Shtatorja e Shën Terezës që u ruajt e fshehur nga regjimi serb

  • 25 September 2016 - 19:07
Shtatorja e Shën Terezës që u ruajt e fshehur nga regjimi serb

Tash e rreth 15 vjet në qendër të qytetit të Gjakovës është e vendosur shtatorja e Nënë Terezës, tash Shën Terezës, shtatore e cila ishte punuar para 25 vjetësh, më 1991, por ishte ruajtur “si sytë e ballit” që mos t’iu bjerë në dorë pushtetarëve të instaluar serbë,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Shtatori i këtij viti, ose edhe më saktësisht 4 shtatori i 2016-ës, do të hyjë në historinë më të re, por edhe historinë e përgjithshme të kombit shqiptar si një ditë e shënuar. Atë ditë të diel, në kryeqendrën e botës së krishterë, në Vatikan, me bekimin e Papa Frençeskut, bija shqiptare, Nënë Tereza, alias Gonxhe Bojaxhiu, u shenjtërua, duke u shndërruar në Shën Tereza. Ishte ajo ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët kudo në botë dhe si e tillë edhe u kremtua kudo që ka shqiptarë. Myslimanë e të krishterë, ortodoks e të pafe, shqiptarët iu gëzuan këtij shenjtërimi, sepse në këtë mënyrë vetëm sa afirmohet kombi ynë, i cili, rishtazi, formoi edhe shtetin e vet të dytë, Kosovën. Gjakova dhe gjakovarët kishin edhe një arsye shtesë që t’i gëzohen këtij shenjtërimi, pasi Shën Tereza ishte mbesë e kësaj treve, meqë nëna e saj, Drane, vinte nga fshati Novosellë e kësaj komune.

 Pak veta i dinë autorët e shtatores!

Në shumë qytete shqiptare, të Kosovës e të Shqipërisë, sheshet apo rrugët kryesor bartin emrin e të shenjtës Terezë. Në ato sheshe apo rrugë janë të vendosura edhe shtatoret e saj, në shenjë nderimi e respekti për tërë atë që Shën Tereza bëri për afirmimin e kombit të vet shqiptar. Ngjashëm është edhe në komunën e Gjakovës. Rruga kryesore e qytetit bart emrin e Nënë Terezës (sigurisht se së shpejti ky emërtim do të reduktohet në Shën Tereza), ndërsa në qendër të qytetit, në parkun qendror, aty para Pallatit të Kulturës, është e vendosur një shtatore shumë e bukur e kësaj humaniste të madhe shqiptare. Edhe pse ajo shtatore e tërheq vëmendjen e të gjithë kalimtarëve, numri i të cilëve aty është mjaft i madh, të rrallë janë ata që e dinë se kush është autor i kësaj shtatoreje dhe cila është historia e saj.“Jo, vërtet nuk e di se kush e ka punuar këtë shtatore dhe kjo është padrejtësi ndaj autorit, sepse ajo është aq madhështore saqë meriton t’i dihet autori” e pranonte Skënder Morina, një qytetar relativisht i moshuar i Gjakovës. Jo vetëm Skënderi, por edhe shumë të tjerë qytetarë të Gjakovës, këtë nuk e dinë, edhe pse punimi i kësaj shtatoreje ka një histori shumë interesante. “Gjakova këtu e 25 vjet më parë e ka nderuar veprën e Nënë Terezës”, thotë profesori universitar, Ruzhdi Sefa, duke folur me kompetencë të plotë, pasi edhe vetë ishte një ndër protagonistët e idesë për t’u punuar kjo shtatore dhe e realizimit të saj.

