Limaj: Tash e pas do të punoj në demaskimin e prokurorëve e gjyqtarëve të kapur

  • 28 October 2016 - 21:57
Limaj: Tash e pas do të punoj në demaskimin e prokurorëve e gjyqtarëve të kapur

Kryetari i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limajt, ndaj të cilit sot është ngritur një akuzë e re për krime lufte, për dy vrasje që kanë ndodhur në tetor të vitit 1998 në Komunën e Malishevës, ka thënë se më nuk është përball drejtësisë, por përballë organeve të ndjekës.

“Më nuk jam përballë organeve të drejtësisë, por përball organeve të ndjekës, sepse jam duke u ballafaquar me përndjekje. Do t’i përgjigjem organeve të ndjekjes”, ka thënë Limaj në një intervistë për RTK.

Limaj ka sqaruar se nga shkresat e lëndës, ka lexuar se rasti konkret është hetuar tre herë. “Në vitin 2000-2001 hetimet ndaj meje janë mbyllur, sepse nuk ka pasur prova. Po ashtu në vitin 2002, thonë që rasti është mbyllur se nuk ka pasur prova dhe pastaj lënda i është dërguar Hagës dhe Haga e ka mbyllur, se nuk ka pasur prova dhe e ka marrë EULEX-i, edhe e ka mbyll, thonë se nuk ka pasur prova. Në shkresa të lëndës thuhet se rasti për Zotin Limaj mbyllet se nuk ka prova”, theksoi Limaj.

Po ashtu ai ka sqaruar se, kur ndaj një njeriu zhvillohen hetimet dhe mbyllen hetimet se nuk ka prova, pastaj mund shkohet dhe rihapet hetimi vetëm kur ka prova dhe në rastin konkret nuk ka prova, hetimi tanishëm është bërë nën nivelin që ka hetuar UNMIK-u.

“Akuza thotë, akuzohet se nuk keni parandaluar vrasjet që kanë ndodhur në një fshat të rajonit që gjoja kam qenë unë”, tha Limaj dhe shtoi se për të ndodh ajo duhet me ditë kush janë vrasësit dhe Prokuroria nuk i ka të identifikuar vrasësit dhe si mundet më parandaluar diçka që nuk din?

“Po flitet për një rast që ka ndodhur më 2 tetor dhe në tetor forcat serbe kanë qenë në tërë territorin e Malishevës, në atë kohë forcat serbe kanë qenë edhe në Kleçkë dhe janë larguar nga aty në fund të tetorit. Dhe unë akuzohem se pse nuk kam zhvillu hetime në këtë kohë”, tha ai dhe shtoi se tendenca e Prokurorisë nuk është me zbuluar rastin, por për të ndjekur emrin.

Limaj ka theksuar se tani e tutje më nuk do të flet për këtë rast, por tërë energjinë  tij do ta drejtojë në shtetin ligjor.

“Kontributi im do te jetë me e zbërthyer gjendjen nga grupet që po e shkatërrojnë vendin tonë. Pra, puna dhe angazhimi im do të jetë që ky vend ta fitojë atë që nuk e ka, shtetin ligjor”, tha Limaj 

(Kosova Sot)