Humb jetën minatori shqiptar, e zuri masivi shkëmbor

  • 01 July 2015 - 21:01
Humb jetën minatori shqiptar, e zuri masivi shkëmbor

Një 44-vjeçar nga Kukësi me banim në Durrës është gjetur i vdekur pasditen e së mërkurës, pranë vendit të punës në fshatin Shëngjin në Komunën e Fanit në Mirditë. Viktima është identifikuar si Ipsen Elezi, i cili ishte punonjës i hidrocentrali që po ndërtohet nga një firmë Turke në këtë zonë të Mirditës.

Ka qenë një punonjës tjetër i cili ka pikasur 44-vjeçarin e vdekur dhe e ka dërguar në Spitalin e Kukësit, ku po i nënshtrohet edhe mjekësisë ligjore. Personi i cili e ka dërguar në spital ka dëshmuar se 44-vjeçari është aksidentuar gjatë punës, duke i sjellë edhe vdekjen e menjëhershme.

Në lidhje me ngjarjen Policia e Mirditës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit në punë që i mori jetën 44-vjeçarit Elezi. Nga ana tjetër Inspektorati i Punës në Lezhë i cili mbulon edhe rrethin e Mirditës nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen edhe pse është institucioni kryesor që merret me sigurinë e punonjësve në punë.

Kjo është viktima e 4 në harkun kohor të një viti që humb jetën gjatë punës për ndërtimin e HECI-it në Mirditë, kjo për shkak se kushtet ku punohet lenë shumë për të dështuar dhe nuk ka asnjë element teknik për mbrojtjen e jetës së punëtorëve. Edhe pse janë në dijeni të këtij fakti institucionet vijojnë të heshtin, duke pritur ndonjë tragjedi më të rëndë për të vepruar në penalizimin e kësaj firme e cila i përdor punonjësit si skllevër të vërtetë.