushuar së bluari që nga koha e Skënderbeut e deri në luftën e fundit në Kosovë (1999). Mulliri ishte ndërtuar nga Selim Gashi, ndërsa brezi i tashëm e mban mend me emërtimin Mulliri i Qazës. "Baba më tregonte se në këtë mulli kanë bluar drithë fshatrat: Okllap, Sllovi, Vërbicë, Zhegovc, Janjevë dhe disa lokalitete të tjera të rrethinës së Lipjanit, Gjilanit e Prishtinës", thotë Gashi. Edhe pse më nuk është pronar i mullirit, ai ndien dhembje që mulliri i bukës për qindra vjet dhe për mijëra banorë të kësaj pjese të Kosovës, tani ka ngelur një grumbull gurësh. Forcat serbe, gjatë ofensivës së 15 prillit 1999, e dogjën dhe shkatërruan edhe mullirin e Qazës, i cili e kishte përballuar kohën e Turqisë dhe të gjitha pushtetet e tjera me radhë, por jo edhe atë të Milosheviqit. Serbët e granatuan dhe e shkatërruan mullirin, për ta lënë popullin e kësaj ane pa bukë dhe për ta zhdukur historinë e mullirit të kohës së Skënderbeut në Kosovë.

Një përroskë ka lëvizur gjashtë gurë mullinjsh

Arkitekti Muhamed Sadriu nga Gjilani ka një dashuri të rrallë për mullinjtë në gjithë trevën e Kosovës. Atij nuk i ka interesuar vetëm arkitektura e tyre, por edhe rëndësia dhe funksionaliteti i tërësishëm i mullinjve të ujit gjatë epokave të kaluara. Mullinjtë te ne, në të shumtën e rasteve përbëhen nga dy kthina. Njëra pjesë ka shërbyer për bluarje, ndërsa pjesa tjetër, përcjellëse,ka shërbyer për funksionet e përmendura më lart, thotë Sadriu. Ai i ka vizituar të gjithë mullinjtë e vjetër në komunën e Gjilan, si dhe vendet ku kanë ekzistuar ata. Komuna e Gjilanit ka pasur shumë mullinj, kryesisht pranë rrjedhave të lumenjve: Morava, Llapushnica, Perlepnica, Zhegra e shumë të tjera. Mullinj, disa sosh, ka pasur edhe në qytetin e sotëm, thotë Sadriu. Si rajon bujqësor, Gjilani kishte nevojë edhe për mullinj, që në këtë anë të Kosovës, llogaritet se kanë qenë të shumtë. Vetëm lugina nga Stançiqët deri ne Zhegër i kishte mbi 20 mullinj, ndërsa përroska "Vrella e Pidiqëve" i ka pasur dikur 6 të tillë. Dy prej tyre punojnë edhe në ditët e sotme. Në tërë Gjilanin, sot nuk janë më shumë se 10 mullinj që punojnë ende. Përgjithësisht, numri i mullinjve në Kosovë ka ngelur simbolik, thotë Sadriu.  

Mulliri i Elezit bluan ende

Sadriu e ka analizuar edhe arkitekturën e këtyre objekteve, që janë sinonim i bukës, mikpritjes e strehimit. Sipas tij, mullinjtë në regjionin e Gjilanit, kryesisht janë të ndërtuar me materiale të trevës ku ndodhen, me gur e drurë. Janë të ndërtuar me mure të trasha, 80- 90 cm, janë të mbuluar me tjegulla të vjetra, por edhe me rrasa të gurëve, që është arkitekturë tipike rajonale. Ai ka kujtime të ndryshme edhe nga takimet me mullisët, siç është edhe ai në Pidiq. Mullisi Elez Elezi, 76-vjeçar, i ka rrëfyer për historikun e mullirit të tij. Ky mulli, i ndërtuar pranë një përroske që nuk shteron kurrë, ka më shumë se 100 vjet jetë. Elezi kujdeset për të nga viti 1980. Në kohë krize, u ka ndihmuar shumë njerëzve të kësaj ane. Elezi e njeh çdo detaj të punës së mullirit. "Uji vjen përmes jazit, hyn në lugun e mullirit dhe zbret në cifund ku i bie rrotës, e cila është e gozhduar me bosht dhe kështu e sjell gurin e poshtëm. Guri i poshtëm dhe guri i epërm janë të lidhur mes vete. Mulliri e ka një mjet për ngritjen e gurit sipas nevojës, varësisht se si duhet bluar drithin, imtë apo më trash. Pjesa e epërme e mullirit përbëhet prej magjes, ku bie drithi i bluar. Guri i epërm është i mbuluar me një teneqe për të mos e lënë millin të humbet anash. Pjesë tjerë të mullirit janë edhe dorëza që lëshon drithërat nga koshi, përmes një vrime, koshi ku derdhet drithi, si dhe çakallja që rregullon lëvizjen e njëtrajtshme. Çakallja bën zhurmë të vazhdueshme, por pa të nuk bën hiq mulliri", thotë Elezi.  

(Kosova Sot)