Fondi i dështimit

  • 29 August 2016 - 10:08
Fondi i dështimit

Premtimet qeveritare i bart era

Nokaj: Qeveria "Mustafa" nuk do të mbahet mend se bëri diçka të mirë në ekonomi

"Faktori kohë tregoi se edhe ky premtim për krijimin e Fondit të Punësimit dhe Zhvillimit, përmes të cilit do të bëhej një bum ekonomik, doli të jetë vetëm një gënjeshtër, sikurse edhe gënjeshtrat e tjera elektorale e paselektorale. Si PDK-ja, po ashtu edhe LDK-ja, që tani e kanë pushtetin, nuk kanë bërë ndonjë lëvizje rreth këtij Fondi", është shprehur deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti 

Në fushatën parazgjedhore të dy vjetëve më parë për zgjedhjet nacionale të vitit 2014, që e patën bërë ndaras Hashim Thaçi, por edhe Isa Mustafa, premtimi kryesor në ekonomi ishte krijimin e një Fondi për Punësim dhe Zhvillim, i cili synohej të arrihej përmes parave të Trustit Pensional dhe parave të Fondeve të privatizimit. Sipas analistëve, krejt kjo doli të jetë vetëm një farsë elektorale, sepse tash gati dy vjet pas premtimeve asgjë nuk doli të bëhet një realitet. Madje, asgjë nuk është realizuar edhe pasi u formua Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Dy partitë, që sot janë në koalicion, kishin premtuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik, duke u bazuar në kthimin e mjeteve të lartpërmendura. Sipas opozitës, premtimet e Isa Mustafës për një "bum ekonomik" ishin vetëm një gënjeshtër e kulluar. Deputeti i opozitës, Enver Hoti, Nisma për Kosovën, u shpreh se, sipas premtimeve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, na ishte thënë se nga këto fonde, që gjenden jashtë shtetit, do të investoheshin madje rreth 500 milionë euro në bujqësi, si dhe do të krijoheshin mbi 50 mijë vende të reja pune. "Faktori kohë tregoi se edhe ky premtim i tyre, se do të bëhet një bum ekonomik, doli të jetë vetëm një gënjeshtër, sikurse edhe gënjeshtrat e tjera elektorale e paselektorale. Si PDKja, po ashtu edhe LDK-ja, që tani e kanë pushtetin, nuk kanë bërë ndonjë lëvizje rreth këtij Fondi të Punësimit dhe Zhvillimit", është shprehur ai, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Arsenal premtimesh, pak realizime 

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ardian Nokaj thotë Qeveria e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, veç numrit të madh të gënjeshtrave elektorale që i premtuan para dhe pas fushatës elektorale, nuk do të mbahen mend diçka për të mirë në planin ekonomik, por vetëm për të keq. "Vetëm për 6 muaj të qeverisjes së tyre gjatë fundvitit të periudhës 2014 dhe fillimvitit 2015, ata jo vetëm se nuk i krijuan ato Fonde për Punësim dhe Zhvillimit, por, për fat të keq, e zbrazën Kosovën edhe me 130 mijë qytetarë, që nga skamja u detyruan ta braktisin Kosovën dhe t'ia mësyjnë Perëndimin, duke kërkuar shpëtimin nga varfëria e madhe që i kishte kapluar", është shprehur ai. Ish-ministri i Financave, Dr. Haki Shatri thotë se binomi i Qeverisë "Mustafa" e "Thaçi" kanë dhënë premtime të mëdha gjatë fushatës elektorale. "E keqja është se po këta të dy liderë kanë dhënë premtime të tjera edhe më të mëdha edhe pasi kanë hyrë në Qeverinë e koalicionit, kur e filluan punën e tyre. Ndonëse i kanë parë mundësitë dhe kapacitete e tyre, ata sërish premtuan gjithnjë e më shumë, duke e zgjeruar listën e premtimeve. Mirëpo, koha tregoi se nga ai arsenal i atyre i premtimeve, kanë realizuar pak", është shprehur Shatri. Ai tutje ka shtuar: "Si ekonomist që është, Isa Mustafa dhe partnerët me programin e tyre që e pati si program elektoral patën premtuar një zhvillimin ekonomik dhe me vete mori disa ekonomistë dhe për synim kryesor programor e pati fokusuar zhvillimin ekonomik.

