Prokurorët, robër të politikës

  • 24 September 2016 - 07:32
Prokurorët, robër të politikës

Antikorrupsioni denoncoi 1000 raste, organi i akuzës fle

Smaka: Heshtja e Prokurorisë e inkurajon valën korruptive

"Vetë fakti, që të kesh mbi 1 mijë fletëparaqitje për korrupsion dhe veprimtari të dëmshme për të gjitha strukturat politike, nga deputetët, qeveritarët, gjykatësit, prokurorët, anëtarët e bordeve etj., si dhe mos të bëhet asnjë akuzë, është fakti më i fuqishëm që flet për politizim të skajshëm të Prokurorisë, por edhe të gjykatave", u shpreh për gazetën Muhamet Kelmendi

Ish-drejtori dhe kreu i deridjeshëm i Agjencisë Kundër Korrupsion të Kosovës, Hasan Preteni, gjatë raportimit të tij të fundit për aktivitetin e deritanishëm të AKK-së, ka adresuar shumë kritika të adresë të Prokurorisë së Shtetit për mosveprim adekuat në pjesën dërrmuese të rasteve, që janë proceduar në Prokurori, për dyshimet e ngritura dhe të argumentuara nga AKK-ja për shkelje ligji dhe indikacione të bazuara për veprimtari të kundërligjshme, që nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të ndryshëm e deri te procedurat e prokurimit nëpër nivele të ndryshme të institucioneve publike. Ajo që del tani si pikëpyetje e madhe është se ku qëndron defekti real i mosfunksionimit të kësaj hallke ndërinstitucionale të koordinimit të luftës efikase kundër korrupsionit, pse Prokuroria nuk i mori seriozisht denoncimet e Antikorrupsionit, që u proceduan në Prokurori? A mund të jenë denoncimet e dërguara pa përgatitje profesionale dhe pa prova të sigurta, apo është kjo një dëshmi se kjo Prokurori nuk guxon dhe nuk reagon kundër shkeljeve të ligjit, kur bëhet fjalë për njerëzit e veshur me pushtet në të gjitha nivelet, e sidomos ata të nivelit të lartë. Kreu në largim i AKK-së, Hasan Preteni, i kontaktuar nga gazeta thotë se tani që po e dorëzon detyrën tek drejtori i ri i agjencisë, dhe i ka përfunduar mandati, nuk e sheh të arsyeshme që të flasë tutje për atë periudhë kohore, për të cilën është deklaruar shumë herë gjatë mandatit të tij, deklarime prapa të cilave ka qëndruar dhe qëndron edhe tani. Përgjigje për këtë çështje nuk arritëm të marrim as nga Prokuroria e Shtetit, pavarësisht se gazeta e ka kërkuar një përgjigje ditën e premte. Derisa ish-kreu i AKK-së për shkaqe etike nuk dëshiron të flasë për të kaluarën e raporteve të AKK-së me Prokurorinë, ekspertët e fushës së sundimit të ligjit, tehun e kritikës për mostrajtim meritor dhe ndëshkim adekuat të denoncimeve të AKK-së të ngritura pranë Prokurorisë së Shtetit ia hedhin shtyllës kryesore të sundimit të ligjit, drejtësisë së ndikuar tejskajshëm nga politika, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Heshtja e Prokurorisë përballë denoncimeve të Pretenit

Eksperti i së drejtës, Riza Smaka, thotë se derisa AKK-ja është institucion, që ka vetëm rol administrativ të hetimit dhe denoncimit të shkeljeve ligjore me dyshime të argumentuara për infiltrim korrupsioni, është Prokuroria që duhet të merret seriozisht me ato denoncime, por këtë nuk e ka bërë deri më tani, për shkak se ky niveli tanishëm i prokurorëve, sikurse edhe ai i në pjesën dërrmuese të gjyqtarëve, janë robër të politikës zyrtare- qeveritare. "Agjencia Antikorrupsion, e drejtuar nga Preteni, bëri punë profesionale, pavarësisht sfidave që e përcollën në procesin e ristrukturimit të plotë dhe fuqizimit të kësaj agjencie që nga themelimi deri më sot. Është punuar shumë nëpër një kohë me mjaft sfida, por gjithsesi që ka qenë një angazhim i përkushtuar dhe madje meriton edhe mirënjohje shoqërore dhe mbështetje institucionale. Edhe aktiviteti i Agjencisë në fjalë nuk është i lehtë, përkundrazi i penguar nga individë të instancave pushtetare të caktuar, por falë përkushtimit i njëjti i përballon mjaft suksesshëm edhe obstruksionet jo të pakta që i bëhen. Pengesa e arritjes së suksesit të duhur gjithsesi qëndron tek shkalla tjetër e vazhdimit esencial të hetimit për dyshimet e ngritura, tek Prokuroria. Dihet mirëfilli që Prokuroria e Shtetit, nga neni 109 i Kushtetutës së paku deri tani nuk i ka trajtuar rastet e paraqitura nga Agjencia Antikorrupsion sa dhe si duhet, gjë që është për t'u habitur për të keq", shprehet Smaka. Ai tutje thotë se shkaku i neglizhimit të rasteve të dyshuara nga Agjencia Antikorrupsion e të paraqitura në mënyrën e përcaktuar me ligjin e aplikuar, nuk mund të shpjegohet ndryshe, pos për motivacione korruptive. "Ndryshe Prokuroria të gjitha rastet e paraqitura nga Agjencia në fjalë do të duhej t'i trajtonte madje në procedurë të përshpejtuar, dhe ta informonte Agjencinë si dhe opinionin publik, i cili është tejet i interesuar për luftimin energjik dhe efikas të të gjitha formave të korrupsionit, të cilat në vendin tonë aktualisht e mjerisht janë të shumta e të ndryshme", spikat Smaka. Sipas tij, faktimin e përgjegjësisë që ka Prokuroria në hedhjen poshtë të shumicës së rasteve të Agjencisë e konfirmon vet heshtja nga Prokuroria e Shtetit përballë deklarimeve të Pretenit. "Në këtë kontekst heshtja e tillë e Prokurorisë në masë të konsideruar në vend të luftimit e stimulon dhe e inkurajon valën korruptive veçanërisht atë në nivelet institucionale", u shpreh Smaka.

