Kërkohen master dhe doktorata falas për studentët e Luginës

  • 24 September 2016 - 20:33
Kërkohen master dhe doktorata falas për studentët e Luginës

KOSOVA LINDORE KA MUNGESË KUADROSH .

UPGJ-ja ka paraparë vende të mjaftueshme për studentët nga Lugina e Preshevës, për të cilët zbatohen edhe kuota të veçanta gjatë regjistrimit.

Llogaritet se në Luginë çdo vit maturën e mbarojnë rreth 700 nxënës.

Në Universitetin Publik "Kadri Zeka" të Gjilanit, ku sivjet diplomoi gjenerata e parë, vijojnë edhe një numër i studentëve nga Lugina e Preshevës. Regjistrimi i tyre bëhet sipas kuotave të veçanta. Kështu do të jetë edhe këtë vit dhe të tjerët në të ardhmen. UPGJ-ja është llogaritur të jetë institucion i arsimit të lartë edhe për studentët nga Lugina e Preshevës, por interesimi i të rinjve nga kjo trevë, deri më tani, nuk ka qenë aq i madh për të studiuar në Gjilan, për arsye të ndryshme, por mbi të gjitha për shkak të vështirë- sive për njohjen e diplomave të Kosovës në Serbi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pavarësisht, preferencave të të rinjve nga Kosova Lindore, autoritetet qendrore dhe komunale në Gjilan kanë këshilluar menaxhmentin e UPGJ-së që të përfshihen sa më shumë studentë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, madje edhe Kumanova. UPGJ-ja ka paraparë vende të mjaftueshme për studentët nga Lugina e Preshevës, për të cilët zbatohen edhe kuota të veçanta gjatë regjistrimit. Llogaritet se në Luginë, çdo vit maturën e mbarojnë rreth 700 nxënës dhe për rreth 35 për qind të tyre ka vend në UPGJ. Vërejtja tjetër e studentëve nga Lugina është se UPGJ-ja ofron drejtime të pakta, derisa komunat e Kosovës Lindore kanë nevojë më shumë për kuadro të shëndetësisë. Aktivistë nga Lugina e Preshevës mendojnë se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë më shumë për arsimimin e studentëve nga Lugina, edhe në nivelin master dhe doktoratë.

Fryma shqiptare nuk mbrohet vetëm në Tiranë e Prishtinë 

"Studentë nga Medvegja, Bujanoci e Presheva, të cilët studiojnë në universitetet publike të Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të lirohen nga pagesa e semestrave, vendosja në konvikte dhe nga ushqimi, ose për ta duhet të zbatohet një pagesë simbolike", thotë Refik Hasani, veprimtar nga Lugina. Ai mendon se edhe nëpër kolegje private, pagesa për këta studentë duhet të jetë përgjysmë më e ulët. "Dihet se për shumë vite është aplikuar njëanshëm taksa kufitare për shqiptarët nga Medvegja, Bujanoci e Presheva, për të hyrë në Kosovë dhe ato të hyra, tani duhet t'i kthehen në njëfarë mënyre Luginës, përmes ndihmës në shkollimin e të rinjve", thotë Hasani. Po ashtu, shton ai, edhe Shqipëria ka obligim moral, kombëtar e kushtetues ndaj shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të saj."Studentët nga komunat Medvegjë, Bujanoc e Preshevë duhet të lirohen fare nga pagesat për provime dhe studimet themelore, master dhe doktoratë", thotë Hasani. Sipas tij, universitetet publike të të dy shteteve shqiptare kanë për obligim të investojnë në shkollimin dhe arsimimin e kuadrove të kësaj krahine, duke u mundësuar që sa më shumë të ngrihen në aspektin profesional. "Fryma shqiptare nuk mbrohet vetëm në Tiranë, Shkup e Prishtinë, por edhe në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe hapësirat e tjera etnike, prandaj lirimi nga pagesa do të ishte një motiv shtesë për të rinjtë nga kjo anë. Këto tri komuna kanë nevojë për mbështetje financiare që të botohen libra e publikime që kanë të bëjnë me shqiptarët, prandaj presim që Kosova e Shqipëria të ndërrojnë qëndrimin ndaj krahinës së banuar me shumicë shqiptare në Serbi", thotë Hasani. 

Lehtësira duhet të ketë edhe te masteri dhe doktorata 

Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes "Vatra" në Gjilan, subjekt ky që tubon shqiptarët nga Lugina e Preshevës, thotë se problemet ekonomike në Kosovë dhe rajon janë pranishme, por ky problem është më i theksuar në Kosovën Lindore, shkaku i diskriminimit ekonomik, politik e shoqëror që i bëhet kësaj treve nga Serbia. "Jo vetëm në arsim, por në çdo sferë të jetës, banorëve të Kosovës Lindore duhet krijuar lehtësira në Republikën e Kosovës", thotë Kadriu. Ai e konsideron të pa matur deklaratën e ministrit Arban Abrashi, për pensionet që marrin banorët e Luginës, siç ka thënë ai, andej e këndej kufirit. "Çdo qytetari që jeton në Luginën e Preshevës duhet t`i sigurohen të mira materiale nëse duam që ajo trevë të frymojnë shqip". Sa i përket shkollimit, Kadriu thotë se sistemi arsimor në Republikën e Kosovës tani është duke i ndihmuar të rinjtë e atjeshëm, përmes lehtësirave që ka ofruar dhe veç- mas Universiteti Publik "Kadri Zeka" në Gjilan, duke iu siguruar vende të garantuara për regjistrim. Kurse sa i përket masterit dhe doktoratës, ai thotë se nuk ka informacione nëse ekzistojnë kuota të veçanta për këta studentë, por do të dëshironte që edhe te niveli i edukimit akademik, të kishte së paku lehtësira në pagesë. 

(Kosova Sot)