Mos besoni në zgjidhje magjike - besoni në vullnetin e fortë politik dhe në punën e mundimshme politike

  • 02 January 2017 - 07:35
Mos besoni në zgjidhje magjike - besoni në vullnetin e fortë politik dhe në punën e mundimshme politike

Shkruan:Ulrike Lunacek

SHKRIM EKSKLUZIV I ZËVENDËSPRESIDENTES SË PARLAMENTIT EVROPIAN DHE RAPORTUESE E PE-SË PËR KOSOVËN

Kosovarët në të kaluarën kanë treguar se nuk iu mungon guxim

PE-ja dhe unë vazhdimisht kemi apeluar te pesë vendet e mbetura, hezituese të BE-së, që të heqin dorë nga rezistenca e tyre dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë do të ishte shumë më i fortë sikur të gjitha shtetet anëtare të BE-së të vepronin të bashkuara

Gjatë viteve të kaluara, për mua është bërë traditë me vlerë dërgimi i komentit tim për numrin special të gazetës "Kosova Sot", me rastin e Vitit të Ri. Shkrimin e këtij viti do ta filloj me rikujtimin e Ibrahim Rugovës, laureatin e çmimit Sakharov të vitit 1998, i cili vdiq dhjetë vjet më parë. Ai vazhdon që të jetë simbol i pavarësisë së Kosovës dhe, ajo që është më me rëndësi për politikën e tashme në vend dhe jashtë tij, një simbol i betejës jo të dhunshme, një poet i madh dhe lider i shqiptarëve të Kosovës kah një e ardhme evropiane. Presidenti Rugova ju thoshte vazhdimisht juve, qytetarëve të Kosovës: "Nuk kam për t'jua ofruar asnjë zgjidhje magjike, asnjë plumb magjik për ta sjellë paqen". Jam e bindur se këto mendime janë po ashtu shumë të përshtatshme me situatën aktuale në Kosovë.

Normalizimi nënkupton implementimin e çdo gjëje të dakorduar

Politikanët nuk janë magjistarë! Politikanët duhet të jenë gra dhe burra me vizion, sikur që ishte Ibrahim Rugova. Ai deklaronte shumë qartë: "Vizioni im është që vendi ynë duhet të integrohet në BE, ta bartim një pjesë të pavarësisë sonë atje. Kjo është edhe detyrë të cilën duhet ta bëjmë, nëse duam një tregti dhe ekonomi të fortë. Ky është vizioni në të cilin jam duke punuar dhe do të vazhdoj që të punoj edhe në të ardhmen". Ky citat i Rugovës është ende i vlefshëm dhe është thënë qartë në këto deklarata se politikanët duhet të punojnë shumë, sipas asaj që ka thënë sociologu dhe ekonomisti politik gjerman Max Weber, i cili e përshkroi politikën si "një shpim i fortë dhe i ngadaltë i dërrasave të forta. Ajo kërkon pasion, si edhe perspektivë". Për mua, perspektiva e Kosovës është e qartë: pajtim në regjion dhe integrim në BE. Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë vende evropiane, ato janë të rrethuara nga shtetet anëtare të BEsë. Pajtimi dhe zgjerimi i BE-së mbesin në interes, si të BE-së, po ashtu edhe të vendeve të këtij regjioni. Qëllimi im dhe ai i BE-së është që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Në këtë aspekt implementimi i tanishëm i marrëveshjes së arritur në dialog për kodin telefonik për Kosovën, ishte një hap përpara nga marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis republikave të Kosovës dhe Serbisë. Por, normalizimi nënkupton implementimin e çdo gjëje të dakorduar, pa përjashtime. Këtë duhet ta bëjnë të dyja palët, duke mos pritur palën tjetër të veprojë e para. Qeveria e Serbisë e di, edhe pse mundohet ta injorojë, se BE-ja, pas rastit të Qipros, nuk do ta pranojë asnjë shtet tjetër me kufij të pacaktuar qartë. Për këtë shkak jam optimiste se procesi i dialogut do të ndikojë që Serbia t'i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe kjo, në fund, nënkupton njohjen e Kosovës. 

