Familja humb breshkën që mbanin në shtëpi, e gjejnë 34 vjet më vonë aty ku nuk e prisnin

  • 29 September 2016 - 10:26
 Familja humb breshkën që mbanin në shtëpi, e gjejnë 34 vjet më vonë aty ku nuk e prisnin

Breshkat njihen për jetëgjatësinë e tyre, por edhe për faktin se janë të ngathëta dhe nuk shkojnë larg. Një familje në Brazil humbi breshkën që mbante në shtëpi në vitin 1982. Duke menduar se mund të kishte ikur në pyll, ata nuk e kërkuan më, por e kanë gjetur disa ditë më parë në papafingon e shtëpisë së vjetër. Ajo kishte qëndruar aty për 34 vite me radhë duke u ushqyer me termite.

Kjo është historia e breshkës Manuela, e cila i përkiste familjes së Almeida në Realengo, periferi e Rios. Manuela ka humbur në momentin që shtëpia po rikonstruktohej dhe të zotët e shtëpisë kanë menduar se kishte ikur në pyll, pasi kishte gjetur derën hapur gjatë punimeve.

Por vite më vonë, fëmijët janë rritur dhe në shtëpi ka mbetur vetëm babai, i cili në një moment ka menduar të nxjerrë mobiljet e vjetra nga papafingoja, ku ka gjetur edhe kafshën e preferuar të të bijve, të cilët tashmë ishin bërë prindër vetë.

(Kosova Sot)