Mustafa uron popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut

  • 04 July 2015 - 14:08
Mustafa uron popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar Qeverinë dhe popullin amerikan.

Në këtë datë të shënuar historike e politike për mbarë njerëzimin, kryeministri Isa Mustafa theksoi se Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga ngjarjet, e cila përjetohet me ndjenja të veçanta vlerësimi dhe mirënjohjeje nga populli i Kosovës.

Kryeministri Mustafa, në urim thekson se shpallja a pavarësisë së SHBA-ve, shënon lindjen e modelit shtetëror të bazuar në vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit.

Duke çmuar përkrahjen e jashtëzakonshme të Qeverisë dhe të popullit amerikan për Kosovën në të gjitha fazat,  Mustafa, shpreh mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e pazëvendësueshme që SHBA-të po vazhdojnë të japin për progresin në Kosovë. (Kosova Sot)