Bashkohuni për të lobuar te ministrat e Brendshëm, te deputetët dhe mediet në kryeqytetet e BE-së

Lajmi tjetër i mirë gjatë vitit të kaluar erdhi nga UEFA, ku Kosova u bë anë- tari i 55-të i kësaj organizate të futbollit. Ky ishte një hap tjetër i rëndë- sishëm për përfundimin e izolimit të sportistëve, artistëve dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo është edhe një shtytje për njohjen e plotë ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës dhe, shpresojmë, të përfshirjes së shpejtë të Kosovës në të gjitha organet e OKBsë. Dhe, pas finalizimit të MSA-së midis Kosovës dhe BE-së, në fillim të vitit 2016 dhe vetëm disa hapave të mbetur deri te liberalizimi i vizave, i inkurajoj të gjitha partitë politike të Kosovës, që të vazhdojnë të punojnë për Kosovën në një mënyrë konstruktive dhe për një shpirt evropian, duke ua rikujtuar atyre traditën e mirë të mosbindjes qytetare të Kosovës, pa asnjë formë të dhunës, për shkak se progresi i Kosovës brenda vendit, si dhe në rrugëtimin e saj kah BE-ja, është dëmtuar nga protestat e dhunshme. Të jemi të sinqertë, unë u trondita nga një sjellje e tillë e dhunshme dhe kam dënuar fuqishëm ato sulme, për më tepër që disa prej tyre ndodhën brenda Kuvendit. Po ashtu, më vjen shumë keq që imazhi i Kosovës jashtë është dëmtuar edhe më shumë nga incidente të tilla. Dhuna nuk do t'i bindë ministrat e Brendshëm në kohën e krizës më të madhe të refugjatëve/politike/ të solidaritetit në BE me të cilën ballafaqohet BE-ja, se liberalizimi i vizave për Kosovën është gjë e mirë. Për këtë shkak, mesazhi im për politikanët e Kosovës është i qartë: më mirë bashkohuni për të lobuar te ministrat e Brendshëm, te deputetët dhe mediet në kryeqytetet e BE-së, ku shoh një rol të rëndësishëm për shembull për Komitetin e integrimit evropian dhe të punëve të jashtme të Kuvendit të Kosovës. Është koha që qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje ta shijojnë lirinë e lëvizjes, për t'i vizituar miqtë dhe familjarët në BE, në kohëzgjatje deri në tre muaj. Sikur që e dinë të gjithë, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk lejohen që të udhëtojnë pa viza në BE, deri në tre muaj. Kjo situatë anormale duhet të ndryshojë së shpejti, me qëllim që qytetarët të mos ndihen më "të ngujuar". Liberalizimi i vizave nuk është një e drejtë për se, ai duhet të meritohet. Qeveria dhe Kuvendi në Prishtinë i kanë përmbushur gati të gjitha kushtet e kërkuara. Drita jeshile nga Komisioni për liberalizim të vizave, me kusht që të përmbushen edhe dy kushtet e mbetura, ishte lajm shumë i mirë vitin e kaluar. Tani topi gjendet në duart e Parlamentit të Kosovës dhe të Qeverisë së saj. Ngecja aktuale duhet të marrë fund. Dy kushtet e mbetura munden dhe duhet të plotësohen shpejt nga Kosova: ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është një domosdoshmëri. Dhe, natyrisht, Qeveria e Kosovës duhet të japë rezultate edhe në lidhje me kushtin tjetër: arritjen e një progresi të mëtejmë në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në nivelin e lartë. Korrupsioni ende mbetet i përhapur, sikur edhe në vendet e tjera të rajonit. Për këtë shkak, luftimi i korrupsionit tanimë është një 'conditio sine qua non'. Të gjitha raportimet e mia ftojnë Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, duke përfshirë edhe vetë radhët e veta. 

Kosova ka nevojë për tërë talentin e qytetarëve të saj

Pasi që të bëhet e tërë kjo, topi përsëri do të jetë në duart e BE-së: ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian (EP) do të duhet t'i respektojnë premtimet që i kemi bërë. Unë jam optimiste dhe, sikur në të kaluarën, PE-ja është mbështetësi më i fuqishëm i Kosovës në mesin e institucioneve të BE-së. Si raportuese e përhershme, unë e ofroj mbështetjen time të plotë dhe do të bëj krejt atë që mund ta bëj, për ta mbështetur Kosovën edhe më tej në këtë rrugë- tim. 

Unë mendoj se tri problemet më të mëdha dhe më urgjente, me të cilat duhet të merret Kosova, janë:

1. Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, sikur që thashë më lart - psh emërimi në poste të caktuara, sidomos në administratë, duhet të bazohet te merita dhe tenderët duhet të jenë transparentë. 

