Katër të arrestuar në Mitrovicë për “sulm ndaj personit zyrtar”

  • 28 September 2016 - 10:33
Katër të arrestuar në Mitrovicë për “sulm ndaj personit zyrtar”

Në orët e pasdites së djeshme, më 27 shtator, policia në Mitrovicë ka arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’, bën të ditur Avni Zahiti, zyrtar për informim publik i policisë në këtë komunë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20 në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Mitrovicë, në kohën kur zyrtarët policorë ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

Zyrtarët policorë kishin ndaluar një veturë, drejtuesi i të cilës kishte kryer kundërvajtje. Zyrtarët policorë kishin shqiptuar gjobën përkatëse. Por gjatë kohës së shqiptimit të gjobës ndaj kundërvajtësit të dyshuarit Rr. B. 42 vjeçar, në vendngjarje kishin ardhur edhe tre të dyshuarit e tjerë - F. B. 31 vjeçar, K. B. 19 vjeçar dhe L. B. 16 vjeçar, të cilët kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, me ç’rast tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor.

Ndaj tre të dyshuarve, pas procedurave intervistuese, me vendim të prokurorit publik është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa i dyshuari L. B. është liruar për procedurë të rregullt.

Ndaj tyre është iniciuar vepër penale ‘sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare dhe lëndim trupor’.

(Kosova Sot)