Kelmendi: Antikorrupsioni u injorua e nënçmua

Gjykim të ngjashëm ka edhe eksperti tjetër i kësaj fushe, Muhamet Kelmendi, i cili vlerëson punën e bërë nga AKK-ja, por konstaton se ajo punë është nënçmuar dhe injoruar nga organi i akuzës, që është nën ndikim e thellë të politikës. "Është shumë e qartë, dhe konstatohet edhe me raportin që e dha AKK-ja nëpërmjet Hasan Pretenit, me të cilin përfundimisht u provua se jo vetëm policia, por edhe Prokuroria dhe të gjitha gjykatat në vend, janë të politizuara dhe nën kontroll të rreptë të politikës Preteni tha se janë bërë brenda një periudhe disavjeçare mbi 1 mijë fletëparaqitje penale në Prokurori. Ndërsa, nga informatat që kemi, provohet se Prokuroria nuk e ka akuzuar askënd nga ata të paraqiturit nga AAK-ja. Volumi prej 1 mijë fletëparaqitje për periudhën 10-vjeçare nga AKK-ja është një punë mjaft voluminoze dhe e suksesshme. Tjetër është pse Prokuroria nuk ka vepruar", u shpreh Kelmendi për gazetën. Ai ka pohuar se vetë fakti, që të kesh mbi 1 mijë fletëparaqitje për korrupsion dhe veprimtari të dëmshme për të gjitha strukturat politike, nga deputetët, qeveritarët, gjykatësit, prokurorët, anëtarët e bordeve etj., si dhe mos të bëhet asnjë akuzë, është fakti më i fuqishëm që flet për politizim të skajshëm të Prokurorisë, por edhe të gjykatave. "Prokuroria dhe gjykatat, sikundër dhe policia janë nën ndikim të ashpër të politikës. Ato subjekte të ndarjes së drejtësisë nuk kanë guxim të veprojnë kundër njerëzve të veshur me pushtet", ka nënvizuar Kelmendi.

Spahija: AKK-ja nuk ka mandat në hetim të thellë të rasteve korruptive

Mirëpo, pak më ndryshe mendojnë hulumtuesit e kësaj fushe në OJQ. Në Institutin Demokratik të Kosovës, KDI, programi për transparencë dhe antikorrupsion, konsiderojnë se të gjitha shtyllat e luftimit të krimit dhe korrupsionit në nivel vendi duhet të jenë më aktive, të fuqizohen dhe ristrukturohen, duke përfshirë këtu jo vetëm organin e akuzës por edhe Agjencinë Kundër Korrupsion. Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI/TIK (Instituti Demokratik i Kosovës /Transparency International Kosova), thotë se përkundë faktit se kemi Agjencinë Kundër Korrupsion, funksionale tash e një kohë, lufta kundër korrupsionit nuk është se ka përparuar. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit nuk ka ndryshuar në tri vitet e fundit, dhe Kosova ka 33 pikë. "Herën e fundit kur është publikuar ky Indeks, Kosova ka qenë në vendin 103 si më e korruptuar nga gjithsej 168 shtete dhe qëndron më keq krahasuar me vendit e rajonit, si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Duke parë Ligjin kundër korrupsionit, i cili përshkruan të kompetencat e AKK-së, vërehet se AKK-ja nuk ka mandat në hetim të thellë të rasteve korruptive, por mandati i saj është hetimi fillestar dhe pas të gjeturave të njëjtën çështje ta dërgojë në Prokurori për hetim të mëtutjeshëm. Gjatë punës së deri tanishme, ajo çfarë kemi parë është se AKK-ja ka dërguar lëndë në Prokurori, e Prokuroria më pas të njëjtat lëndë është dashur të fillojë hetime dhe të angazhojë policinë për hetim të mëtutjeshëm këtyre rasteve", u shpreh Spahija për "Kosova Sot". Ariana Qosaj-Mustafa shprehet se kjo është një lojë e fajësisë, që sa vite gjuhet përgjegjësia nga njëra palë në tjetrën. "Njëjtë ndodh edhe me gjykatat, të cilat kritikojnë prokurorët që nuk përgatisin aktakuzat me dëshmi të mjaftueshme. Mirëpo, një gjë është e sigurt se nëse AKK-ja mendon të vazhdojë me hetimin e rasteve dhe verifikimin e plotë të rasteve të deklaruara në AKK, do të duhej t'i rriste kapacitetet e veta investiguese dhe në këtë rast të përgatitet edhe legjislacioni adekuat, që do t'u mundësonte hetimin më serioz të rasteve", tregon ajo. Ajo shton tutje se Prokuroria jonë heziton të ushtrojë rolin e vet fatkeqësisht. "Prokurorët vazhdojnë të rrinë në zonën e rehatisë. E këtu po vazhdojmë të pësojmë vetëm ne qytetarët, fatkeqësisht".

(Kosova Sot)