Drejtësia pa llogaridhënie i konvenon politikës

  • 24 September 2016 - 07:37
Drejtësia pa llogaridhënie i konvenon politikës

Kuvendi asnjëherë nuk debatoi për sistemin e kalbur të gjyqësorit e prokurorisë

Ismet Salihu: Opozita ka dështuar që çështjen e drejtësisë ta ngritë në Parlament 

"Në Kosovë nuk ekziston ndërgjegjja njerëzore e as politike dhe pafytyrësia është aq e madhe, saqë askush nuk skuqet për asgjë, derisa për fat të keq edhe në Kosovë kanë filluar të promovohen si vlera krimi, hajnia dhe korrupsioni, teksa në anën tjetër vetëm një ndërgjegjësim i qytetarëve do të mund t'i jepte fund kësaj gjendjeje kaq të rëndë në Kosovë", ka pohuar deputeti Adem Salihaj 

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë ngritur shqetësimin e tyre se në institucionin e drejtësisë, aty ku edhe ndahet drejtësia, nuk ekziston institucioni i llogaridhënies për asgjë, derisa hiç më mirë nuk qëndrojnë as edhe pushtetet e tjera në këtë aspekt. Kjo ngase, sipas tyre, vjen si rezultat i ndërhyrjeve politike për të mos vënë para përgjegjësisë abuzuesit e as për të mos i mbajtur përgjegjës para ligjit ata. Ndaj, në këtë drejtim është shtruar edhe pyetja se deri kur do të tolerohen abuzimet në drejtësi dhe përse askush deri më sot nuk ka dhënë dorëheqje e as nuk iu ka nënshtruar llogaridhënies për sistemin e drejtë- sisë të katandisur si është më së keqi. Njëkohësisht është ngritur çështja se pse pozita, por as opozita nuk kanë kërkuar asnjëherë që ta diskutojnë njëmend dhe seriozisht në rend dite në Kuvend çështjen e drejtësisë, për të parë se pse po ngec sistemi, nga ndërhyrjet politike apo paaftësia e gjyqtarëve? 

Sistemi i drejtësisë është i kapur

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se me aferën 'Pronto' është vërtetuar pa asnjë mëdyshje se sistemi i drejtësisë është i kapur dhe se të emëruarit aty shefa të vërtetë nuk i kanë kryetarët e gjykatave apo prokurorive, por njerëzit e krimit të organizuar, derisa, sipas tij, në Kosovë dorëheqje jepet vetëm kur një figurë është komprometuar aq shumë publikisht dhe kanë filluar hetimet kundër tij, por, siç tha, madje ka raste kur as në këso situatash nuk japin dorëheqjen, por presin derisa aktgjykimi të bëhet i shkallës së prerë dhe t'i dërgojnë në mbajtje të dënimit. " E gjithë kjo ndodh, sepse në Kosovë nuk ekziston ndërgjegjja njerëzore e as politike dhe pafytyrësia është aq e madhe saqë askush nuk skuqet për asgjë, derisa për fat të keq edhe në Kosovë kanë filluar të promovohen si vlera krimi, hajnia dhe korrupsioni, teksa në anën tjetër vetëm një ndërgjegjësim i qytetarëve do të mund t'i jepte fund kësaj gjendjeje kaq të rëndë në Kosovë", ka pohuar deputeti Adem Salihaj. Analisti Naim Kelmendi ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot" se institucioni moral i llogaridhënies në Kosovë, si në institucionet e drejtësisë, por edhe në fushat e pushtetet e tjera nuk funksionon, derisa Kelmendi shprehet pesimist dhe nuk beson se një gjë e tillë do të funksionojë as edhe për një kohë të gjatë, ngase, siç tha, janë pikërisht këto institucione që edhe përkundër asaj se ka pasur mjaft raste të shkelësve që kanë keqpërdorur dhe abuzuar me pozitën zyrtare etj., e që ato janë të njohura dhe nga publiku, por që asnjëherë askush nuk është nxjerrë para drejtësisë për llogaridhënie apo për abuzimin me ligjin ose me pozitën zyrtare. Po të ndodhte ndëshkimi, sipas Kelmendit, ata do të vepronin ndryshe, duke qenë më të kujdesshëm e të përgjegjshëm në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre, si bartës të funksioneve e pozitave të ndryshme në institucionet e vendit. "Por, këtu është më e keqja. Në këtë vend, në institucionin e drejtësisë, pikërisht aty ku edhe ndahet drejtësia, nuk ekziston institucioni i llogaridhënies për asgjë, derisa hiç më mirë nuk qëndrojnë as edhe pushtetet e tjera në këtë aspekt, dhe kjo jo për tjetër, por pikërisht për faktin se askush nuk do të vihet para drejtësisë për përgjegjësitë që mban, derisa abuzimet me përgjegjësitë që u takojnë bartësve të detyrave dhe funksioneve janë të shumta në institucionet e shtetit, e veçanërisht në ato të drejtësisë, por pa lënë anash edhe pushtetet e tjera ku për llogaridhënien as që mund të bisedohet në këtë drejtim nga ana e tyre. Ndaj këto institucione të shtetit janë si mos më keq. Askush për asgjë nuk jep llogari, dhe as që ndëshkohet, edhe kur abuzon me ligjin e drejtësinë, por dhe me përgjegjësitë që u takojnë", shprehet Kelmendi.