Mirëpo, asgjë nga ajo që Isa Mustafa e ka premtuar nuk u realizua". Sipas Shatrit, fillimisht ka qenë reforma fiskale e paralajmëruar me pompozitet se do të mbrojë shtresat e varfra, por që nuk doli që të jetë e saktë dhe solli vetëm dështim pasi nuk u krye deri në fund. "Që e keqja të jetë edhe më e madhe kësaj Qeverie po i dështon edhe falja e borxheve, kurse veç saj po ky koalicion mezi e ka kompletuar edhe Bordin e AKP-së. Por, e meta është se në asnjë aspekt nuk kanë arritur atë që do të kishim dëshirë që ta arrinin. Andaj, me një fjalë, kjo Qeveri nuk ka arritur asgjë, sepse kanë dhënë premtime boshe, kurse populli po vuan", është shprehur ai.

Shahini: Mungon infrastruktura ligjore

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Visar Hapçiu, nga Oda Ekonomike Amerikane, ka thënë se duhet të ketë projekte, në mënyrë që ato mjete të shfrytëzohen."Ne e shohim si mundësi të mirë këtë propozimin që është dhënë kryesisht gjatë fushatës politike, që e jepte një numër i madh i partive, megjithatë duhet të ketë kujdes se si duhet të menaxhohet një fond i mundshëm. Siç dihet, fondet e trustit janë fonde të kursimeve pensionale të individëve dhe duhet të ketë një mënyrë shumë të kujdesshme se si do të duhej të përdoreshin ato. Kurse, për fondet e privatizimit them se do të ishte një mundësi e mirë që të ktheheshin në vend dhe të përdoreshin për projekte. Mirëpo, jo për projekte afat-shkurta, që nuk do të kishin ndonjë efekt multiplikativ, por për projekte që do të mundësonin një rritje dhe mandej ato që do të kishin efekte më të mëdha se sa edhe vetë investimi i atyre fondeve", ka thënë ai. Kreu i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se nuk është bërë asgjë deri më tani për t'i kthyer këto para."Nga premtimet që i përkasin të kaluarës nga partitë politike, se këto mjete do të kthehen në tregun tonë të Kosovës dhe me këto mjete do të gjenerohen vendet e punës, nuk doli asgjë. Madje, nuk është iniciuar asnjë ligj për t'i kthyer këto para në investime qoftë me iniciativa private apo publike", është shprehur ai. Sipas Shahinit, sa më shpejt të krijohet infrastruktura ligjore, aq më shpejt do të vinin këto mjete në tregun e Kosovës. Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka thënë se mjetet e trustit janë kursime të qytetarëve dhe si të tilla përmes letrave me vlerë shfrytëzohen në ekonominë e vendit."Nuk janë para publike, nuk janë para të shtetit të Kosovës, të Qeverisë së Kosovës, janë mjetet që ne qytetarët i detyrojmë të kursejnë nga të ardhurat e tyre. Trusti Pensional është aktori kryesor i tregut me letra me vlerë. Ne brenda vitit i grisim, i marrim prej tregut financiar në Kosovë rreth 100 milionë euro në letra me vlerë, me të cilat e financojmë buxhetin. Një pjesë e madhe e këtyre letrave me vlerë i blen Trusti Pensional, në një- farë mënyre ne po i fusim ato mjete në ekonomi. Normalisht, ka hapësirë ende të rritet pjesëmarrja e Trustit Pensional në tregun financiar, duke blerë më shumë letra me vlerë", ka thënë Hoti. Ndërsa mjetet e privatizimit, sipas Hotit, janë mjete publike. "Në momentin që kryhen kërkesat e punëtorëve potencialë, ato mjete vijnë në buxhetin e shtetit dhe përdoren për projekte zhvillimore. Ne e kemi bërë të qartë edhe në program qeverisës se do të krijojmë një fond zhvillimor edhe me mjete të Qeverisë edhe të privatizimit për të financuar projekte kapitale", është shprehur ai. 

(KOSOVA SOT)