Si e mbijetoi gjyshi i Donald Trump-it fatkeqësinë me anije dhe si ia filloi biznesit?

  • 26 August 2016 - 23:33
Si e mbijetoi gjyshi i Donald Trump-it fatkeqësinë me anije dhe si ia filloi biznesit?

Gjyshi i kandidatit presidencial republikan filloi "perandorinë" familjare gjatë kohës së "etheve të arit", por tash vonë është zbuluar se ai sa s'kishte vdekur gjatë fundosjes së anijes në Alaskë. Friedrich Trump kishte vetëm 16 vjet kur u largua nga fshati i përgjumur Kallstadt në Gjermani dhe ia mësyu rrugës për në SHBA, në vitin 1885, duke u vendosur në qytetin e NjuJorkut, ku jetonte motra e tij,transmetona Gazeta Kosova Sot.

Menjëherë sapo zbriti nga anija, ai u takua me një berber që fliste gjermanisht, i cili e mori atë si shegert. Ai punoi gjashtë vjet si ndihmës berberi, derisa flinte në një banesë tepër të vogël. Por, me fillimin e dekadës së re, ai dëgjoi për "ethet e arit" që kishin goditur veriperëndimin dhe Kanadanë. 22 vjeçi ndryshoi emrin, duke e bërë atë më të përshtatshëm, 'Fred Trump' dhe ia mësyu Sietllit, Uashington, ku hapi, e më pas e shiti, një restorant. "New York Times" bën me dije se, me paratë që ia kishte dërguar e ëma, Trump bleu patundshmërinë e parë afër Monte Kristos, një vend që kishte përjetuar bum në xehetari. Ai filloi që të hapte hotele për kërkuesit e arit.

U ofronin edhe mish të kuajve të ngordhur

Image

Në moshën 27- vjeçare, Trump hapi restorante të reja dhe në vitin 1896 udhëtoi për në Alaskë. Bashkë me një shok, Ernest Levin, me të cilin edhe filloi biznesin, ai ndiqte xehetarët hap pas hapi, duke iu afruar atyre shërbime. Ndërkohë, ata nuk hezituan që atyre t'iu ofronin edhe mish të kuajve të ngordhur. Më pas, shokët u zhvendosën në qytetin Benet dhe e emërtuan lokalin e tyre "New Arctic Restaurant and Hotel" dhe "White Horse". Sipas librit të Gwenda Blairit me titull: "The Trumps: Three Generations of Builders and a Presidential Candidate", hotelet e gjyshit të Donald Trump-it kishin edhe prostituta, derisa ushqim dhe pije ofronin 24 orë në ditë. Ky hotel u tregua shumë i suksesshëm. Blair e përshkruan Friedrich-un si "punëtor të madh dhe adhurues të madh të alkoolit". Restoranti i tij shërbente mish të llojeve të ndryshme, por për çudi, edhe lloje të shumta të pemëve të freskëta. Por, në një artikull të botuar nga "New York Times" të hënën, Donald Trump mohoi zërat se gjyshi i tij kishte prostituta në hotelin e vet.

Autoritetet gjermane nuk e pranuan kthimin e tij

Gjyshi i miliarderit të tanishëm më pas iu ishte bashkuar disa sipërmarrësve të tjerë, në vitin 1898, për ta blerë një anije. Anija lundruese "Elsie" ishte blerë për 3,500 dollarë nga 30 njerëz, të cilët shpenzuan edhe rreth 15,000 dollarë për tre vjet, për furnizime. Gjatë një udhëtimi me këtë anije, ku thuhet se kapiteni i saj nuk kishte haber në lidhje me lundrimin, ndodhi edhe fatkeqësia, ku gjyshi i Trump-it për pak i shpëtoi vdekjes. Gati katër vjet pas fatkeqë- sisë së anijes, Trump u kthye në fshatin e tij në Gjermani për t'u martuar me fqinjën, të cilën e donte, Elizabeth Christ, dhe të rehatoheshin në Gjermani, por autoritetet gjermane nuk e pranuan kthimin e tij, meqë nuk i ishte përgjigjur rekrutimit dhe nuk kishte paguar taksat. Kështu që të sapomartuarit u kthyen përsëri në Nju Jork. Në vitin 1905 lindi Fred Jr, i ati i Donald Trump-it. Ishte Fred Jr dhe nëna e tij, Elizabeth, që e krijuan perandorinë Trump, të cilën tani e udhëheqë i biri i Fred Jr, Donald Trump.

(Kosova Sot)