Danezët investuan 1 milion, shkolla bujqësore rrezikon të mbyllet

  • 26 October 2016 - 21:09
Danezët investuan 1 milion, shkolla bujqësore rrezikon të mbyllet

NXËNËSIT NUK PREFEROJNË TË SHKOJNË NË ZABEL, POR DUAN TË JENË NË QYTETIN E GJILANIT

"Tërheqja e bujqësisë në shkollën 'Xhavit Ahmeti' do vështirësonte procesin mësimor në gjimnaz, që në Gjilan njihet si një nga shkollat më elitare. Edhe për nxënësit e bujqësisë do të jetë më vështirë, sepse mësimin duhet ta mbajnë në qendër, kurse punën praktike ta bëjnë në periferi", është shprehur Fehmi Sylejmani, nga VV-ja

As bursat për nxënësit që orientohen në bujqësi nuk kanë ndihmuar në rritjen e interesimit 

Drejtuesit e shkollës së mesme të agrobiznesit në Gjilan, prej disa vitesh, po tërheqin vërejtjen për zvogëlimin e shpejtë të numrit të nxënësve. Ata paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerret diçka sa më shpejt, shkolla mund të mbyllet. Autoritetet komunale dhe arsimore në Gjilan, vitin e kaluar ndërmorën masat e para, duke ofruar bursa për nxënësit të cilët zgjedhin bujqësinë, por rezultatet ishin modeste. Me sa duket, shkolla e re, dhuratë e qeverisë daneze, e përuruar në vitin 2013, as serrat, fermat e pemishtet, për të kryer pjesën praktike dhe as fakti se Gjilani është rajon agro-industrial dhe bujqësia këtu ofron perspektivë për punësim, nuk po i joshin të rinjtë që të orientohen nga "Zabeli...", atje ku gjendet "Arbëria". Tani, autoritetet arsimore në Gjilan janë duke menduar për tërheqjen e bujqësisë nga "Zabeli..." në qendër, brenda kompleksit të shkollave të mesme. Duket se arsyeja kryesore pse të rinjtë nuk preferojnë agrobiznesin nuk është "Arbëria", por "Zabeli...". Nëse nxënësit nuk e kanë të qartë sa duhet, atëherë prindërit e tyre duhet ta kuptojnë se agrobiznesi është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit tonë dhe danezët, jorastësisht ishin përcaktuar për investime në një shkollë bujqësie. Përfaqësuesi i organizatës "Danida", Lars Ranfest, me rastin e përurimit të këtij investimi, kishte thënë se janë përcaktuar për këtë program, pasi që kishin vërejtur se në shkollat e Kosovës mungonte pjesa praktike e mësimit."Nëse këtu realizohet edhe projekti i konviktit, atëherë shkolla e Teknologjisë dhe Agrobiznesit në Gjilan, do të mund të garojë me shkollën amerikane të bujqësisë në Greqi", kishte thënë Ranfest, shkruan gazeta Kosova Sot.

"Arbëria" (s') kthehet në kompleksin e shkollave të mesme

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, para disa ditësh e kishte paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së bujqësisë brenda kompleksit të shkollave të mesme, për të ndalur ritmin e uljes drastike të numrit të nxënësve në "Arbëri". Arben Maliqi (LDK), anëtar i Kuvendit Komunal, ka thënë se duhet të vazhdohet kjo nismë, që "Arbëria" të tërhiqet brenda kompleksit të shkollave të mesme, meqë lokacioni jashtë qytetit, ku ndodhet tani kjo shkollë, nuk po i josh nxënësit dhe si pasojë e kësaj numri i tyre ka rënë dukshëm viteve të fundit, duke rrezikuar edhe mbylljen. "Serrat, pemishtet dhe fermat mund të mbeten atje, për nevoja të mësimit praktik", ka thënë ai. Opozita (VV) e ka kundërshtuar këtë nismë, nëpërmjet anë- tarit të saj në Kuvendin Komunal, Fehmi Sylejmani, njëherësh anëtar në Komitetin e Arsimit. Ai është treguar mjaft i rreptë ndaj pushtetit aktual në Gjilan, duke thënë se në heshtje ka vendosur ta mbyllë shkollën e mesme të bujqësisë, me arsyetim se nuk po shkojnë nxënësit në periferi të qytetit. Sylejmani thotë se është mëritë e tij që kjo nuk ndodhi para disa ditësh. Sipas tij, tërheqja e bujqësisë në shkollën "Xhavit Ahmeti" do vështirësonte procesin mësimor në gjimnaz, që në Gjilan njihet si një nga shkollat më elitare. Edhe për nxënësit e bujqësisë do të jetë më vështirë, sepse mësimin duhet ta mbajnë në qendër, kurse punën praktike ta bëjnë në periferi. Gjimnazi nuk mund të jetë edhe shkollë e drejtimeve natyrore, edhe shkollë e bujqësisë, ndërsa objekti modern në 'Zabel...' të mbyllet", thotë Sylejmani.

Bujqësia duhet të mbetet në Zabel

Sylejmani ka edhe dilemën se si do të arsyetohemi para donatorit që ka investuar mbi një milion e gjysmë euro në këtë shkollë, nëse e mbyllim atë. Sipas tij, nuk qëndron arsyeja se nxënësit nuk po joshen për t`u regjistruar në shkollën e mesme të bujqësisë, për shkak të largësisë nga kompleksi i shkollave të mesme. Ky arsyetim është absurd, sepse shkolla e mesme profesionale e bujqësisë, sipas standardeve, përveç objektit dhe kabineteve përcjellëse, brenda saj duhet të ketë edhe tokë pjellore të mjaftueshme për të kryer praktikën, gjë që e ka. Por, pse nuk po shkojnë nxënësit në këtë shkollë, sipas Sylejmanit, faji qëndron tek politikat e gabuara për arsimin, sepse po u krijohen mundësi nxënësve që të regjistrohen në mjekësi, ekonomi dhe gjimnaz, mbi numrin e planifikuar. Është e logjikshme që pastaj nuk do të ketë nxënës për bujqësi. Gjithashtu, drejtoria e arsimit do të binte në kundërshtim me vendimet e saj të mëhershme, për të ndarë bursa për nxënësit e kësaj shkolle, për të motivuar regjistrimin në drejtimet profesionale. "Prandaj, ne si subjekt opozitar kërkojmë nga organet arsimore që të mos bëjnë ndonjë veprim të pamatur dhe të paanalizuara mirë, sepse pasojat do të jenë të paparashikuara", ka thënë Sylejmani. Përndryshe, aktualisht në shkollën e bujqësisë vijojnë 221 nxënës, 95 në klasën e dhjetë, 85 - në të njëmbëdhjetën dhe 41 në klasën e dymbëdhjetë. Në shkollat tjera të mesme ky numër është 4-5 herë më i madh. 

(Kosova Sot)