Presidentja shtroi iftar për gratë anëtare të Departamentit të Gruas në BIK

  • 04 July 2015 - 08:25
Presidentja shtroi iftar për gratë anëtare të Departamentit të Gruas në BIK

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga shtroi mbrëmë iftar për gratë anëtare të Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtoret e tyre, të udhëhequra nga Besa Ismaili, Prodekane në Fakultetin e Studimeve Islame.

Përmes një komunikate të Presidencës, me këtë rast, presidentja Jahjaga ka thënë:

“Këtë vit kam vendosur të shtroj një darkë të Iftarit ndryshe, me qëllim të nderimit dhe respektit për gratë e Fakultetit të Studimeve Islame, që kanë marrë rol aktiv në jetën tonë të përditshme për të ndërtuar një shoqëri demokratike e tolerante, në harmoni me vlerat tona kulturore dhe kombëtare.

Feja në Kosovë është pjesë e traditës sonë të pasur që tashmë po bëhet shembull gjithandej nëpër botë e cila po sfidohet nga probleme të shumta. Për ne në Kosovë harmonia ndërfetare është e natyrshme sepse jetëgjatësia e saj në këto troje daton me shekuj. 

Ne të gjithë kemi kontribuar që Kosova sot të jetë e lirë dhe e pavarur. Bashkësitë tona fetare kane luajtur rol qenësor në bashkimin e qytetareve tanë. Një përpjekje e tillë e përbashkët për ta ndërtuar një Kosovë demokratike, që garanton barazinë e të gjithëve, është e domosdoshme sot. Kosova duhet t'iu qëndrojë besnike vlerave që e definojnë dhe në këtë rrugëtim të gjithë kemi kontribut për të dhënë”, ka thënë Jahjaga.

(Kosova Sot)