Paralajmërohet zbatimi i konkurrencës

  • 24 October 2016 - 22:36
Paralajmërohet zbatimi i konkurrencës

GJAKOVA KURRSESI TË PASTROHET NGA MBETURINAT!

Kompania publike komunale "Çabrati" aktualisht është e vetmja, që bën bartjen e mbeturinave nga qyteti i Gjakovës, por mbështetur edhe në Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave, paralajmërohet mundësia që shumë shpejt edhe këtu të aplikohet parimi i konkurrencës

"Çabrati" nuk e bën bartjen e mbeturinave nga shumica e fshatrave

Në një hulumtim që kohë më parë e ka bërë organizata Rinia Aktive e Gjakovës (RAGj) lidhur me nivelin e shërbimeve publike në këtë komunë, bartja, respektivisht menaxhimi i mbeturinave ka marrë një vlerësim pozitiv, pasi rreth 60 për qind të qytetarëve të anketuar janë deklaruar se ajo është në nivel të mirë. Këtë e thonë edhe vetë qytetarët e Gjakovës në biseda individuale, me ç'rast potencojnë faktin se kompania publike komunale për bartjen e mbeturinave, me mjaft përpikëri e respekton orarin e bartjes së mbeturinave në shtëpitë individuale. "Nuk e di për pjesët e tjera të qytetit, por e di se në rrugën ku unë jetoj, mbeturinat barten çdo të martë, dhe nuk ka ndodh, pos në ndonjë rast feste, që të mos respektohet ky orar. Madje, edhe kur të ndodh që e marta të jetë ditë e ndonjë feste, mbeturinat nga rruga e jonë bartën një ditë më vonë, të mërkurën", na ka thënë Afrim Morina, transmeton gazeta Kosova Sot.

Rrugët dhe sheshet e Gjakovës vazhdimisht të mbushura me mbeturina

Mirëpo, krejt ndryshe qëndron përshtypja dhe vlerësimi për mirëmbajtjen e pastërtisë në hapësirat publike të qytetit të Gjakovës. Jo rastë- sisht po e potencojmë se fjala është për qytetin e jo për komunën, pasi kompania "Çabrati" nuk e bën bartjen e mbeturinave nga shumica e fshatrave, siç thuhet, për mungesë të kapaciteteve. Disa herë është thënë, edhe publikisht, se këtë situatë e shfrytëzojnë disa operatorë privatë, të cilët kanë arrit marrëveshje me disa fshatra për bartjen e mbeturinave, po askush nuk di të thotë se ku, këta operator privat, i deponojnë këto mbeturina?! "Shiko rrugët, shiko sheshet e Gjakovës, ato vazhdimisht janë të mbushura me mbeturina. Kjo është e patolerueshme, por fatkeqësisht askush nuk po ndërmerr asgjë që kjo situatë të përmirësohet", është shprehur qytetari Asllan Halimi. Se situata në mbrojtjen e mjedisit dhe në menaxhimin e mbeturinave në komunën e Gjakovës nuk është e mirë, e pohon edhe Ardita Rizvanolli kryetare e bordit të kompanisë "Çabrati". "Edhe unë personalisht nuk jam shumë e kënaqur me situatën që në këtë sferë mbretëron në Gjakovë. Ka shumë probleme, duke filluar nga vetëdija e qytetarëve për mbrojtjen e ambientit e deri te përgjegjësia e secilit prej nesh. Situata e "Çabratit" aktualisht është më e mirë se që ka qenë në momentin kur ne si bord e kemi marrë mbikëqyrjen, por assesi nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi "Çabrati" ka një makineri mjaft të vjetruar, e cila shkakton mjaft humbje, meqë kemi investime të mëdha në mirëmbajtjen dhe riparimin e kësaj pajisjeje", ka thënë Rizvanolli në një debat që i ishte kushtuar kësaj problematike.

Edhe ndërkombëtarët kërkojnë tender për menaxhimin e mbeturinave

Nga ana tjetër, Shkumbin Kastrati, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Gjakovës, bën të ditur disa probleme të tjera, me të cilat ballafaqohen, kur është në pyetje mirëmbajtja e ambientit dhe menaxhimi i mbeturinave. "Ne si drejtori kemi një vullnet që të mbështesim kompaninë "Çabrati" si kompani publike komunale, pro nga ana tjetër jemi në presion karshi Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave, por edhe karshi institucioneve ndërkombëtare, me këtë rast DEMOS-it, për hapjen edhe të këtij sektori për të gjithë operatorët pavarësisht statusin që kanë ata, respektivisht që të shpallim tender për menaxhimin e mbeturinave. Jemi duke u munduar që të mbështesim dhe të mbrojmë "Çabratin", duke i lënë hapësirë kohore që ta marrin veten, në mënyrë që në të ardhmen e afërt kjo kompani të jetë e konsoliduar financiarisht, në mënyrë që në garën e ardhshme të jetë konkurrent i denjë për të fituar tenderin", ka thënë Kastrati. Për problemet që ka kjo kompani është e vetëdijshme edhe menaxherja ekzekutive e saj, Nora Gola, e cila një pjesë të përgjegjësisë për këto probleme e hedh tek qytetarët. "Edhe pse punë- torët tanë po angazhohen maksimalisht për të krye punën sa më mirë, situata në komunën e Gjakovës në këtë fushë nuk është e kënaqshme. Në këtë drejtim nuk po na ndihmojnë sa duhet as qytetarët duke mos i përmbushur në nivel të duhur obligimet financiare që i kanë karshi nesh, por edhe duke i hedhur mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin. Duket se do të jemi të detyruar që të aplikojmë edhe masa ndëshkimi, sepse nuk duhet harruar se sikurse që është furnizimi me ujë, ashtu edhe bartja e mbeturinave është një ndër çelësat e jetës më cilësore të qytetarëve", ka thënë Gola.

(Kosova Sot)