2. Në aspektin ekonomik, investimet janë të vogla, infrastruktura dhe shërbimet publike (psh edukimi, shëndetësia) duhet të përmirësohen urgjentisht. Duhet të hapen më shumë vende të reja të punës për të rinjtë dhe për femrat - papunësia e femrave është njëra ndër më të lartat në regjion! Kosova ka nevojë për tërë talentin e qytetarëve të saj, si meshkuj, po ashtu edhe femra. Femrat kanë nevojë urgjente për një fuqizim më të madh ekonomik dhe social, në të gjitha fushat, qoftë në edukim, promovim të karrierës, në betejën kundër kufizimeve ("glass ceiling"), në përmirësimin dhe rritjen e qendrave për kujdes ndaj fëmijëve, apo në luftën kundër dhunës në familje dhe të asaj seksuale, apo të mungesës së të drejtës për trashëgimi. Sikur që kishte thënë ish-presidentja Atifete Jahjage në fjalimin e saj të dalluar në Forumin global "Femrat në parlament" në Aman, më 5 maj të vitit 2016, ku mora pjesë edhe unë: "Femrat duhet ta sfidojnë mentalitetin dhe traditat patriarkale, të cilat kufizojnë pjesë- marrjen e tyre të plotë në të gjitha nivelet e shoqërisë". Dhe, unë do të shtoja: Ne kemi nevojë për meshkujt të cilët i mbështesin femrat në këto beteja!

Dhe 3. Kosovarët duhet ta marrin përgjegjësinë për atë që është duke ndodhur në Kosovë, problemet më nuk mund t'i atribuohen "Serbisë", "BE-së", "ndërkombëtarëve", "EULEX"- it, apo ndokujt tjetër. Qytetarët dhe institucionet kosovare duhet të marrin më shumë përgjegjësi për veprimet dhe të ardhmen e tyre. Por, natyrisht, edhe BE-ja duhet të punojë. PE-ja dhe unë vazhdimisht kemi apeluar te pesë vendet e mbetura, hezituese të BE-së, që të heqin dorë nga rezistenca e tyre dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë do të ishte shumë më i fortë sikur të gjitha shtetet anëtare të BE-së të vepronin të bashkuara. Raporti im i ardhshëm për Kosovën, midis tjerash, do të përsëritë kërkesën ndaj pesë vendeve hezituese, duke apeluar te to që përfundimisht ta njohin pavarësinë e Kosovës, pa shtyrje. Fatkeqësisht, kjo rezolutë (sikur edhe shumë të tjera në fushën e punëve të jashtme) nuk do të jetë obliguese për shtetet anëtare. Dhe, me vetëm pak përjashtime (sikur Britania, e cila, fundja, është duke u përgatitur që të largohet nga BE-ja), 23 vendet e tjera, që e kanë njohur Kosovën, janë vetëm duke bërë sehir, në vend që të ishin aktive në insistimin për njohje. Kjo dobëson përpjekjet tona të përbashkëta dhe ndikon në miliarda eurot e shpenzuara. Nëse ky dhe problemet e tjera, që i kam përmendur, trajtohen seriozisht nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe nëse kosovarët, pa marrë parasysh prejardhjen etnike, marrin përgjegjësinë për shtetin e tyre, jam e sigurt se Kosova do të bënte një përparim të madh në rrugën e saj drejt BE-së. Kosovarët në të kaluarën kanë treguar se nuk u mungon guximi, duke jetuar, duke mësuar, duke punuar "në ilegalitet" për një dekadë, gjë që kërkon njerëz të guximshëm dhe të fortë. Zhvillimi i një lufte për pavarësi kërkon njerëz të vendosur dhe guximtarë. Prandaj, mos e harroni guximin që e keni pasur gjatë viteve të luftës për pavarësi dhe përdoreni atë në mënyrë paqësore, për ta bërë vendin tuaj një vend ku frika dhe ryshfeti nuk sundojnë as në gjykata, e as në jetën private, e publike; ku përkatësia etnike, gjinore, orientimi seksual, paaftësitë apo mendimet e ndryshme politike, nuk i pengojnë njerëzit që të marrin pjesë dhe të bëjnë karrierë në parti, administrata, medie, kompani, shkolla, universitete, institucione shëndetë- sore, etj. Dhe, pa dyshim, qëllimi im dhe ai i BE-së është anëtarësimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku brenda periudhës 10-vjeçare shpresoj që edhe Kosova të jetë afër përfundimit të 'acquis'. Do të doja të përfundoja me një rikujtim tjetër të Ibrahim Rugovës. "Pavarësia, liria, demokracia, prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik", ishin vizioni i tij për Kosovën. Por, ai e kishte bërë të qartë se, për këtë, nuk ka zgjidhje magjike. Ajo që na nevojitet, në Kosovë dhe në BE, është një vullnet i fortë politik dhe një punë e madhe politike. "Dërrasat" pa dyshim se janë tepër të forta, por është po ashtu evidente se ne mund t'i shpojmë ato me pasion dhe perspektivë. Në këtë aspekt, ju dëshiroj shumë lumturi dhe sukses në vitin 2017 - në aspektin personal, profesional dhe për Kosovën si vend evropian

(Kosova Sot)