Ja si mbijetojmë në Alepo

  • 23 October 2016 - 19:05
Ja si mbijetojmë në Alepo

hkruan: OMAIR SHAABAN

Duhet ta ruash veten nga shpërthimet dhe uria

Buka është duke u bërë gjithnjë e më e pakët dhe më e shtrenjtë. Ka pak oriz dhe makarona që janë sjellë nga organizatat humanitare botërore. Disa familje shesin sasinë e ushqimit që iu ka "tepruar"

Sot, e as dje, nuk ka pasur bombardime. Kjo është mirë, meqë d.m.th. se mund të dalësh nga shtëpia, të takohesh me miq, të shtiresh kinse je duke bërë një jetë normale. Por, përkundër kësaj, nuk ke si ta dish kur do të rifillojnë sulmet, apo sa të ashpra do të jenë ato. Lufta këtu vazhdon tash e katër vjet. Me qindra-mijëra njerëz kanë ikur, mijëra të tjerë janë vrarë, duke përfshirë edhe shumë miq të mi. Unë dhe gruaja ime jemi nga rreth 250 000 njerëzit që jemi zënë jesir këtu, në pjesën lindore, të rrethuar, të qytetit. Nëse dëshiron që të vazhdosh të jetosh në Alepo, atëherë duhet të gjesh mënyra si ta ruash veten nga shpërthimet dhe uria. Ja se si. Së pari, për të mbijetuar të gjitha llojet e sulmeve ajrore, me raketa, bombat e fosforit dhe bombat kasetë, duhet të jetosh në katet e ulëta (poshtme) të ndërtesave. Ato janë më pak të rrezikuara nga këto sulme sesa katet e epërme. Kur mbi ndonjë ndërtesë bie një bombë e vogël, ajo rëndom dëmton vetëm dy-tri katet e epërme. Ka shumë njerëz që jetojnë në ndërtesa, katet e epërme të të cilave janë shkatërruar. Por, as kjo siguri nuk është absolute. Forcat e regjimit të presidentit Assad, si dhe forcat ruse, tash vonë kanë filluar të përdorin bomba të cilat shkatërrojnë tërë ndërtesën. Duhet të qëndroni larg dhomave afër rrugës, meqë drita në dritare joshë bombahedhësit dhe snajperët.

Shkollat e nëndheshme

Para lufte unë studioja islamizmin në Universitetin e Alepos, por ndërtesat e këtij universiteti gjenden tani në pjesën e qytetit të kontrolluar nga qeveria, prandaj edhe i kam lënë studimet. Thuajse kurrë nuk dalim nga banesa. Nëse veç është e shkruar të vdesim, atëherë më mirë është që të vdesim të gjithë së bashku. Fëmijët janë të detyruar që të rrinë brenda, përndryshe askush nuk garanton për sigurinë e tyre. Tash e ca vjet shkollat dhe spitalet kanë kaluar në ndërtesa të nëndheshme. Gati çdo lagje ka nga një shkollë të tillë. Vullnetarët lokalë luajnë rolin e mësuesve. Edhe nëse posedon veturë, e ke të vështirë të gjesh karburant për të. Nëse dilni jashtë, kujdes që të mos bëheni në grupe me më shumë se 20 veta, përndryshe do t'ju vërejnë nga avioni dhe do t'ju sulmojnë. Dalja në qytet është e rrezikshme, sidomos gjatë natës, meqë nuk guxon t'i ndezësh dritat e veturës, përndryshe menjëherë të gjuan ndokush. Qëndrimi i vazhdueshëm në shtëpi mund të bëhet i mërzitshëm, prandaj të lindë dëshira që të shtiresh kinse je duke bërë një jetë sado-kudo normale. Njerëzit duan që të dalin jashtë, por askush nuk të garanton se do të kthehesh përsëri i gjallë. 

Nëse e humbni qetësinë, çmenduria vjen menjëherë pas

Kur i dëgjon bombat se si fluturojnë mbi kokën tënde, mjafton zhurma e tyre që të të çmendë. Për këtë shkak, duhet të provoni ta injoroni këtë. Nëse e humbni qetësinë, çmenduria vjen menjëherë pas. Një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve kanë mbetur pa shtëpi, pa asgjë, prandaj janë të detyruar që të lypin lëmoshë rrugëve. Para lufte ata kurrë nuk do ta paramendonin një fat të këtillë të keq për veten e tyre. As ata që kanë shtëpi nuk e kanë të lehtë që ta durojnë këtë situatë. Një fqinj imi bëri vetëvrasje pasi që i kishte vdekur një mik i ngushtë. Nëse shpëton disi nga bombardimet, atëherë të pret shqetësimi i radhës - sigurimi i ushqimit. Buka është duke u bërë gjithnjë e më e pakët dhe më e shtrenjtë. Ka pak oriz dhe makarona që janë sjellë nga organizatat humanitare botërore. Disa familje shesin sasinë e ushqimit që iu ka "tepruar".

Njerëzit këtu vuajnë pse duan liri

Njerëzit kanë filluar që të kultivojnë perime në oborret e tyre. Por, shumë kopshte janë shndërruar në varreza, meqë për shkaqe sigurie nuk mund të dërgohen të vdekurit për t'u varrosur në varreza. Sa iu përket spitaleve, duhet të lutesh dhe të shpresosh që të mos bëhesh për to. Ato janë në një gjendje tmerrësisht të mjerueshme. Era është e padurueshme. Pacientët që nuk mund të largohen, vazhdimisht bërtasin nga dhembjet që i kanë. Pse vazhdoj të qëndroj këtu? Alepo është qyteti im. Siria është vendlindja ime. Njerëzit këtu vuajnë pse duan liri. Para se të fillonte lufta, iu isha bashkuar demonstratave kundër regjimit të Assadit dhe më patën arrestuar, rrahur dhe më patën mbajtur në një qeli të vogël për pesë ditë. Ushtria e lirë siriane u përpoq që ta bënte një revolucion dhe kështu filloi lufta. Përkundër tërë këtyre rrahjeve, sulmeve ajrore, luftës, bombardimeve, unë dua që të jetoj në një Alepo të lirë. Dua të qëndroj këtu, ku kam lindur dhe ku kam jetuar tërë jetën time. Kjo është e drejta ime. 

(Omair Shaaban është një ish-student i Universitetit të Alepos, në Alepo, Siri) 

(Kosova Sot)