Kelmendi: Mospërgjegjësi totale ndaj vetë qytetarit

Por, Kelmendi ka ngritur shqetësimin e tij se ky mosveprim i institucioneve është një mospërgjegjësi totale ndaj vetë qytetarit dhe interesit të tij, ngase, siç tha, edhe në rastet kur atij i bëhet ndonjë shkelje e abuzim, prapë nuk ka institucion të ndëshkimit e të llogaridhënies. " Prandaj, kjo tregon se sa larg jemi nga standardi evropian sa i përket llogaridhënies dhe përgjegjë- sisë, dhe rrjedhimisht flet edhe për mendësinë dhe mosndëshkimin e mosfunksionimin e institucionit të llogaridhënies, ku 'Thembra e Akilit' në çështjen e llogaridhënies janë institucionet e drejtësisë, si segmente të rëndësishme të shtetit, ngase pikërisht këto institucione do të duhej ta bartnin barrën e llogaridhënies dhe mbajtjen e përgjegjësive në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe përgjithësisht shtetit ligjor pa të cilin as që mendohet funksionimi i shtetit juridik drejt zhvillimit dhe standardizimit demokratik të tij, e për të qenë afërsisht diku në një rang me standardin evropian", është shprehur Kelmendi. Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu thotë se në këtë drejtim edhe opozita ka dështuar, pasi është dashur që çështjen e drejtësisë ta ngritë në Parlament si një çështje kryesore dhe kruciale, derisa sipas tij, si pasojë e moskonsolidimit dhe mosrespektimit të ligjit ka ardhur edhe në shumëzimin apo praninë shumë të madhe të korrupsionit, sidomos atij të niveleve të larta në përgjithësi të kriminalitetit. " Andaj, mendoj se kjo është një ndër të metat e opozitës, e cila ka për detyrë dhe obligim prioritar të kritikojë dhe t'i qesë në pah të metat e pozitës, e cila është në Parlament, dhe kësisoj këtu kemi një dështim, derisa mendoj se opozita ka vepruar mirë, duke e iniciuar çështjen e Asociacionit dhe atë të Demarkacionit, por nuk mjafton që vetëm ato të jenë në maje të problemeve të opozitës dhe të merret kësisoj veç me to, ngase siç shihet tani edhe pse me vonesë, në rendin e parë të agjendës në Shqipëri është sistemi i drejtësisë, ku atje në këtë aspekt është angazhuar BE-ja, pastaj SHBA-ja, që në çdo mënyrë dhe metodë duan që t'ia imponojnë Shqipërisë që ta rregullojë sistemin e drejtësisë", ka theksuar profesori Ismet Salihu për gazetën, "Kosova Sot". Avokati Skender Musa ka veçuar se partitë politike, sikurse ato në pushtet, por edhe ato opozitare, asnjëherë nuk kanë shprehur ndonjë interesim për ta përkrahur sektorin e drejtësisë, derisa, sipas tij, kjo përveç tjerash shihet edhe përmes debateve që ata i zhvillojnë në Kuvendin e Kosovës, ku si pozita ashtu edhe opozita bëjnë akuza tendencioze për gjyqësorin sa herë që atyre nuk u konvenojnë vendimet e caktuara. Tutje, Musa ka nënvizuar se fatkeqësisht deri më tani kanë munguar debatet nga ana e tyre që të diskutojnë për problemet reale në këtë fushë, siç janë kushtet e punës së gjyqtarëve e prokurorëve, pastaj pagat e tyre apo rritja e buxhetit për këto institucione, etj. " Ndërsa, në drejtësi nuk ka të drejtë të ndërhyjë as Kuvendi, pasi drejtësia është e pavarur dhe nuk lejohet ndërhyrja nëse respektohet pavarësia. 

(Kosova Sot)