Mbetjet, kritika e parë e Bashës: Berisha gaboi!

  • 26 September 2016 - 20:27
Mbetjet, kritika e parë e Bashës: Berisha gaboi!

Deri të enjten e kaluar, Partia Demokratike nuk kishte marrë një vendim për të votuar kundër lejimit të importit të mbetjeve.

Vendimi u mor gjatë seancës plenare të së enjtes, me nisëm të Sali Berishës. Në një status në “Facebook” ish-kryeministri foli të hënën për pabesi të Edi Ramës ndaj votuesve. Lulzim Basha gjithashtu përmendi atë që quajti prerje në besë të kryeministrit që erdhi në pushtet edhe duke premtuar heqjen e ligjit të mbetjeve. Por në fund kishte edhe një qëndrim për ligjin e Sali Berishës kur ai ishte në pushtet. 

“Kam reflektuar për vendimin e marrë dhe ju them nëse do të isha para këtij vendimi, vendimi do të ishte negativ”, tha Basha. Nisma fillestare është e qeverisë “Berisha” në vitin 2011, por u desh të kalonin pesë vjet, prej të cilave tre në opozitë, që Lulzim Basha t’i bashkohej qëndrimeve kundër tij. “Vendimi ishte i gabuar, por jo vullneti”, tha kreu i PD. 

Pas kësaj “mea culpa” të vonuar, Lulzim Basha mori gjithë distancën e duhur për ta quajtur kthimin e importit të mbetjeve si një shkelje të premtimit elektoral nga kryeministri Rama dhe një hapje të Shqipërisë drejt interesave mafioze. Top Channel shkruan se 'pjesë e kësaj strategjie është mbështetja e protestave, Kërkesa ndaj presidentit për ta kthyer ligjin dhe nisma parlamentare për referendum'. Lulzim Basha kërkon ta kthejë çështjen e importit të mbetjeve dhe si një provë të modelit politik. "Ne do ta mbajmë premtimin. Import të mbetjeve nuk do të ketë”, tha Basha. 

(Kosova Sot)