 Për ide të mira ka gatishmëri edhe të rrezikohet

Kishte ndodhur kjo para 25 vjetësh, më 1991, në kohën kur pushteti i dhunshëm serb, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, kishte futur hundët në të gjitha poret e jetës në Kosovë. Serbët, si çdo pushtues tjetër, nuk ishin të interesuar, bile as që lejonin, që të afirmohet asnjë person apo ngjarje që kishte të bënte me historinë e lavdishme të shqiptarëve. Kështu ishte edhe me Nënë Terezën, të cilën, ata, shpesh tentonin ta prezantonin si maqedonase vetëm për faktin se ishte e lindur në Shkup, bile nga një herë edhe si indiane, pasi veprimtarinë e vetë kryesore e kishte zhvilluar në Kalkutë. “Duke e ditur rëndësinë që Nënë Tereza e ka për kombin shqiptar, e posaçërisht duke e ditur se sa mund të na ndihmojë një figurë e ndritur si ajo, në realizimin e kauzës sonë kombëtare, një grup shokësh, veprimtarësh intelektualë, kishim biseduar se do të ishte mirë që për të gjallë të saj t’i punohet një shtatore. Ideja u përkrah pa rezervë, por realizimi i saj nuk ishte aspak i lehtë. Duhej të gjendeshin artistët që do ta punonin atë, duhej të gjendej mënyra dhe vendi ku do të punohej, dhe tërë kjo ishte mjaft e vështirë, pasi ishin kohë pa kohë”, rrëfen sot, 25 vjet më vonë, Ruzhdi Sefa.

Për ide të mira gjithnjë janë gjetur njerëz që nuk kanë hezituar të angazhohen bile edhe të rrezikojnë. Kështu ndodhi edhe me këtë ide, pasi shumë shpejt u gjendën artistët që pranuan të jenë pjesë të realizimit të saj, e njëkohësisht u gjend edhe lokacioni ku do të punohej.

Shtatorja shumë herë e ndërroi “vendstrehimin”!

“Pa asnjë hezitim dhe pa kurrfarë hamendjeje, idenë tonë e përkrahën artistët, piktorët e skulptorët tash të ndjerë, Ibrahim Ponosheci dhe Masar Caka, dhe artisti Luan Pozhegu, që aktualisht jeton e vepron në Perëndim. Hasëm në mirëkuptim edhe tek zyrtarët e shkollës fillore “Mustafa Bakija”, të cilët na e lanë në dispozicion një hapësirë të kësaj shkolle dhe puna filloi. Ajo zgjati disa muaj dhe bëhej me shumë kujdes që të mos hetohet nga pushtetarët serbë, sepse po të hetohej, nuk rrezikonim vetëm ne, por çka është më e rëndësishmja rrezikohej puna e përkushtuar e këtyre artistëve. Më në fund shtatorja u krye”, rrëfen sot profesor Sefa. Në fakt, punës ia kishte filluar Luan Pozhegu, i cili kishte grumbulluar argjilën (mellën) e atij pastaj iu bashkuan profesorët Ponosheci e Caka. Me përfundimin e shtatores nuk kishte përfunduar e tërë puna! Duhej gjetur mënyrën se ku do të ruhej ajo shtatore për të pritur “ditë më të mira” kur do të ekspozohej pa frikë e pa drojë. “Edhe pse kam qenë fare i ri, më kujtohet se një kohë e kemi ruajtur në podrumin e shtëpisë sonë. Mirëpo, baba, duke dyshuar se dikush nga pushtetarët e ka nuhatur këtë gjë, kishte vendosur ta ndërrojë “vendstrehimin” e shtatores. Bile, “vendstrehimi” i saj është ndërruar disa herë. Një kohë të gjatë është ruajtur në të ashtuquajturat “Banesa Kineze”, por edhe në disa vende të tjera”, flet sot Kushtrimi, i biri i artistit Ibrahim Ponosheci, që së bashku me shokë e ka punuar këtë shtatore të Shën Terezës. Kështu, kjo shtatore u ruajt dhe priti “ditë më të mira”, të cilat erdhën pas çlirimit të Kosovës, kur shtatorja e Shën Terezës u vendos aty ku qëndron edhe sot, në qendër të qytetit të Gjakovës.

(Kosova Sot)