2017-a, viti i Speciales

  • 31 December 2016 - 08:12
2017-a, viti i Speciales

Gjatë këtij viti priten aktakuzat e para për krime lufte.

"Në vitin 2017 do të fillojnë gjykimet e para, ndërsa me vetë fillimin e gjykimeve të para, nëse atje përballen me akuza zyrtarët e lartë politikë të cilësdo parti, definitivisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë", theksoi avokati Tomë Gashi ,raporton Gazeta Kosova Sot

Përfundimisht viti 2017 do të jetë ai kur edhe do të fillojnë gjykimet e para nga Gjykata Speciale me seli në Hagë (Holandë), ndërsa me vetë fillimin e gjykimeve të para nëse atje përballen me akuza zyrtarët e lartë politikë të cilësdo parti qoftë atëherë definitivisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë. Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit e këtyre rrethanave, të cilët po ashtu kanë thënë se meqë gjykatat tona në asnjë rast nuk kanë denjuar të merren me këto raste, qoftë edhe të supozuara, ka ardhur për rrjedhojë krijimi i Gjykatës Speciale, ku përkundër kundërshtimeve për krijimin e saj, më në fund duke qenë me interes për vendin dhe zhvillimet demokratike të tij, ajo edhe është votuar nga Parlamenti i Kosovës. Ndaj në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se çfarë ndryshimesh do të sjellë në skenën politike dhe atë juridike viti 2017, kur priten edhe aktakuzat e arrestimet e para nga Gjykata Speciale, po ashtu do të realizohet reforma në drejtësi vitin që po vjen dhe të bëhet edhe ligji për dekriminalizimin? Avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se definitivisht që nga viti 2015, kur është nxjerrë Ligji për Gjykatën Speciale dhe për Prokurorinë Speciale që selinë do të kenë në Hagë (Holandë) autoritetet e Kosovës, sipas tij, nuk kanë kurrfarë mundësie që të ndikojnë në fillimin apo mbarimin e punës së Gjykatës Speciale. "Tanimë unë veç sa kam qenë një javë atje në një seminar-konferencë për Gjykatën Speciale në Hagë, ku janë duke u bërë përgatitjet, por jo përfundimtare, por sigurisht që kjo edhe pak do të zgjasë, mirëpo përfundimisht në 2017 do të fillojnë gjykimet e para, ndërsa me vetë fillimin e gjykimeve të para, nëse atje përballen me akuza zyrtarët e lartë politikë të cilësdo parti, atëherë definitivisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë", theksoi ai

Priten ndikime në luftimin e krimit dhe korrupsionit Avokati tjetër, Skender Musa, thotë se Gjykata Speciale pa dyshim se do të ketë ndikim edhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi në Kosovë, e posaçërisht në mënyrë të veçantë do të ketë ndikim në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. "Edhe gjykatat vendore, por edhe prokuroritë pas ndryshimeve që do të bëhen në kreun e tyre do të merren shumë më seriozisht me këto dukuri që po e shqetësojnë në vazhdimësi shoqërinë kosovare, mirëpo sa u përket ndikimeve në aspektin politik pa dyshim se në bazë të njohurive dhe informacioneve, që ne i disponojmë do të ketë edhe ndikim politik, për shkak se pritet që të akuzohen struktura mjaft të larta politike në Kosovë, që kanë pushtet aktual dhe për rrjedhojë kjo pa dyshim se ndikon edhe në skenën politike në përgjithësi", ka vijuar Musa. Por, më tej ai ka shtuar se sa i përket ndikimit të institucioneve të Kosovës në vendimmarrjen apo në hetimin e çështjeve nga Gjykata Speciale, në mënyrë absolute, sipas tij, organet e Kosovës nuk kanë asnjë lloj ndikimi në Gjykatën Speciale. "Kjo e fundit do të veprojë në bazë të ligjit dhe plotë- sisht e pavarur nga tërë Kosova", ka nënvizuar për gazetën "Kosova Sot" avokati Skender Musa.

Drejtësia kosovare e paguximshme Analisti politik, Naim Kelmendi, ka pohuar se ashtu edhe siç është e njohur për opinionin se Gjykata Speciale është ngritur për të gjykuar krimet e supozuara të luftës në Kosovë, e që, sipas tij, këto krime, ishte dashur që të gjykohen nga gjykatat tona. "Por, meqë gjykatat tona në asnjë rast nuk kanë denjuar të merren me këto raste, ku në mungesë të guximit dhe etikës për t'i gjykuar ato krime të luftës, qoftë dhe të supozuara, sikur po thuhet, ka ardhur për rrjedhojë krijimi i Gjykatës Speciale, ku përkundër kundërshtimeve për krijimin e saj, pra krijimi i saj, më në fund duke qenë me interes për vendin dhe zhvillimet demokratike të tij, edhe është votuar nga Parlamenti i Kosovës", ka vijuar më tej ai. Tutje Kelmendi ka nënvizuar se Gjykata Speciale bazën e krijimit të saj e ka pikë së pari, siç tha, në Raportin e Dik Martit për krimet e supozuara të luftës, por që në këtë listë janë edhe mjaft emra të apostrofuar, të cilët janë pjesë e jetës politike në institucionet e shtetit, e që përbëjnë raste potenciale për t'u nxjerrë para kësaj gjykate, gjersa, sipas tij, po ashtu janë të apostrofuar politikanë, që janë në krye të institucioneve më të larta, sikur në Parlamentin e Kosovës, e deri në Presidencë. Por, Kelmendi shton se veç kësaj do të ishte mirë që në domenin e saj të ishte edhe gjykimi për krimet e kryera të pasluftës, e veçmas kur dihet se kanë ndodhur mjaft vrasje politike të pasluftës, ku janë vrarë mjaft personalitete politike të mirënjohura, veçanërisht të skenës sonë politike, pra të vijës institucionale, rrjedhimisht të një partie të LDK-së, e që për to as UNMIK-u nuk ka qenë i interesuar për zbardhjen e tyre. 

Pak shpresë për ndryshime të menjëhershme "Ndërsa, në anën tjetër pas kaq kohësh, është folur se Gjykata Speciale tanimë është thuaja në finalizim dhe në përgatitje të stafit të gjyqtarëve, por edhe stafit tjetër dhe më në fund shpresojmë se do të arrestohen të apostrofuarit e lartcekur sidomos ata kriminelë të pasluftës, që të njëjtit të sillen para drejtësisë, në të kundërtën konsideroj se nuk do të ketë qetësi dhe stabilitet në vend, por as rend e ligj edhe në vitin 2017, por edhe në vitet vijuese", ka theksuar analisti Naim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot". Arton Demhasaj, nga organizata 'Çohu', ka nënvizuar se ajo që po shihet tani për tani, thuajse edhe viti 2017 do të jetë pak a shumë i ngjashëm dhe i natyrës së njëjtë me vitin paraprak, derisa, sipas tij, nuk pritet ndonjë ndryshim i madh qoftë në skenën politike apo atë juridike. "Kjo pasi të njëjtët njerëz janë akoma në pushtet dhe që kanë funksione publike, kështu që prapë po vlerësoj se nuk ka ndonjë mundësi që me njerëzit e njëjtë të ketë ndonjë ndryshim të prekshëm, përveç nëse Gjykata Speciale do ta bëjë një gjë të tillë, ani pse akoma nuk dihet të paktën në opinion se kush do të arrestohet, apo ndaj kujt do të ngrihet aktakuzë nga kjo e fundit", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" Arton Demhasaj, nga organizata 'Çohu'

(Kosova Sot)